Kovaçevski: Jemi të gatshëm për BE, vijon punë e vështirë dhe e përkushtuar për reforma

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski organizoi pritje me rastin e fillimit të bisedimeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Në takimin në të cilin morën pjesë udhëheqësia e shtetit dhe qeverisë, deputetë, ambasadorë të vendeve anëtare të BE-së, aktorë politikë, përfaqësues të shoqërisë civile, media dhe afarist, mbajti fjalim Kryeministri Kovaçevski. Në vazhdim ua përcjellim fjalimin e Kryeministrit në tërësi.

 “Faleminderit të gjithëve për praninë tuaj sonte, le të festojmë së bashku fillimin zyrtar të bisedimeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

Dua të filloj duke uruar qytetarët. Më në fund, pas 17 vitesh hapet procesi për pranimin e Maqedonisë së Veriut në familjen më të madhe evropiane. Dje hapëm një kapitull të ri në historinë e maqedonase. Një kapitull evropian që do të sjellë zhvillim të përshpejtuar, prosperitet dhe stabilitet.

 Këtu dua të falënderoj qytetarët për këmbënguljen dhe vizionin e tyre për një të ardhme evropiane nga e cila nuk kanë hequr dorë. Ata janë më meritorët që jemi këtu ku jemi sot. Ata nuk u dorëzuan para asnjë sfide për të përmbushur ëndrrën e tyre për të qenë pjesë e familjes evropiane.

Të pranishëm sonte janë Presidenti i Shtetit, Kryetari i Kuvendit, deputetë, ministra, aktorë politikë, përfaqësues të shoqërisë civile, media, afaristë dhe aktorë të tjerë që kontribuan me vetëmohim në procesin që kulmoi me fillimin e djeshëm të bisedimeve.

Kjo rrugë nuk ishte e lehtë dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë, prandaj ju falënderoj sinqerisht të gjithëve për angazhimin, përkushtimin dhe mbështetjen tuaj dhe ju inkurajoj që të jeni të angazhuar edhe në periudhën e ardhshme. Mbështetja juaj do të vazhdojë të jetë e paçmueshme, veçanërisht pasi ne tani duhet të angazhojmë të gjitha kapacitetet në dispozicion dhe të punojmë jashtëzakonisht shumë në mënyrë që të kemi integrimin sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian.

Të nderuar miq,

Kemi pasur shumë sfida, por siç thashë dje, vendosëm të përballemi me të gjitha frikat tona dhe të marrim vendime të guximshme për të ardhmen, të mos mbetemi peng i së shkuarës. Ne vendosëm të jemi të vendosur, të guximshëm, të mençur, të mos mendojmë për veten, por për brezat e ardhshëm, për të menduar për vendin tonë dhe për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen.

Për mua, forma më e lartë e patriotizmit është marrja e vendimeve burrështetase dhe progresive, të pasurit e një vizioni dhe plani të qartë për të ardhmen dhe një përkushtim i sinqertë për prosperitetin e shtetit dhe të gjithë qytetarëve. Është forma më e pastër dhe më e sinqertë e respektit dhe dashurisë për atdheun.

Të udhëhequr nga ai parim i sjelljes patriotike dhe burrërore, morëm vendimin përfundimtar me të cilin siguruam ruajtjen dhe forcimin e identitetit maqedonas, të gjuhës, kulturës dhe veçantisë maqedonase, si dhe siguruam fillimin e negociatave.

Ju siguroj, dhe këtë e kanë konfirmuar në disa raste edhe përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian, si këtu në shtëpi ashtu edhe dje në Bruksel, se qëndrimet tona ruhen dhe konfirmohen. Bashkimi Evropian na pranon si maqedonas që e flasim gjuhën maqedonase me respekt të pakushtëzuar për dinjitetin dhe veçantinë e popullit maqedonas dhe veçoritë e tij identitare, historike dhe kulturore. Ne ishim të qartë dhe me zë të lartë se këto gjëra as negociohen dhe as do të negociohen.

Presidentja Von der Leyen dje e mbështeti qartë dhe pa mëdyshje qëndrimin tonë dhe na siguroi, ashtu siç bëri këtu në Kuvend, se gjuha jonë maqedonase do të vlerësohet dhe respektohet në të ardhmen, si dhe do të përjetojë zhvillim dhe promovim përmes përdorimit të saj si një prej  gjuhëve zyrtare të Unionit pas anëtarësimit tonë të plotë.

Identiteti ynë jo vetëm që do të mbrohet, por do të pasurohet dhe do të pasurojë identitetin kompleks europian, siç theksoi në fjalën e tij dje Përfaqësuesi i Lartë Borel. Ajo që na përcakton neve, veçoritë tona, specifikat, tradita, kultura, zakonet tona do të jenë autentike tonat, maqedonase, por të shpërndara me të gjithë miqtë tanë në Bashkimin Evropian. Kjo është ajo që do të na bëjë ne dhe Bashkimin Evropian më të pasur.

Dje ishte një ditë historike. E di që e kemi përmendur disa herë këtë fjalë, por është e vërtetë. Në historinë e çdo vendi ka disa momente vendimtare dhe e djeshmja ishte e tillë.

Dje, para 27 shteteve anëtare, të rrethuar nga përkrahja e miqve tanë evropianë, pata nderin e madh, në emër të qytetarëve, të flas në gjuhën time amtare maqedonase në Këshillin e Bashkimit Evropian dhe të shpreh qartësinë dhe vendosmërinë tonë të pozicionit aktual, por edhe vizionin tonë për të ardhmen.

Mbështetja që morëm dje në sallë nga të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, e veçanërisht nga vendet anëtare të rajonit, na jep të drejtën e plotë të jemi plot shpresë dhe besim se nga e gjithë kjo do të dalim më të fortë, më të qëndrueshëm dhe shpejt po ecim përpara drejt një të ardhmeje më premtuese së bashku. Unë personalisht jam i bindur se qytetarët do të dalin fitues nga kjo.

E thashë dje, do ta them sot. JEMI TË PËRGATITUR PËR BE.

Vendi ynë është Europa në miniaturë. Ne jetojmë çdo ditë moton e Bashkimit Evropian. Ne jemi një shoqëri multikulturore dhe multietnike, jemi të bashkuar në dallimet tona, jemi krenarë për to, kjo është ajo që na bën më të fortë. Tani duhet ta funksionalizojmë atë gatishmëri dhe të ecim përpara me shpejtësi. Periudha e punës së palodhur po vjen. Edhe mua më bën të lumtur. Nga sot fillon një faqe e re e punës së palodhur dhe të përkushtuar për reformat, për harmonizimin e ligjit tonë me të drejtën evropiane, për zhvillimin ekonomik, politik, social, një cilësi më të lartë jetese, standarde të larta për respektimin e shtetit të së drejtës.

Besoj se ndihma e vazhdueshme dhe e shtuar që do të ofrojë Bashkimi Evropian në periudhën e ardhshme do t'u mundësojë qytetarëve dhe ekonomisë së Maqedonisë të marrin mbështetje konkrete dhe reale. Është veçanërisht e rëndësishme të jetosh realitetin evropian edhe sot.

Të nderuar,

Një kapitull është mbyllur dhe ne po hapim një të ri.

Prandaj, tani është koha kur duhet të qëndrojmë së bashku, të bashkuar, plot optimizëm dhe besim për një të nesërme më të mirë, në mënyrë që të bashkojmë forcat dhe bashkërisht t'i përkushtohemi zhvillimit të një shteti evropian të fortë, të suksesshëm.
 

Tani është koha për guxim, përkushtim dhe një pamje të qartë të së ardhmes që të realizojmë shpejt dhe me vendosmëri ëndrrën e brezit tonë, si dhe ëndrrën e Ilindenëve dhe të luftëtarëve nga LNÇ. Të bashkohemi dhe të qëndrojmë së bashku, sepse vetëm së bashku jemi më të fortë. Më të fortë dhe më të gatshëm për të kapërcyer të gjitha sfidat që qëndrojnë para nesh në rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë dhe të ardhmes sonë evropiane.

Qoftë i lumtur fillimi i negociatave për anëtarësim, le të vazhdojmë të jemi të vlefshëm, cilësor dhe plot mirëkuptim për diversitetin, të ndajmë vlerat evropiane dhe të gjithë së bashku të presim anëtarësimin e plotë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE sa më shpejt!

Faleminderit".