Kovaçevski-Sançez: Fillimi i negociatave me BE-në i hap rrugën zhvillimit dhe prosperitetit për Maqedoninë e Veriut, Spanja është mbështetësja jonë e fortë

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski e priti Kryeministrin e Mbretërisë së Spanjës, Pedro Sançez në vizitën e tij të parë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Pas pritjes, dy kryeministrat realizuan takim tet-a-tet, si dhe takim dypalësh të delegacioneve të të dyja vendeve.

Pas pjesës së punës nga vizita, Kryeministri Kovaçevski dhe Kryeministri Sançez dhanë deklarata për mediat. Në vazhdim ua përcjellim deklaratën e plotë të Kryeministrit Kovaçevski:

“Është kënaqësi të jem nikoqir i vizitës së parë të një Kryeministri spanjoll në Maqedoninë e Veriut. Kjo vizitë historike është simbol i marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe gati 30 vjeçare mes dy vendeve.

Dua të shpreh mirënjohjen time në emrin tim dhe në emër të të gjithë qytetarëve për mbështetjen e fuqishme të Spanjës për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Sot, Kryeministri Sançez personalisht ma përcjell këtë mbështetje, e cila për mua dhe besoj për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut është një nder veçanërisht i madh.

Si rezultat i asaj mbështetjeje dhe mbështetjes së të gjitha vendeve të tjera mike të Maqedonisë së Veriut, pak më shumë se 10 ditë më parë mbajtëm konferencën e parë ndërqeveritare me të cilën filluam bisedimet me Bashkimin Evropian.

Pas marrjes së vendimeve të vështira që kërkojnë lidership, guxim, përgjegjësi, ne kemi bërë një tjetër hap të madh drejt realizimit të qëllimit tonë strategjik prej dekadash.

Më e rëndësishmja, ne e bëmë atë si maqedonas, të cilët flasin gjuhën maqedonase, me respekt të pakushtëzuar për dinjitetin dhe veçantinë e popullit maqedonas.

 

Me fillimin e negociatave, identiteti ynë, veçantia jonë, ajo që është  karakteristike, maqedonase, e jona, do të mbetet autentikisht maqedonase dhe në Bashkimin Evropian nga njëra anë, dhe do të pasurojë identitetin kompleks evropian nga ana tjetër.

Ne jetojmë çdo ditë moton evropiane, shoqëria jonë multikulturore, multietnike është e bashkuar në diversitet dhe veçanërisht krenare për të. E kam thënë në disa raste dhe do ta përsëris, ne jemi të gatshëm për Bashkimin Evropian dhe po ecim përpara me një hap të fortë drejt anëtarësimit të plotë në Union.

Është një proces nga i cili nuk do të twrhiqemi sepse vendi ynë është në BE. Ne kemi mbyllur një kapitull dhe po hapim një të ri, një evropian, në të cilin do të ndajmë një të ardhme evropiane me miqtë tanë si Spanja. Shohim pwrparap drejt tw ardhmes evropiane dhe një shtet me vlera evropiane që do t'ua lëmë brezave të ardhshëm.

Me fillimin zyrtar të negociatave me BE-në, menjëherë pas konferencës ndërqeveritare, filluam edhe skriningun, i cili pres të jetë një motivues i fortë në institucionet dhe shërbimet tona, të cilat e presin pikërisht këtë moment prej 17 vitesh.

Nuk kam dyshim se pikërisht ky proces do të kontribuojë në një fokus të fortë në zbatimin e reformave që vetëm sa do të përshpejtojnë negociatat e anëtarësimit deri në anëtarësimin tonë të plotë.

Ne nuk harrojmë dhe jemi mirënjohës për ratifikimin e protokollit për anëtarësimin tonë në NATO. Spanja e kreu ratifikimin në rrethana të jashtëzakonshme në atë kohë, tre ditë më vonë, për t'u bërë anëtari i 30-të i NATO-s.

Kryeministër Sanchez, mbështetja juaj do të thotë vërtet për ne, si tani ashtu edhe në të ardhmen!

Spanja dhe Maqedonia e Veriut, veçanërisht që nga viti 2019, kanë pasur një dialog politik intensiv. Proceset eurointegruese dhe bashkëpunimi ekonomik janë fusha me interes për të dyja vendet, në të cilat mbështetja reciproke është në nivel të lartë. Ne vazhdojmë ta intensifikojmë këtë bashkëpunim dhe inkurajojmë sektorin privat për projekte të përbashkëta investimi.

Si vende aleate në NATO, uniteti ynë për të kontribuar për një Evropë më të sigurt është me rëndësi të madhe. Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të jetë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Së bashku me Spanjën, ne do të vazhdojmë të punojmë për zbatimin e synimeve të Aleancës për paqe dhe prosperitet global. Në një kohë kur forcat antidemokratike po përpiqen seriozisht të ndikojnë në stabilitetin në Evropë, ne si aleatë demokratë, përparimtarë dhe pro-evropianë kemi detyrimin të tregojmë unitet të fortë kundër këtyre forcave.

Së fundi, dëshiroj të ndaj konkludimin e përbashkët se kjo vizitë vjen në një moment pozitiv pro-evropian për Maqedoninë e Veriut, të cilin ne planifikojmë ta forcojmë gjatë presidencës spanjolle të Bashkimit Evropian, të cilin e presim me shumë kënaqësi.

Faleminderit."