Kovaçevski: Me krenari dhe dinjitet festojmë 30 vjet jubile të Armatës që është shtyllë e sigurisë, stabilitetit dhe dinjitetit

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot mori pjesë në ceremoninë qendrore që realizohet në kazermën “Ilinden” në Shkup, ku Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut me krenari festoi ditëlindjen e saj jubilare dhe shënoi të arriturat gjatë tridhjetë viteve të rritjes dhe zhvillimit të saj.

“Sot me krenari dhe dinjitet festojmë Ditën e Armatës – 18 Gushtin.

Ne po festojmë 30 vjetorin e Armatës sonë, e cila është një shtyllë sigurie, mbrojtjeje, stabiliteti dhe besimi si anëtare e barabartë e një prej aleancave më të fuqishme ushtarake-sigurie, NATO-s.

Shpreh falënderimin e sinqertë, në emrin tim, në emër të Qeverisë dhe të gjithë qytetarëve, të gjithë pjesëtarëve të Armatës, secilit pjesëtar të personelit ushtarak dhe civil të Armatës sonë, për angazhimin, përkushtimin dhe kontributin e madh gjatë gjithë këtyre viteve. .

Faleminderit për kontributin tuaj, për punën tuaj në ndërtimin e një Armate të qëndrueshme, bashkëkohore me standarde të larta, të barabartë me anëtarët e tjerë të fuqishëm të Aleancës, me ushtritë e të cilëve merr pjesë në misione të shumta.

Armata është gjithmonë në vijën e parë të ndihmës dhe mbështetjes për të gjithë ne, ndërsa ne po vazhdojmë me përkushtim modernizimin e saj për gatishmëri serioze luftarake, duke krijuar kushtet më të favorshme për personelin ushtarak dhe civil.

Urime dhe qoftë e përjetshme Dita e Armatës!”, thuhet në urimin e Kryeministrit Kovaçevski.

Në ceremoninë solemne ku mori pjesë edhe Kryeministri, u mbajt një paradë e skaloneve të përbëra nga pjesëtarë të të gjitha komandave dhe njësive të Armatës dhe të mjeteve bashkëkohore luftarake në dispozicion të Armatës, përfshirë automjete të reja të blinduara, me të cilat u prezantua arritja e pjesëtarëve të Armatës.

Në ngjarjen solemne, krahas Kryeministrit Kovaçevski morën pjesë edhe Presidenti Stevo Pendarovski, ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska dhe shefit i Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral- nënkoloneli Vasko Gjurçinovski, përfaqësues të Kuvendit, ministra nga Qeveria, përfaqësues nga kori diplomatik, anëtarë të pensionuar të Armatës dhe përfaqësues të organizatave me të cilat bashkëpunon Armata.
 
Ceremonia qendrore është një nga aktivitetet përfundimtare me të cilat u shënua jubileu 30 vjet nga formimi i Armatës, ndër të cilat u realizuan: ekspozitë me rastin e 30 vjetorit, manifestim i hapur për qytetarët, tribuna, gara sportive, aksione humanitare dhe kremtime në njësi.