Kryeministri Dimitar Kovaçevski në "Tema e ditës" në TV Sitel deklaroi se për fillimin e negociatave sipas kapitujve duhet të bëhen ndryshime kushtetuese, të cilat do të përfshijnë edhe pjesë të popujve të tjerë që jetojnë në vend, ndërsa që nuk janë të shkruara në Preambulë.
“Për momentin po flasim për bullgarët, kroatët, malazezët, por një pjesë e popullit izraelit tashmë e kanë shprehur një dëshirë të tillë, egjiptianët tashmë kanë paraqitur një kërkesë zyrtare. Ne jemi një shoqëri multikulturore, multikonfesionale dhe jemi dëshmuar si të tillë në Evropë, praktikisht përfaqësojmë një shoqëri që është Evropa në miniaturë, sepse Evropa është një komunitet diversiteti dhe mendoj se nuk duhet të ketë asnjë problem për ato ndryshime kushtetuese , tha Kovaçevski.
Kryeministri Kovaçevski theksoi se vendi tashmë ka filluar negociatat me BE-në, tashmë është publikuar kalendari i procesit të skriningut, më 14 shtator ekipet do të jenë në Bruksel, ku edhe zyrtarisht mbahet takimi i parë.
“Skriningu ndahet në dy faza, skriningu shpjegues dhe skriningu dypalësh. Në skriningun shpjegues, tashmë kemi ndërmarrë hapa të caktuar, por në pjesën e skriningut dypalësh, që është një operacion shumë më kompleks në të cilin praktikisht prezantohet legjislacioni ynë përballë legjislacionit të BE-së dhe çfarë duhet bërë gjatë negociatave, për këtë Sekretariati për Çështje Evropiane dhe Zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane tashmë janë duke punuar në plotësimin e ekipit negociator, shumë shpejt struktura negociatore do të gjendet në seancën e Qeverisë", theksoi Kovaçevski.
Kryeministri tha se këtu do të angazhohen të gjitha institucionet dhe ekspertët që i kemi, por do të angazhohen një numër i madh i ekspertëve që nuk janë pjesë e institucioneve qeveritare, përkatësisht ekspertë nga sektori akademik, nga sektori i biznesit, nga sektori joqeveritar dhe të gjitha ato që mund të kontribuojnë në një përfundim më të shpejtë të këtij procesi.
“Skriningu sipas asaj që kemi si pasqyrë për momentin dhe lehtësive që kemi, mendojmë se mund ta përfundojmë për 14 deri në 16 muaj, që do të ishte mjaft i shpejtë në krahasim me vendet e tjera që kanë kaluar në këtë proces dhe më pas fillon hapja e kapitujve", tha Kovaçevski.