Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, mori pjesë dhe mbajti fjalim në manifestimin me rastin e shënimit të Ditës së Minatorëve- 28 gushtit.
Në solemnitet, ku u ndanë mirënjohje për minatorët dhe brigadat më të mira, morën pjesë rreth 800 minatorë dhe udhëheqësi nga “Zletova” dhe “Toranica”, ministra dhe kryetarët e komunave Probishtip dhe Kriva Pallankë.
Në vazhdim ua përcjellim fjalimin e Kryeministrit Kovaçevski në tërësi:
“Urime Ditën e Minatorëve!
Kam nderin dhe kënaqësinë që sot në festën e madhe krishtere Shën Mëria që konsiderohet për mbrojtëse e juaja, jam në minierat e Probishtipit dhe së bashku e përkujtojmë këtë ditë të rëndësishme.
Sukseset e shënuara nga sektori i minierave vite më parë janë rezultat i përkushtimit personal të secilit prej jush, i punës së mundimshme të minatorëve, inxhinierëve, menaxherëve dhe stafit profesional, të cilët me punën tuaj të përkushtuar kontribuojnë në avancimin e tij dhe në këtë mënyrë për zhvillimin e vendit.
Kjo shihet në rezultatet e arritura. Miniera është një nga sektorët më të rëndësishëm dhe shtytës i ekonomisë sonë edhe në kohë kur ballafaqohemi me një nga krizat më të mëdha në historinë më të re. Me më shumë se 10 për qind në prodhimin e përgjithshëm industrial në vend, sektori i minierave është kyç për avancimin e tij. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut kemi mbi 100 miniera aktive, të cilat së bashku me aktivitetet e tyre punësojnë rreth dhjetë mijë persona. Jam i bindur se në të ardhmen këto miniera do të vazhdojnë punën e tyre aktive, duke hapur vende të reja pune dhe duke ruajtur standarde të larta të kushteve të punës dhe sigurisë për punonjësit e tyre dhe mbrojtjen e mjedisit.
Ndër to është edhe miniera në Zletovë, e cila me një strategji dhe plan ambicioz, në një periudhë të shkurtër kohore nga falimentimi arriti të kthehet në formë dhe të rifillojë prodhimin. Kompania “Bulmak 2016”, e cila menaxhon këtë dhe minierën e Toranicës, edhe në kohë krize dhe pandemie, është ndër 30 më të mirat në vend për nga performanca.
Gjatë gjithë kësaj periudhe në këto dy miniera janë të punësuar rreth 800 persona, prodhimi është rritur dhe pagat e punonjësve janë rritur në krahasim me vitet e kaluara.
Sigurisht që edhe Qeveria ka kontributin e vet në gjithë këtë proces të funksionimit të suksesshëm, sepse zhvillimi i kompanive, por edhe investimi në kapitalin njerëzor, si një potencial i paçmuar pune, nënkupton zhvillim të qëndrueshëm të komunave dhe rritje të përshpejtuar ekonomike të vendit.
Ne kemi rregulluar një padrejtësi të madhe për minatorët që zvarritej prej vitesh. Me ndryshimet ligjore në Ligjin për sigurimin pensional dhe invalidor që i bëri Qeveria në vitin 2018, ne përmbushëm kërkesën shumëvjeçare të minatorëve. Tani dalin në pension pasi kanë kryer 40 vite shërbim për burrat, gjegjësisht 35 vite shërbim për gratë. Kjo do të thotë se nëse më parë minatorët dilnin në pension në moshën 58 vjeç, tani dalin në pension në moshën 50 vjeç dhe në periudhën nga viti 2018 e deri më sot këtë të drejtë e kanë ushtruar 105 minatorë.
Gjithashtu siguruam rritje të vazhdueshme të pagave. Përmes zgjidhjeve sistematike për rritjen e pagave dhe në kushtet e krizës më të madhe rriten pagat minimale dhe mesatare, të cilat për muajin qershor arrijnë në 31.869 denarë. Në këtë rritje të pagës mesatare me 4.3% merr pjesë edhe sektori i minierave dhe guroreve.
Sigurimi i një standardi dhe kushtesh më të mira pune mbetet prioriteti ynë kryesor. Kujdesi për punëtorët dhe qytetarët është synimi ynë kryesor, mbi të cilin ne vazhdojmë të punojmë.
Me shumë respekt, urime të sinqerta për të gjithë minatorët që punojnë në mënyrë aktive, por edhe ata që tashmë kanë përfunduar angazhimin e tyre të punës dhe janë në pension. Unë e vlerësoj shumë punën tuaj të palodhur, sakrificën dhe orët e punës tuaj. Për këtë qëllim, ne vazhdojmë të sjellim zgjidhje dhe politika ligjore që sigurojnë një standard dhe kushte më të mira pune për minatorët.
Urime dhe qoftë e përjetshme festa. Ju uroj shumë shëndet, të përparoni në planin personal dhe të vazhdoni me punën tuaj të kontribuoni në rritjen e ekonomisë sonë dhe zhvillimin e vendit.
ME FAT minatorë!”