Kovaçevski: Qytetarët do të paguanin pesë herë fatura më të larta për rrymë po të mos jenë subvencionet

Në Maqedoninë e Veriut gjashtëqind mijë amvisëri dhe shtatëdhjetë mijë kompani që janë në tregun e rregulluar në vend furnizohen me energji elektrike të subvencionuar. Nëse Qeveria nuk subvencionon 80% të çmimit të rrymës, faturat e qytetarëve do të ishin pesë herë më të larta, theksoi në intervistën për RTVM, Kryetari i Qeverisë Dimitar Kovaçevski.

“Maqedonia e Veriut aktualisht furnizon gjashtëqind mijë amvisëri me energji elektrike të subvencionuar në vend dhe shtatëdhjetë mijë kompani që janë në tregun e rregulluar, me subvencionim 80% të çmimit të energjisë elektrike. Kjo do të thotë se nëse nuk do të ishte ai subvencionim, çmimi i energjisë elektrike që paguajnë qytetarët dhe kompanitë në tregun e rregulluar do të ishte pesë herë më i lartë”, tha Kryeministri në intervistën për RTVM.

Kovaçevski theksoi se Qeveria është duke zhvilluar negociata intensive me vendet fqinje dhe vendet tjera për të siguruar energji elektrike me çmim të volitshëm për ekonominë dhe konsumatorët e mëdhenj. Në vend me kapacitet të plotë punojnë termocentralet shtetërore.

“Kemi zhvilluar takime me të gjitha vendet fqinje me qëllim të mundësojmë qarkullimin e pandërprerë të energjensave. Me Republikën e Greqisë për furnizim të pandërprerë me qymyr dhe mazut, pasi mazuti vjen nga Greqia në Maqedoninë e Veriut. Me Republikën e Shqipërisë poashtu për furnizimin e papenguar të qymyrit, sepse edhe atje ka depozita të qymyrit cilësor. Tani me punë do të fillojë nxjerrja e xehes nga miniera e Zhivojnës. I kemi aktivizuar kapacitetet që që më parë nuk janë shfrytëzuar për energji elektrike, Oslomej, TEC Negotinë. Me kërkesë të Odës ekonomike dhe Odave tjera ekonomike tashmë kemi biseduar me Republikën e Bullgarisë që të mos ketë ndërprerje të lidhjeve ndërkombëtare të energjisë elektrike gjatë dimrit. Në 10 vitet e kaluara, tre herë ka ndodhur kjo, gjatë mungesës së energjisë elektrike të ketë ndërprerje të tranzitit ndërkombëtar të energjisë elektrike. Poashtu bisedojmë edhe me Republikën e Serbisë, Republikën e Bullgarisë dhe Republikën e Turqisë për furnizim me energji elektrike me çmime që do të jenë të kapshme për ekonominë tonë”, theksoi Kryeministri Kovaçevski në intervistën për RTVM.

Kryetari i Qeverisë shtoi se për momentin po zhvillohen takime ku është i përfshirë edhe kryetari i Odës ekonomike për gjetjen e zgjidhjeve që për kompanitë të sigurohet energji elektrike me çmim më të lirë se ai në bursat botërore.