Kryeministri Dimitar Kovaçevski, bashkë me ministrin e Shëndetësisë Bekim Sali, drejtorin e SPQ "8 Shtatori" Hristijan Kostov dhe ambasadorin e Italisë në vend Andrea Sillvestri, sot vizituan Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit "8 Shtatori" me rastin e qendrës së re diagnostikuese të pajisur me aparate të reja të rezonancës magnetike tomografike, me të cilin rritet saktësia diagnostikuese.
Në vijim ju përcjellim në tërësi fjalimin e Kryeministrit.
“As gjatë krizës më të madhe shëndetësore dhe ekonomike, ne nuk ndalëm së investuari në shërbim cilësor për pacientët dhe kushte më të mira pune të punonjësve të shëndetësisë.
Në fillim të kësaj ngjarjeje, dëshiroj të përgëzoj për angazhimin dhe përkushtimin e të gjithë stafit të Spitalit të Përgjithshëm të Qytetit "8 Shtatori", i cili në një kohë rekorde arritën që të rindërtojnë dhe rinovojnë hapësirën që u shndërrua në repart të radiologjisë dhe diagnostikimi, në të cilin janë instaluar tashmë dy pajisje të reja të rezonancës magnetike më moderne.
Spitali “8 Shtatori” ka rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në shëndetësinë tonë, si institucioni më i madh spitalor, në krizat më të mëdha, ishte gjithmonë i pari që tu përgjigjet dhe të përballet me sfidat.
Ky spital mori një ngarkesë të madhe gjatë pandemisë Kovid, për këtë sakrificë dua që të përgëzoj të gjithë stafin mjekësor dhe jomjekësor të spitalit.
Këto dy aparate dhe reparti i rinovuar janë një tjetër nga seria e investimeve për një sistem shëndetësor më të mirë dhe më efikas për të gjithë qytetarët tanë. Spitali “8 Shtatori” me dy aparaturat e reja do të rrisë kapacitetin e tij të incizimeve me 50%, gjegjësisht me plus 15 pacientë në ditë, që është një përparësi e madhe për diagnostikim të shpejtë dhe në kohë të pacientëve të sëmurë rëndë.
Pajisjet janë blerë në kuadër të Programit për Racionalizim të Menaxhimit dhe Modernizim të Teknologjisë Biomjekësore në Sektorin e shëndetësisë, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Italisë, për të cilën shpreh falënderim të veçantë edhe një herë popullit italian, Republikës së Italisë, si dhe ambasadorit Sillvestri për angazhimin e tij rreth realizimit të këtij projekti.
Reformat dhe investimet në shëndetësi janë një nga prioritetet më të mëdha të Qeverisë së udhëhequr nga LSDM-ja.
Si Qeveri kemi bërë një strategji për të investuar në shëndetësi, nuk shpenzojmë para të paplanifikuara, siç ndodhte në të kaluarën kur paratë e buxhetit përdoreshin për të blerë pajisje të shtrenjta mjekësore që qëndronin në magazinat e spitaleve.
Tani po zbatojmë një proces rehabilitimi të sistemit shëndetësor dhe pajisjet e marra vendosen menjëherë aty ku është planifkuar.
Kemi kthyer dinjitetin e mjekëve në 5 vitet e fundit, paga bazë e mjekut specialist është rritur për 40%, e infermierëve për 23%, e mjekëve të përgjithshëm për 25% dhe 15% punonjësve të tjerë të shëndetësisë. Janë rritur koeficientët për pagesën e punonjësve shëndetësorë në detyrë, ndërsa disa lloje të kujdestarive janë rritur nga dy deri në tre herë gjatë fundjavës.
Investojmë në pajisje mjekësore të përfaqësuara në mënyrë të barabartë në të gjitha rajonet, deri më tani janë blerë 7 rezonanca magnetike bashkëkohore, 7 tomografi kompjuterike dhe 3 angiografi për diagnostikimin preciz të pacientëve.
Duke filluar nga viti 2017, kjo Qeveri bëri investimin më të madh në pajisje kyçe dhe kapital njerëzor në historinë e shëndetësisë sonë. Ne kemi investuar në mënyrë të barabartë kudo në pajisje që janë thelbësore për kujdes shëndetësor më cilësor.
Si gjatë krizës shëndetësore me KOVID-19, ashtu edhe gjatë krizës energjetike, Qeveria miratoi një sërë masash antikrizës për të ulur presionin mbi institucionet publike shëndetësore.
Ne kemi krijuar një grup të veçantë masash kundër krizës për spitalet dhe shkollat. Tani mundësojmë furnizimin e objekteve shëndetësore publike me energji elektrike përmes shitjeve nga EMV-ja me çmim shumë më të favorshëm se çmimet e tregut.
Të njëjtën gjë kemi ofruar edhe për shkollat e mesme dhe fillore. Ofrojmë edhe furnizim me energji elektrike për stacionet matëse të pompave të ujit, përmes EMV Shitje me çmim të favorshëm nga çmimi i bursës. Ne si Qeveri nuk do të lejojmë që qytetarët të mbeten pa ujë në komunat ku qytetarwt furnizohen nga pompat.
Jo vetëm vendi ynë, por e gjithë bota, shoqëritë shumë më të zhvilluara dhe më të avancuara, ekonomitë që ende nuk janë rikuperuar nga pandemia e COVID-it morën një goditje tjetër më të fortë. Tani ne të gjithë përballemi me krizën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore. Është koha e politikave të përgjegjshme dhe vendimtare, nuk ka vend për improvizime, propagandë, e më së paku për mbledhjen e pikëve politike.
Jam më i lumtur që sigurojmë ushqim dhe rrymë për qytetarët kur e kanë më të vështirë, që i ndihmojmë financiarisht pensionistët me të ardhurat më të ulëta në këta 4 muaj më të ftohtë dhe më kritik që të kenë para të mjaftueshme për nevoja elementare, për ilaçe dhe për paguaj faturat e tjera.
Nuk harruam askënd, nuk lamë askënd jashtë pakos së masave antikrizë. Këto janë paratë e qytetarëve dhe duhet të përfundojnë tek ata që kanë më shumë nevojë - rastet sociale, prindërit e vetëm, kategoritë e tjera të rrezikuara të qytetarëve, kjo Qeveri nuk do të lërë askënd vetëm në këto kohë të vështira plot pasiguri.
Fëmijët do të vazhdojnë të shkojnë në shkollë në klasa të ngrohta, duhet të jetë ngrohtë në spital si për pacientët ashtu edhe për punonjësit e shëndetësisë. Duhet të ketë ushqim të mjaftueshëm, për të stabilizuar çmimet në treg, prandaj me masat antikrizë të destinuara për prodhuesit e ushqimit, pres një ulje prej 10% të produkteve ushqimore bazë.
Në krizën e COVID-it, mjekët dhe punonjësit e shëndetësisë patën beteja gjatë gjithë ditës dhe nuk dinin për pushim. Kjo është beteja jonë tani.
Unë si person dhe e gjithë Qeveria jemi në këmbë ditë e natë dhe me të gjitha forcat po luftojmë sfidat që janë para nesh dhe është obligim im dhe yni që t'u mundësojmë qytetarëve ta kalojnë këtë krizë dhe këtë periudhë e vështirë.
Dua t'i uroj stafit shëndetësor, drejtorit të spitalit, punë të suksesshme dhe përdorim të pajisjeve të reja dhe siç thuhet sa herë që vendosen pajisje të reja në spitale, të përdoren sa më pak”.