Kovaçevski në mbledhjen ndërqeveritare me Shqipërinë: Bashkërisht jemi në rrugën evropiane dhe ballafaqohemi me krizën, së bashku mundësojmë rritje ekonomike dhe zhvillim

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, me fjalimin  hyrës e filloi mbledhjen ndërqeveritare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Në fjalimin e tij, Kryeministri Kovaçevski theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë së bashku në rrugën evropiane dhe  bashkërisht me bashkëpunim të ndërsjellë ballafaqohen me sfidat e krizës energjetike.
Në vazhdim e përcjellim në tërësi fjalimin e Kryeministrit Kovaçevski.

“Mirë se vini në mbledhjen e dytë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

Kam kënaqësinë që sot këtu, në këtë sallë ceremoniale në Qeveri, jemi të ulur pranë njëri-tjetrit dhe bisedojmë  për ardhmërinë  dhe për atë çfarë  mund të bëjmë më shumë për të zhvilluar të dy vendet tona, por edhe për miqësinë dhe fqinjësinë tonë të mirë. dhe kështu të zhvillojmë edhe rajonin.

Ne shpesh komunikojmë me Edin aq i ngushtë  është  bashkëpunimi mes ministrive dhe institucioneve tona, mes dy vendeve tona, sa kam vërtet ndjenjën se sot këtu jemi të gjithë sikurse  në shtëpi.

Dhe është një ndjenjë e mrekullueshme, sepse të gjithë e kujtojmë, jo shumë kohë më parë, i gjithë Ballkani ishte mbajtur peng nga politikat retrograde.

Nevojitej një vizion për të parë rajonin në tërësi, shtetet e tyre si pjesë tërësie dhe për të vepruar në drejtim të një të ardhmeje të përbashkët evropiane. Ishin të nevojshme udhëheqësi progresive, të cilat mund të ngrihen  mbi interesat personale politike, liderë që shohin përpara, shikojnë  drejt së nesërmes.

Është më se e qartë se së bashku, ne gjithmonë mund të bëjmë më shumë. Prandaj, për pak vite, përmes vullnetit të sinqertë politik për përparim, kemi arritur shumë më tepër sesa mund të imagjinohej.

Marrëdhëniet e ndërsjella mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë asnjëherë nuk kanë qenë më të mira se sot. Ne lirisht mund të themi se jemi shembull se si mund dhe duhet të bashkëpunojnë dy fqinjë.

Sot, ne po i tejkalojmë  me sukses sfidat aktuale të krizës globale në  mënyrë solidare, si në kuadër të nismës Ballkani i Hapur, në kuadër të Procesit të Berlinit, ashtu edhe përmes avancimit të marrëdhënieve dypalëshe.
Bashkëpunojmë në mënyrë aktive për sigurinë, si partnerë të barabartë të besuar të NATO-s dhe SHBA-ve.

I dashur Edi,

Disa nuk e besonin, por ja, së bashku hapëruam edhe në integrimet evropiane. Më 19 korrik, të dytë në emër të dy vendeve dhe qytetarëve tanë, patëm nderin të dëgjonim fjalët "shënoj fillimin e negociatave" që i  shqiptoi ministri i Jashtëm çek.

Mbështetja juaj, mbështetja jote, në tryezën politike ato ditë në Bruksel, është e paçmueshme dhe do ta kujtoj dhe do ta vlerësoj përgjithmonë.

Siç thuhet, miqtë njihen kur kanë vështirësi dhe ti Edi, ju kolegë të respektuar nga Shqipëria, keni treguar miqësi të vërtetë dhe të sinqertë dhe mbështetje të padyshimtë në rrugën evropiane, por edhe gjatë anëtarësimit tonë në NATO.

Ne kemi të njëjtin qëllim - anëtarësimin e plotfuqishëm të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Si kryeministra progresivë dhe qeveri progresive, kemi bërë shumë përpjekje dhe kemi treguar se vetëm me bashkëpunim ka përparim.

Sot, kur në mënyrë të papritur për shekullin e 21, u përballëm me  luftë në kontinentin evropian, më së miri mund të perceptojmë vlerën e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe rajonal që kemi vendosur dhe zhvillojmë me sukses prej disa vitesh.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë  shembull real për atë se si ndërtohen marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Për të pasur lidhshmëri, nevojitet infrastrukturë, por mbi të gjitha, mirëkuptim. Nëse  kuptohemi  mirë, nëse e respektojmë njëri-tjetrin – ne tashmë kemi vendosur shtylla të forta  edhe për autostradat dhe hekurudhat që fizikisht lidhin vendet dhe popujt tanë.

Unë dhe Kryeministri Rama, gjegjësisht qeveritë e të dyja vendeve, e dimë  kur diçka shkon më vështirë, kjo do të thotë se është  drejtë rrugës së duhur.

Me vendosmëri  e forcuam miqësinë tonë. Dhe me besim të fortë në vlerat evropiane, sot Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë bashkë  drejt rrugës evropiane.

Republika e Maqedonisë së Veriut u vendos qartë në linjën e politikës së  jashtme të BE-së në lidhje me luftën në Ukrainë.

E di që këtë e ka bërë edhe Republika e Shqipërisë. Bashkë qëndrojmë në anën e paqes botërore dhe ruajmë stabilitetin e rajonit.

Është në interesin tonë të përbashkët të parandalojmë përpjekjet e palëve të treta, për qëllimet e tyre, për të tërhequr vendet tona dhe të gjithë Ballkanin Perëndimor në skenarë të padëshiruar.

Skenarë që kërcënojnë përfitimet demokratike për të cilat kemi punuar kaq gjatë për t'i rinovuar, skenarë që do të bllokojnë mundësitë e zhvillimit ekonomik të shteteve dhe do ta tërheqin rajonin në izolime dhe tensione të reja të cilat Ballkani mezi i tejkaluar.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria po punojnë së bashku për zgjidhje specifike, duke investuar në një të ardhme të sigurt për tërë rajonin e Ballkanit dhe kjo tashmë është e qartë për të gjithë. Si qeveri demokratike, ne e dimë se integrimet euroatlantike janë me interes strategjik për stabilitetin dhe sigurinë, për ekonominë dhe standardin e jetesës së tërë Ballkanit Perëndimor.

Edhe Bashkimi Evropian më në fund e kuptoi se është në interesin e tij strategjik dhe të sigurisë që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e Evropës. Se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë udhëheqësi demokratike progresive dhe se tani është momenti për të siguruar rrumbullakimin e familjes evropiane.

Nuk duhet të humbasim këtë moment të duarve të zgjatura nga partnerët dhe miqtë tanë.

Si BE-ja ashtu edhe ne deri më tani i kemi përmbushur të gjitha premtimet tona dhe do të vazhdojmë ta bëjmë të njëjtën.

Hapja e bisedimeve dhe fillimi i skriningut është një sukses i madh për të gjithë ne. Procesi më në fund ka nisur dhe tani, me një identitet dhe interesa nacionale plotësisht të mbrojtura, të pranuara dhe të konfirmuara në Evropë, ne po përparojmë në reformat për të garantuar standardet dhe parimet evropiane.

Për ne, për identitetin maqedonas dhe gjuhën maqedonase, njohja nga Evropa ishte shumë e rëndësishme. Bisedimet ishin të dhimbshme dhe të vështira, por ne arritëm të mbajmë pozicionet tona dhe të arrijmë atë për të cilën luftuam, që është ruajtja e gjuhës maqedonase dhe ngritja e saj në të njëjtin nivel me gjuhët e tjera të Bashkimit Evropian. Identiteti maqedonas do të vazhdojë të zhvillohet si pjesë e identitetit kompleks evropian.
Dëshmi e përpjekjes sonë dhe premtimit të realizuar ndaj qytetarëve ishte nënshkrimi i Marrëveshjes për FRONTEKS-in, si Marrëveshje e parë e tillë që e nënshkruam së bashku me 27 vendet e tjera anëtare, në gjuhën maqedonase, pa asnjë shtesë, fusnotë apo sqarim.

Kjo, së bashku me njohjen se ne jemi një demokraci funksionale e suksesshme, multietnike e qytetarëve të barabartë: maqedonas, shqiptarë, turq, serb, vlleh, rom, boshnjak dhe të gjithë të tjerët që jetojnë këtu, një shtet që kontribuon në thelb për paqen dhe stabilitetin, na hap vend, për t'iu qasur hapave të tjerë të nevojshëm.

Sigurisht që do të vijojnë në Kuvend, për të përfunduar në një proces dinamik bisedimet e aderimit me BE-në.

Nuk ka më vend për justifikime që do të pengonin procesin e integrimit evropian të vendit tonë. Tani gjithçka është në duart tona.

Pres që deputetët të tregojnë përgjegjësi edhe në Kuvend, për të vazhduar lëvizjen me shpejtësi drejt BE-së.

Ndërsa i filluam bisedimet së bashku, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë mundësinë t'i përfundojnë bisedimet së bashku.

Me anëtarësimin në BE do të sigurojmë jetë cilësore për qytetarët tanë, sipas standardeve evropiane, ndërsa të rinjtë tanë do të jetojnë këtu në Evropë, por kjo do të jetë në vendlindjen e tyre.
Republika e Maqedonisë së Veriut po zhvillohet me vendosmëri në Një shoqëri për të gjithë, me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta për të gjithë qytetarët, dhe përkushtimi ynë për një shtet civil është shënuar në Kushtetutën e parë që nga pavarësia e Maqedonisë së atëhershme.

Kemi institucione multietnike, Kuvend, Qeveri, komuna. Sot, Republika e Maqedonisë së Veriut njihet si model i suksesshëm i Evropës në të vogël.

Dhe ashtu siç ndërtojmë ura në vend, ne gjithashtu ndërtojmë ura me fqinjët tanë, me Evropën dhe me botën. Dhe kjo është përparësia jonë.

Politikat e mirëkuptimit janë përparësia jonë. Dhe si çdo gjë më parë, me politikat e mençura, të përgjegjshme dhe të arsyeshme që ne i sjellim, të cilat kanë mbështetjen e shumicës së qytetarëve në vend, besoj se mund të arrijmë edhe anëtarësimin në BE deri në vitin 2030.

Sigurisht që deri atëherë, si dy shtete fqinje, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë, mund të ndihmojnë shumë njëri-tjetrin në zhvillimin ekonomik.

Kjo mbledhje e dytë ndërqeveritar në Shkup, pas të parës në Pogradec, tregon se atë që flasim, e bëjmë. Ne po avancojmë bashkëpunimin mes nesh.

Sidomos gjatë krizës globale ekonomike dhe energjetike, me sfida serioze në sigurimin e energjisë elektrike dhe ushqimit në shtete, ky bashkëpunim është i një rëndësie të madhe.

Ne në shtetin tonë deri më tani kemi siguruar energji elektrike për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël nga prodhimi vendor. EMV-ja jo vetëm që rriti prodhimin për 25%, por edhe i tejkaloi planet.

Prandaj është e mundur të sigurohet 80% energji elektrike e subvencionuar për të gjitha familjet në vend dhe për mbi 72 mijë kompani, konsumatorë të vegjël që punësojnë 98% të punëtorëve në vend.

Me planifikim të mirë dhe veprim në kohë, siguruam çmime preferenciale të energjisë elektrike për shkollat fillore dhe të mesme, si dhe për ndërmarrjet publike në fushën e ujësjellësit. Sigurohen funksionet vitale të shtetit.

Siguruam energji elektrike më të lirë edhe për kompanitë ushqimore, pas së cilës presim që çmimet e produkteve finale të ulen së paku 10%.

Shteti ka marrë përsipër edhe funksionimin e termocentraleve dhe do të sigurojë furnizim të besueshëm, të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të energjisë termike.

Janë duke u zhvilluar disa investime të mëdha në energji, të cilat në afat të mesëm dhe afatgjatë do të mundësojnë qëndrueshmëri në sektorin e energjisë – diçka që po bëhet për herë të parë përmes një qasjeje strategjike.
 
Ne filluam transformimin e energjisë. Me një vizion të mirëpërcaktuar, ne po investojmë në industritë e së ardhmes, të cilat përveç se do të na ofrojnë pavarësi energjetike, do të hapin edhe mundësi për më shumë vende pune dhe më mirë të paguara për qytetarët. Kjo krizë është gjithashtu një mundësi për zhvillim, për inovacion, për ta kthyer vendin në qendër të energjisë së gjelbër, e cila me një plan dhe strategji të mirë mund të furnizojë rajonin dhe vazhdimësinë me energjinë e marrë nga dielli i ngrohtë maqedonas.
 
Krahas këtyre synimeve ambicioze që kemi vendosur për transformimin energjetik, deri më tani, në mënyrë aktive dhe me shpejtësi jemi përballur me krizën ekonomike përmes pakove të masave kundër krizës në vlerë prej mbi 760 milionë eurosh vetëm këtë vit.
 
Në të njëjtën kohë, me fondin e ndërhyrjes prej 4 milionë eurosh, ndihmuam prodhimin e kulturave bujqësore strategjike, si dhe futëm një model të ri subvencionimi, me një nga synimet parësore stimulimin e prodhimit vendas ushqimor.

Të gjitha këto masa dhe aktivitete që po ndërmarrim japin rezultatet e planifikuara, por edhe më shumë na japin shpresë se vitin e ardhshëm do të jetë më mirë.
 
Dhe këto përpjekje u njohën edhe më herët, kryetarja e Komisionit Evropian, Fon der Leyen, njoftoi këtu në Shkup se BE-ja do të ndajë një shumë prej 80 milionë euro në këstin e parë, që do të përdoret për mbështetje buxhetore. Evropa solidarizohet me vendet e Ballkanit Perëndimor, gjë që është e mirë dhe e mirëseardhur.

Mirëpo, bashkëpunimi rajonal është i një rëndësie të madhe, sepse si vende fqinje jemi të orientuar të zhvillohemi së bashku dhe t'i përballojmë sfidat së bashku.
 
Si pjesë e angazhimit tonë për sigurimin e burimeve të qëndrueshme të energjisë, një nga memorandumet e rëndësishme që do të nënshkruajmë sot është pikërisht Memorandumi i Bashkëpunimit në sektorin e energjisë.
 
Qëllimi është krijimi i një kornize bashkëpunimi, për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta energjetike, të fokusuara në përmirësimin e sigurisë energjetike në rajon dhe furnizimin e sigurt me energji.
 
Duke pasur parasysh rëndësinë e lidhjes në zhvillimin e ekonomisë, ne do të nënshkruajmë edhe një Memorandum Mirëkuptimi për zhvillimin e lidhjes rrugore mes dy vendeve.
I përbashkët është qëndrimi  se duhet bërë përpjekje për të ndërtuar dhe kompletuar infrastrukturën rrugore në seksionin e Korridorit 8 rrugor që do të forcojë marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve. Ky memorandum deklaron vullnetin e përbashkët për të punuar së bashku për të arritur qëllimin - lidhjen e të gjithë Korridorit 8 deri në vitin 2030.
 
Sot do të nënshkruajmë memorandume të tjera, në shumë fusha, të gjithë do të kemi mundësi t'i dëgjojmë dhe t'i shohim pak më vonë.

Por ajo që dua të theksoj këtu, që është një tjetër dëshmi e bashkëpunimit tonë të mirë dhe besimit të ndërsjellë, është marrëveshja për kthimin e ikonave të eksportuara ilegalisht nga vendi ynë, për të cilën, pas përfundimit të procedimit penal në Shqipëri, përmes Marrëveshjes së sotme do të nis procedura për kthim fizik në vend. Dhe e gjithë kjo është vetëm materializimi i bashkëpunimit të shkëlqyer mes shteteve dhe ministrive të kulturës.

Në mbledhjen e parë ndërqeveritare u hapën shumë perspektiva të reja për avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë. Të njëjtën gjë e kemi plotësuar dhe forcuar me të gjitha aktivitetet e deritanishme në kuadër të Ballkanit të Hapur dhe Procesit të Berlinit. Qëllimi është zhvillimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë në tregun e vetëm evropian dhe në Bashkimin Evropian.
 
E gjithë kjo, si vend dhe si rajon, do të na bëjë shumë më tërheqës për investitorët e huaj, që në fund do të nënkuptojë fabrika të reja, vende të reja pune të paguara mirë, do të thotë që të rinjtë tanë do të qëndrojnë këtu në shtëpi për të punuar,  të ndërtojnë të ardhmen dhe të vazhdojmë të zhvillojnë atë që kemi filluar sot.
 
Bashkëpunimi mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është reflektim i përkushtimit për të zhvilluar vendet tona sipas vlerave evropiane të respektit reciprok, ku shqetësimi i ndërsjellë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe maqedonasit në Shqipëri, si hallka që na lidhin dhe afrojnë, luan një rol shumë të rëndësishëm.
 
Siç e kam konstatuar: afrimi është fillimi, të qëndruarit së bashku është përparim, dhe bashkëpunimi është sukses. Dhe nëse udhëhiqemi nga kjo, jemi në rrugë të mbarë drejt suksesit, sepse së bashku jemi në rrugën e duhur evropiane.

I nderuar kryeministër Rama, të nderuar ministra të Qeverisë së Shqipërisë, edhe një herë ju urojmë mirëseardhje në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
 
Do ndalem këtu dhe do i lë vend kolegut tim, kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama”.