Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, mori pjesë dhe mbajti fjalim në manifestimin kushtuar 114 vjetorit të standardizimit të alfabetit shqip. Kryeministri Kovaçevski theksoi se respektimi dhe nderimi i kulturave, traditave dhe gjuhëve të ndryshme është mënyrë evropiane, e civilizuar dhe e avancuar e funksionimit të shoqërive të cilat njohin vlerat e vërteta, siç është një shembull shoqëria jonë.
Në vazhdim përcjellim fjalimin e plotë të Kryeministrit Kovaçevski.
“Kam kënaqësinë dhe nder të veçantë që jam sot këtu në shënimin e 114 vjetorit të standardizimit të alfabetit të gjuhës shqipe.
Sot jam këtu, para së gjithash i vetëdijshëm se sa kanë domethënie për mua gjuha dhe alfabeti im maqedonas dhe sa kam nderin kur gjuha ime respektohet. Prandaj të njëjtin nder e bëj çdo herë dhe për çdo gjuhë që nuk është gjuhë ime amtare. Sepse gjuha nuk është thjesht mjet komunikimi me të cilën do të kuptohemi, ajo është pjesë e identitetit dhe kodit tonë gjenetik.
Akti i nderimit dhe respektimit të gjuhëve tregon një mënyrë evropiane, të qytetëruar dhe të avancuar të funksionimit në botë.
Gjuha shqipe nuk është gjuha ime amtare, por gjuha shqipe është gjuha ime vëllazërore.
Këtu jemi në përvjetorin e krijimit të alfabetit të gjuhës shqipe në vitin 1908. Me përfundimin e Kongresit të Manastirit fillon përdorimi i alfabetit të standardizuar të gjuhës shqipes dhe fillon me punë shtypshkronja e parë që do t’i shtypë veprat e para me alfabetin e gjuhës shqipe, ndër të cilat abetarja, librat e leximit dhe javorja “Bashkimi i Kombit”.
Me 36 shkronja latine, alfabeti i gjuhës shqipe ashtu siç është e miratuar në këtë Kongres përdoret edhe sot. Me standardizim e tillë shkruhen shumë vepra në gjuhën shqipe, por edhe shumë vepra ndërkombëtare përkthehen në gjuhën shqipe, gjë që kontribuon në zhvillimin e shkëlqyeshëm të shkrim-leximit dhe arsimimit dhe lidhjes me popujt e tjerë.
Kongresi i Manastirit konsiderohet si një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore në historinë e shqiptarëve. Kjo është dita e themelimit të karakteristikave të identitetit shqiptar. Ato karakteristika të identitetit janë aq të forta, sa besoj se nuk ka asnjë prej nesh të pranishëm këtu që nuk i njeh përmendësh. Në një javë, midis 14 dhe 22 nëntor 1908, të gjitha figurat e rëndësishme politike dhe nën kryesimin e kryetarit të Kongresit, Mitat Frashëri, rrumbullakuan një nga tiparet më të rëndësishme të identitetit dhe miratuan alfabetin.
Është detyrë e jona, si qytetarë dhe si shtet, është që të respektojmë dhe ruajmë gjuhët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Shoqëria jonë është e njohur për karakterin e saj multikulturor, por edhe për vlerat e saja evropiane në të cilat trajtohet çdo diversitet.
Jo vetëm sepse rruga jonë është e shtruar drejt Evropës, por sepse historia jonë është e mbushur me shembuj në të cilët jetojnë pikërisht vlera të tilla. Nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për Manifestin historik të Krushevës apo për atë aktual “Një shoqëri për të gjithë” ose për të gjithë serinë e zhvillimeve dhe koncepteve që promovojnë ruajtjen dhe bashkimin mes popujve që jetojnë këtu. Ky nënqiell gjithmonë ka jetuar në tolerancë dhe mirëkuptim.
Historia jonë gjithmonë ka qenë në anën e duhur. Në anën e respektit dhe pranimit të ndërsjellë me të gjithë popujt që kanë jetuar këtu dhe do të jetojnë këtu. Kjo është ajo që nënkuptojmë kur themi se kemi një mënyrë dhe frymë evropiane.
Ajo mënyrë dhe ky shpirt evropian ndikoi dhe e dha gjithë mbështetjen e komuniteteve tona në të tashmen, kur ishte e nevojshme të ruanim rrugën tonë evropiane pa humbur historinë, identitetin dhe gjuhën. Kjo është forca e komunitetit tonë, që ne të gjithë jetojmë së bashku.
Sot, unë personalisht si i pari i pushtetit ekzekutiv, si maqedonas, si qytetar i atdheut tim, jam i lumtur që të gjithë jemi bashkuar në rrugën e ruajtjes së gjuhës amtare maqedonase dhe për këtë do t'u jem pafundësisht mirënjohës të gjithë atyre që ndihmuan gjatë rrugës. Kur po bisedonim me BE-në, pranë meje ishte ulur Bujar Osmani. Unë dhe Bujar Osmani e mbrojtëm gjuhën maqedonase në të njëjtën mënyrë. Ai e respekton gjuhën maqedonase ashtu siç e respektoj edhe unë gjuhën shqipe.
Ne duhet ta ruajmë gjuhën amtare, ta kremtojmë, të kujdesemi për të që të bëhet e pavdekshme. Dhe, që kjo të ndodhë, duhet të sigurohemi që të gjithë ta përdorin në mënyrë korrekte dhe aktive në jetën e tyre të përditshme, në tërë vendin dhe jashtë tij.
Nëse qytetarët nuk e flasin gjuhën, ajo zbehet gradualisht derisa të zhduket. Cila është arsyeja më shumë që ne si Qeveri të tregojmë me veprime dhe të motivojmë të gjithë, veçanërisht të rinjtë, që ta përdorin sa më shumë dhe saktë gjuhën amtare dhe t'i zhvillojnë ato. Ato janë mjete për ruajtjen dhe afirmimin e trashëgimisë shpirtërore të bashkësive.
Një motivim i tillë vjen nga masat shtetërore që i ndërmarrim, por vjen edhe nga shënimi i traditave dhe datave tona që na kujtojnë rëndësinë e mbajtjes, si tonat, ashtu edhe ato të ndryshmet. Vetëm në këtë mënyrë mund të vazhdojmë të ndërtojmë unitet me një të ardhme evropiane. Kjo është mënyra e vetme për të arritur prosperitetin.
Kjo tregon veçantinë e shoqërisë sonë. Gëzuar Ditën e Alfabetit Shqip”, tha Kryeministri Kovaçevski.