Në vitin e ardhshëm 2023, diplomacia ka marrë përsipër obligimet më të mëdha në marrëdhëniet ndërkombëtare që nga ekzistimi i saj

Ministri i Punëve të Jashtme sot (05 dhjetor 2022) mbajti brifing me Shefat e misioneve të huaja diplomatike dhe organizatave multilaterale në vend, ku i prezantoi aktivitetet më të rëndësishme në politikën e jashtme të realizuara gjatë vitit të kaluar. Në kuadër të prezantimit të punës, Osmani iu referua edhe aktiviteteve të ardhshme të diplomacisë në vitin 2023, me theks të veçantë lidhur me dosjen tonë evropiane, kryesimin me OSBE-në në vitin 2023, kryesimin me Kartën e Adriatikut (A5), pjesën e zbatimit të politikave të NATO-s në rajon, si dhe kryesimin e PBEJL - Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore.

“Fillimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian pas 17 vitesh status kandidat dhe përshpejtimi i procesit të reformave të BE-së, mes tjerash, edhe përmes skriningut i cili tashmë po zhvillohet; më pas lançimi i Dialogut Strategjik me SHBA-në, si përmirësim i Partneritetit Strategjik të vitit 2008; nënshkrimi i Marrëveshjes për Frontex-in, e cila për shumë vite kishte ngecur për shkak të mosmarrëveshjes për përdorimin e gjuhës maqedonase; pastaj anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Unionin për Mesdheun, si një nga organizatat më të mëdha multilaterale për bashkëpunimin e Evropës me vendet e Mesdheut; por edhe një kontribut aktiv si dhe zbatimi konsekuent i detyrimeve të marra si anëtare e NATO-s; të gjitha këto janë arritjet e shumta, domethënëse, që kanë lënë gjurmë në politikën e jashtme të vendit në vitin 2022”, theksoi Osmani në fjalimin hyrës para diplomatëve.

Osmani e theksoi veçantinë e vendit dhe kontributin e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare si një vend i njohur për kulturën e tij autentike të dialogut dhe aftësinë për të arritjen e kompromiseve për çështjet bilaterale. Republika e Maqedonisë së Veriut është dëshmuar dhe promovuar si kontribues aktiv në ndërtimin dhe forcimin e stabilitetit, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore.

“Me shumë punë, me këmbëngulje dhe duke insistuar në politikën e kompromisit, e theksuam shpresën evropiane për të gjithë rajonin dhe jam i bindur se shembulli ynë mund të shfrytëzohet edhe si shembull për vendet e tjera në tejkalimin e çështjeve të hapura të mbetura në Ballkan. Ne jemi të gatshëm të punojmë për këtë, gjithsesi në bashkëpunim me partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë”, theksoi Osmani.

Në brifing, diplomatët treguan interes të madh për aktivitetet e ardhshme të vendit për të gjitha çështjet aktuale: nga mënyra e zbatimit të dosjes evropiane, përmes rolit tonë në NATO dhe qëndrimit ndaj agresionit rus mbi Ukrainën, si dhe për prioritetet dhe planet në kuadër kryesimit tonë me OSBE-në dhe organizatave tjera multilaterale në vitin 2023.