Nga konferenca për shtyp e zëdhënësve të Qeverisë dhe bashkëpunëtorit Andonov: Në vitin 2022 siguruam kushte bazë për përballje më të lehtë me krizën

Sot në Qendrën e Medias së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajt konferencë për shtyp në të cilën zëdhënësit e Qeverisë Dushko Arsovski dhe Muamet Hoxha dhe bashkëpunëtori për energjetikë Viktor Andonov prezantuan informacionet në lidhje me masat dhe politikat për përballje më të lehtë të krizës energjetike që nga fillimi i sezonit të ngrohjes deri më sot, me fokus të veçantë për energjetikën, realizimin e prodhimit të planifikuar të energjisë elektrike për këtë vit që po kalon dhe për planet për vitin e ardhshëm dhe vendimet nga mbledhja e Qeverisë.

Andonov tha se nga fillimi i sezonit të ngrohjes, transparenca energjetike është në nivelin më të lartë, rregullisht publikohet bilanci energjetik, në të cilin përfshihen të dhëna për prodhimin vendor të energjisë elektrike, dhe informohet publiku për masat e marra në lidhje me përballjen e krizës energjetike. Ai shtoi se vendimet që i miratoi Qeveria gjatë vitit të kaluar gjithmonë kanë qenë në interes të qytetarëve, për të ulur rrezikun e goditjes së çmimeve.

“Që nga fillimi i krizës, shteti subvencionoi  çmimin e energjisë elektrike për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël përmes subvencioneve shtetërore, gjegjësisht mjeteve që Qeveria rregullisht ia transferon EMV-së për të siguruar likuiditetin e saj. Kjo do të thotë se pa mjetet e transferuara në EMV, faturat e qytetarëve në periudhën e kaluar të vitit do të ishin më të larta për rreth 73%, siç shihet edhe në vetë faturat. Çdo qytetar tashmë mund të shohë përllogaritjen e faturës së tij të energjisë elektrike, shumën që do të duhej të paguajë nëse nuk do të ekzistonte ky subvencion shtetëror. Kjo përllogaritje është në drejtim të rritjes së transparencës aktive, në mënyrë që qytetarët të kenë parasysh  lëvizjet e çmimeve të energjisë elektrike, të jenë më të kujdesshëm dhe të kursejnë energjinë elektrike.

Për vitin 2022 dhe 2021, Qeveria i ka transferuar EMV-së për energji elektrike rreth 252 milionë euro.

Gjithashtu e rëndësishme ishte që të sigurohet energjisë termike për qytetin më të madh në Maqedoni, Shkupin, edhe pse autoritetet e qytetit nuk morën përsipër të menaxhojnë këtë proces të rëndësishëm. Qeveria menjëherë e ngarkoi EMV-në që të merrte përsipër menaxhimin e të gjithë procesit dhe nga ai moment nuk pati asnjë ditë që qytetarët të mbetën pa energji termike.

Për vitin 2022 dhe 2021, Qeveria i ka transferuar EMV-së rreth 37 milionë euro për energji termike”, tha Andonov.

Në lidhje me masat e miratuara nga Qeveria për mbështetjen e kompanive nga industria ushqimore, ndërmarrjet publike dhe shkollat fillore dhe të mesme të cilat pajisen me energji elektrike më të lirë me çmim fiks, Andonov deklaroi se nga 01.01.2023 EMV Shitje do të furnizojë gjithsej 374 shkolla publike fillore dhe të mesme (65 shkolla plus, krahasuar me dhjetorin), 244 kompani nga industria ushqimore (57 kompani plus, krahasuar me dhjetorin), 57 ndërmarrje ujësjellësi dhe komunale (6 kompani plus, krahasuar me dhjetorin).
Andonov shtoi se kursimi i energjisë elektrike është hallka më e rëndësishme për përballimin më të lehtë të krizës dhe për stabilitetin e sistemit energjetik në vend, përgjegjësia është e ndarë, shteti duhet të miratojë politika të duhura, kompanitë energjetike të menaxhojnë proceset, qytetarët, kompanitë dhe institucionet shtetërore duhet të kursejnë energjinë elektrike.

“Një nga politikat kyçe për përballimin e krizës ishte detyra që Qeveria i dha EMV-së, që të rrisë prodhimin vendor të energjisë elektrike me më shumë se 20%. Prodhimi i energjisë elektrike nga EMV-ja dhe TEC Negotina për vitin 2022 me 26.12.2022 është 4,068 GWh, ndërsa për të njëjtën periudhë të vitit 2021 janë prodhuar 3,227 GWh, që është një rritje prej 26,4% dhe është në përputhje me detyrimet nga QeveriaPlani i prodhimit nga EMV-ja dhe TEC Negotina deri më 26 dhjetor është realizuar me rreth 93%, ndërsa vetëm nga kapacitetet e EMV-së është realizuar me rreth 97%.Për vitin 2023 EMV-ja në planin e saj të prodhimit parasheh të prodhojë gjithsej 5044 GWh energji elektrike, që është rreth 20% rritje në krahasim me vitin 2022”, shtoi Andonov.

Në raport të bilancit energjetik për 28.12.2022, Andonov tha se prodhimi i energjisë elektrike gjatë ditës së djeshme ka qenë 16.305 megavat orë, prej të cilave 8.071 megavat orë energji elektrike janë prodhuar në termocentrale, ndërsa 8.234 megavat orë janë prodhuar nga burimet e ripërtëritshme të energjisë elektrike, janë prokuruar gjithsej 2940 megavat orë energji elektrike për nevojat e spitaleve, shkollave, objekteve nga industria ushqimore, komunale dhe të tjera.

Në fund të fjalimit të tij, Andonov theksoi se të gjitha këto masa kanë për qëllim ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe për këtë arsye në fund të vitit Komisioni Rregullator për Energjetikë ka prezantuar një vendim të tillë, për shumicën e qytetarëve nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe krahas rritjes së TVSH-së nga 5% në 10%, dhe për 70 mijë kompani të vogla ka ulje të çmimit të energjisë elektrike për rreth 20%.

“Me këtë mund të konstatojmë se në vitin 2022 kemi siguruar kushtet elementare për tejkalim më të lehtë të krizës, për qytetarët dhe kompanitë kemi furnizim në kohë me energji elektrike, nuk ka rritje të mëdha të çmimeve, nuk ka kufizime, ka ngrohje, është siguruar diversifikimi i furnizimit me gaz”, tha Viktor Andonov, bashkëpunëtor për energjetikë në konferencën për shtyp në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësit kanë njoftuar për disa vendime të Qeverisë. Njëra në lidhje me Propozimin për Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kthimin e një pjese të tatimit mbi vlerën e shtuar personave fizikë. “Me këtë, në vend të maksimumit aktual prej 1.800 denarë për rimbursim të një pjese të TVSH-së për një tremujor, shuma më e lartë e lejuar që mund t'i kthehet personit fizik rritet në 2.100 denarë. Ky ndryshim praktikisht i kthen më shumë para qytetarëve”, informoi ndër të tjera zëdhënësi Arsovski.

Me qëllim të afrimit të teknologjive digjitale me bizneset, qytetarët dhe administrata publike, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimi Evropian do të nënshkruajnë marrëveshje ndërkombëtare në kuadër të programit Evropa Digjitale për periudhën 2021-2027. Për këtë qëllim, Qeveria miratoi tekstin e këtij dokumenti. Zëdhënësi Hoxha informoi se Programi DIGJITAL ka në dispozicion buxhet total prej 7.5 miliardë euro për periudhën 2021-2027 dhe synon të përshpejtojë rimëkëmbjen ekonomike dhe të formësojë transformimin digjital të shoqërisë dhe ekonomisë evropiane, duke sjellë përfitime për të gjithë, por veçanërisht për të ndërmarrjet vogla dhe të mesme.