Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot në Vjenë, pas fjalimit të tij në Këshillin e Përhershëm, mbajti konferencë për media ku edhe një herë konfirmoi angazhimet kryesore për prioritetet në të cilat do të fokusohet presidenca e Maqedonisë së Veriut gjatë vitit 2023.
Kryesuesi Osmani, në fjalën e tij para gazetarëve, theksoi se sfida më e madhe në realizimin e agjendës ambicioze të presidencës sonë janë rrethanat komplekse, të cilat njëkohësisht janë edhe motiv për shtimin e përpjekjeve dhe angazhimeve tona si vend kryesues.
“Sfida më e madhe në zbatimin e agjendës sonë do të jetë në kontekstin e rrethanave të vështira, por uniteti rreth parimeve dhe angazhimeve të OSBE-së janë burim shprese dhe inkurajimi. Agresioni ushtarak rus ndaj Ukrainës, i cili minon vetë themelet dhe angazhimet e Organizatës, e forcon këtë unitet. Sot vlerat tona duken më të rëndësishme se kurrë. Sfidat aktuale nuk janë arsye për disfatizëm, por për nxitje për të forcuar përpjekjet dhe angazhimin tonë”, tha Osmani.
Kryesuesi i OSBE-së theksoi se Ukraina do të vazhdojë të jetë prioriteti kryesor, por gjithashtu lartë në agjendë do të jenë edhe konfliktet e tjera afatgjata në rajonin e OSBE-së, të cilat janë burim tensionesh dhe vuajtjesh njerëzore. Osmani tha se OSBE-ja mbetet relevante si kurrë më pare, sepse ka mekanizma dhe mjete që ofrojnë mbështetje konkrete për njerëzit e të gjitha vendeve pjesëmarrëse.
“Si gjithmonë, OSBE-ja mbetet relevante sepse ka mjete unike dhe mekanizma mbështetës në dispozicion të të gjitha vendeve pjesëmarrëse. Ne e kemi parë potencialin e tij shumë herë në të kaluarën. Tani është shumë e rëndësishme që Organizata të arrijë potencialin e saj të plotë. OSBE-ja ka dëshmuar në të kaluarën se mund të ulë tensionet, të krijojë besim dhe të sigurojë parashikueshmëri. Kjo është jetike në këtë kohë. Na duhet të veprojmë këtu dhe tani. Për të mirën e njerëzve”, tha Osmani.
Njëherit, Ministri i spjegoi qëllimet dhe motivet kryesore të presidencës së këtij viti, duke theksuar se njerëzit dhe mirëqenia e tyre duhet të jenë dhe të mbeten në fokus të punës së Organizatës. Më tej ai theksoi se njerëzit janë të parët që e ndjejnë dhimbjen e trazirave të sotme gjeopolitike dhe më së shumti evuajnë ata që janë të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj luftës dhe konfliktit. Të tjerët, nga ana tjetër, tha Osmani, e ndjejnë pasigurinë. Ai theksoi se njerëzit e zakonshëm janë ngopur me politikat e pushtetit dhe kërkojnë kthimin e paqes.
“Njerëzit e zakonshëm janë të ngopur me politikat e pushtetit. Ata ndihen të lodhur nga pasiguria e përditshme dhe mendojnë se çfarë do të sjellë e nesërmja. Ata duhet të çlirohen nga frika e luftës dhe t'u kthehet paqja. Fokusi ynë këtu në Hofburg duhet të jetë tek njerëzit. Ata duhet të jenë në qendër të vëmendjes dhe mendimeve tona. Dua ta bëj të qartë: ne punojmë për ta. Ndaj motoja dhe forca lëvizëse e kryesimit është: “Fjala është për njerëzit”. Ekziston, do të thosha, një lidhje organike midis saj dhe misionit të përgjithshëm të OSBE-së. OSBE-ja është krijuar për këtë arsye, qëllimi i saj kryesor është të parandalojë vuajtjet njerëzore”, tha Osmani.
Kryesuesi, Osmani në fjalën e tij të mëtejshme tha se Organizata duhet të vazhdojë të punojë në mënyrë aktive në zgjidhjen dhe parandalimin e konflikteve, rivendosjen e besimit, luftimin e korrupsionit, sigurimin e qeverisjes së mirë, promovimin e të drejtave të njeriut, si dhe të jetë aktive në të gjitha fushat në të cilat vepron dhe të ketë rezultate të vërtetuara. Osmani theksoi se fokusi do të jetë në misionet në terren dhe operacionet e OSBE-së që sjellin përfitime konkrete për njerëzit.
"Do të punojmë shumë për të promovuar dhe mbështetur punën e operacioneve në terren të OSBE-së, si dhe për të integruar historitë e tyre të shumta të suksesit - histori të përfitimeve reale, konkrete që u sjellin njerëzve çdo ditë. Na duhet t'i shndërrojmë fjalët në vepra, për të treguar vullnet politik dhe të jemi përgjegjës për veprimet tona. Njerëzit nga i gjithë rajoni i OSBE-së presin dhe meritojnë politika të përgjegjshme”, tha kryetari Osmani.
Në fund të fjalës së tij, Osmani përkujtoi se OSBE-ja ofron një platformë për dialog, e cila duhet të bazohet në integritet. Që kjo të ndodhë, tha ai, ne duhet t'i përkushtohemi vlerave tona si organizatë.
Kryesuesi aktual i OSBE-së, Osmani, në fund i shprehu mirënjohje Polonisë, e cila kryesoi Organizatën vitin e kaluar, Sekretares së Përgjithshme Helga Schmid, për udhëheqjen e saj të guximshme në kohë krize, dhe posaçërisht theksoi mirënjohjen e tij për të gjitha gratë dhe burrat në njësitë e ndryshme të Sekretariatit, operacionet në terren dhe institucionet autonome, punën e të cilave ai e cilësoi si të çmuar dhe të pazëvendësueshme.