Besimi: Vitin 2022 e përfunduam me borxh publik në nivel prej 57.1%, ulje prej 3.9 pikë përqindje

Borxhi publik prej 57.1%, që është për 3.9 pikë përqindje më i ulët se niveli i vitit 2021, deficiti buxhetor më i ulët për 1 pikë përqindje se plani i vitit 2022 dhe për 8.7% më i ulët se viti 2021. Këto janë fakte që u arritën në mënyrë të pakontestueshme me politikat që zbatojmë dhe më e rëndësishmja është që ato u arritën në kushte krize. Kjo u theksua nga ministri i Financave, Fatmir Besimi, në Konferencën “Viti i mundësive të reja”, duke folur me temën “Politikat fiskale, monetare dhe tatimore në kohë krize”.

“Menaxhimi i financave publike është sfidë e veçantë në mjedisin turbulent ekonomik. Politika fiskale ekspansive që u zhvillua gjatë pandemisë, përmes përkrahjes së targetuar për ruajtjen e likuiditetit të kompanive, ruajtjen e vendeve të punës dhe ndihmën sociale për të papunësuarit dhe kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve, rezultoi me rritje të deficitit buxhetor në 8.1% të PBB-së në vitin 2020, duke kontribuar në rritje të theksuar të borxhit publik në 59.7% të PBB-së, duke arritur borxh publik rekord prej 61% në vitin 2021, me ç’rast me angazhimin e vazhdueshëm për konsolidimin fiskal mund të mburremi se duke përfshirë datën 31.12.2022 është ulur në nivel prej 57.1% të BPV-së”, tha ministri Besimi.

Ministri thekson se është e rëndësishme që niveli i borxhit publik është ulur në kushtet e krizës dhe se është nën kriterin e Mastrihtit (60%).

“Gjithashtu mund të themi se deficiti buxhetor lëviz në kuadër të kritereve të Mastrihtit (3% e PBB-së). Nëse merret parasysh se nga deficiti i realizuar prej 4.3%, rreth 2% është për përballimin e krizës, ne arritëm deficit që është në kuadër të rregullave evropiane”, theksoi Besimi dhe shtoi se trendi i uljes së deficitit vazhdon që nga fillimi i këtij viti dhe shifrat tregojnë se është për 35% më i ulët se deficiti i realizuar në periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Ministri vlerësoi se ky ishte një vit vërtet specifik në të cilin duhej të ndërmerreshin politika për të siguruar të hyra publike stabile, efikase dhe të qëndrueshme, me ç’rast këto politika u konfirmuan edhe nga institucionet ndërkombëtare.

FMN-ja, në bazë të politikave të qëndrueshme ekonomike dhe bazës solide, aprovoi qasjen e vendit në mjetet nga Instrumenti i Përkujdesjes dhe Likuiditetit, investitorët gjithashtu identifikuan politikat gjatë vitit 2022 dhe siguruan mjete për deficitin buxhetor dhe pagesën e detyrimeve të vjetra në kushte më të favorshme dhe me çmime më të ulëta, ndërsa konfirmimi i fundit i politikave është edhe nga Agjencia "Standard and Purs".

“Do të vazhdojmë me përpjekjet për konsolidim fiskal dhe nuk do të devijojmë nga reformat. Miratuam Ligjin e Buxheteve, vendosëm rregulla fiskale. Kemi nisur reformën për të krijuar sistem bashkëkohor tatimor modern, i cili do të nënkuptojë drejtësi, efikasitet, transparencë dhe do të bazohet në teknologjitë dhe inovacionet moderne dixhitale dhe të gjitha këto në funksion të arritjes së rritjes ekonomike të përshpejtuar, inkluzive dhe të qëndrueshme.

Reforma tatimore që kemi vendosur si koncept nuk nënkupton rritje të tatimeve, por është në drejtim të zgjerimit të bazës tatimore dhe revidimit të lirimeve tatimore, të cilat krijojnë një trajtim të pabarabartë për obliguesit tatimorë”, theksoi ministri Besimi.

Në këtë panel pjesëmarrës janë edhe guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska Bezhoska, drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Sanja Llukarevska, akademiku Abdulmenaf Bexheti dhe  këshilltari i kryeministrit, Gligor Bishev.

Guvernatorja Angellovska Bezhoska gjithashtu foli edhe për rolin e koordinimit të politikave makroekonomike në ruajtjen e stabilitetit të ekonomisë, veçanërisht në kushte të krizës.

“Gjatë pandemisë, politika monetare siguroi përkrahje për politikën fiskale. Tashmë, për ta përballuar inflacionin dhe për ta ruajtur stabilitetin e tregut devizor, politika monetare ka nevojë për përkrahje të politikës fiskale.

Prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që të vazhdohet me politikë monetare dhe fiskale prudente, të bazuar në masa të targetuara mirë dhe të kufizuara në kohë, që synojnë sektorët më të ndjeshëm për zbutje afatshkurtër të efekteve, por më e rëndësishmja edhe në investimet kapitale, që do të rrisin potencialin afatgjatë të rritjes dhe së bashku me reformat strukturore do ta përkrahim transformimin e ekonomisë”, tha Angellovska Bezhoska.

Drejtoresha Llukarevska theksoi se është detyrë e DAP-it që ta vendosë dixhitalizimin e plotë të proceseve dhe modernizimin e shërbimeve për obliguesit tatimorë, t’I reduktojë procedurat burokratike, ndërkohë ta rrisë efektivitetin dhe efikasitetin e procedurave. "Me këtë, do ta ngushtojmë fushëveprimin e ekonomisë joformale, ndërsa për bizneset formale do të sigurojmë treg dhe konkurrencë të drejtë.
Fatura elektronike, është proces që këtë vit po e përgatisim që do të mundësojë lëshimin, dorëzimin dhe pranimin e faturës në formë elektronike, përmes sistemit të vetëm të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, ku do të evidentohen të gjitha faturat që rezultojnë nga qarkullimi ndërmjet obligueseve tatimorë, institucioneve qeveritare, pranuesit finalë të të mirave dhe shërbimeve si dhe shitoreve online.
Me e-faturën do të parandalohet tatimi i padeklaruar gjatë transaksioneve në e-tregti, do të rritet efikasiteti i kontrollit dhe luftimi i mashtrimeve me TVSH-në (faturat fiktive), ndërsa kontrollet duhet t’i orientojmë drejt obliguesve me rrezik të lartë”, tha Llukareska.

Akademiku Bexheti tha se reformat tatimore janë të domosdoshme në përputhje me Strategjinë e miratuar më herët se para një viti.

“Duke u bazuar në gjendjet e sistemit ekzistues tatimor në RMV, se ai është shumë regresiv; se baza tatimore është me lehtësime dhe lirime të theksuara të kushtëzuara; se nuk është mjaftueshëm konvergjent me sistemet tatimore të vendeve anëtare të BE-së; se nuk ka zgjidhje fleksibile për tatimimin e fitimeve në rritje si rezultat i krizës; se tatimohen dukshëm të ardhurat e pagës në raport me të ardhurat kapitale dhe të ardhurat mbi fitimin; se nuk ka zgjidhje përkatëse tatimore ekologjike; se ende niveli i dixhitalizimit të tatimeve nuk korrespondon me sfidat e kohës; se prokurimet online nuk janë në kontroll në mënyrë efektive dhe si të tilla, ende gjenerojnë një shkallë të lartë të ekonomisë joformale; rezulton se reformat tatimore sipas Konceptimit dhe Strategjisë së re, që janë miratuar më herët se para një viti, janë të pashmangshme. Historia fiskale prej para një shekulli e deri më sot, duke përfshirë edhe krizën e fundit inflacioniste dhe energjetike, na dëshmon se pikërisht krizat e mëdha ekonomike janë edhe një arsye më shumë për përshpejtimin e reformave dhe jo e kundërta”, theksoi Bexheti.
 
Në këtë panel, Bishev, theksoi se politika monetare do të vijojë të jetë instrumenti primar për uljen dhe kontrollin e inflacionit, përmes normave më të larta të interesit dhe ngadalësimit të rritjes së kredive. “Politika fiskale, sipas tij, do ta përkrahë uljen e inflacionit përmes rënies së deficitit buxhetor. Njëkohësisht, përmes alokimit të mjeteve të rëndësishme për investime në infrastrukturë, ajo do ta përkrahë rritjen dhe konkurrencën në ekonomi. Do të jetë një miks optimal, që do t’i arrijë pikësynimet lidhur me stabilitetin e çmimeve dhe rritjen pozitive ekonomike”.