Kovaçevski nga Këshilli për Stabilizim dhe Asociim në Shkup: Një ngjarje me dimension historik, pas bisedimeve të hapura, para nesh është mundësia e anëtarësimit në BE deri në vitin 2030

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut mbajti fjalim në fillim të Takimit të gjashtëmbëdhjetë të Këshillit për Stabilizim dhe Asociim ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, i cili filloi dhe mbahet sot në Shkup.

“Pas sfidave të shumta në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Republika e Maqedonisë së Veriut, vitin e kaluar, me guxim politik, më në fund bëri një hap historik dhe filloi bisedimet për anëtarësim, të cilat shënojnë fillimin e një faze të re cilësore në marrëdhëniet me BE-në.

Dhe e nënshkruam Marrëveshjen e parë zyrtare me FRONTEKS-in, në gjuhën maqedonase bashkë me 24 gjuhët e tjera zyrtare në BE, si marrëveshje e parë e tillë zyrtare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, e cila është një konfirmim i qartë i mbrojtjes së identitetit.

Ky takim i Këshillit ka dimension historik, sepse pas 22 vitesh nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim dhe 17 vite pas marrjes së statusit kandidat, po e mbajmë me fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, si anëtare e NATO-s.

Qeveria që unë udhëheq në periudhën e ardhshme do të bëjë të gjitha përpjekjet që në kohë të përfundojë faza e hapjes së bisedimeve aderuese dhe të mundësohet dinamizmi i bisedimeve”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Duke pasur parasysh kryesimin me rotacion të Këshillit për Stabilizim Asociimit, takimin e sivjetshëm e kryesojnë Republika e Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ndërsa bashkëkryesues nga ana e Unionit Evropian është përfaqësuesi i lartë i BE-së për punët e jashtme dhe politikën e sigurisë dhe nënkryetar i Komisionit Evropian, Zhozep Borel.

Në delegacionin e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, si dhe Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheji, si dhe përfaqësues të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe institucioneve evropiane.

Kryetari i Qeverisë, Kovaçevski, tha se Qeveria po punon me fokus të fuqishëm në zbatimin e reformave të nevojshme, veçanërisht në fushën e sundimit të së drejtës dhe se angazhimi për avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore nga zhvillimi i një dialogu të bazuar në respektin reciprok, në frymën e vlerave evropiane, vazhdon.

 
“Me përkushtim të plotë të agjendës së reformave dhe dinamizimin e procesit të bisedimeve, Qeveria i ka vendosur vetes një qëllim ambicioz – që Maqedonia e Veriut të jetë plotësisht e përgatitur për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2030, në mënyrë që të mund të bëhet anëtare e BE-së deri në fillimin e periudhës së ardhshme buxhetore të Bashkimit Evropian”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se pushtimi brutal rus i Ukrainës ka ndryshuar thellësisht realitetin gjeopolitik dhe vendi ynë iu bashkua menjëherë dhe pa mëdyshje dënimit unanim të Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë, për agresionin e pajustifikuar dhe të paprovokuar ndaj një vendi sovran dhe sipas të sigurojë ndihmë humanitare, ushtarake dhe diplomatike.

“Republika e Maqedonisë së Veriut iu bashkua të gjitha masave kufizuese që BE-ja i vendosi ndaj Federatës Ruse, përfshirë ato të miratuara në vitin 2014, si rezultat i aneksimit të Krimesë, me të cilën bëmë 100 për qind harmonizim me qëndrimet e BE-së në fushën e përbashkët të politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Me këtë hap e rikonfirmuam përkushtimin tonë për ndarjen e vlerave dhe parimeve evropiane, mbi të cilat bazohet politika e jashtme e Bashkimit Evropian, duke konfirmuar partneritetin me BE-në dhe orientimin strategjik evropian”, tha Kryeministri Kovacevski në fjalimin e tij.

Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim (MSA), e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2004, paraqet kornizë për zbatimin e marrëdhënieve kontraktuale, deri në anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Po vazhdon mbledhja e Këshillit për Stabilizim dhe Asociim, e cila mbahet këtë vit në Shkup, në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku mund të dëgjoni mbështetjen e qartë të miqve tanë nga Bashkimi Evropian për hapin e ardhshëm të vendin tonë në integrimin evropian.

Në takim po diskutohen çështje me rëndësi për Procesin e Stabilizimit dhe Asociimit, siç është harmonizimi me legjislacionin evropian, marrëdhëniet dypalëshe në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim, si dhe për çështjet aktuale të kontekstit politik në rajon dhe në Evropë.