Kovaçevski priti Borelin dhe Lajçakun në Ohër: Maqedonia e Veriut është faktor stabiliteti, vendi i shteteve të Ballkanit Perëndimor është në BE

Kryeministri Dimitar Kovaçevski i cili është nikoqir i takimit të nivelit të lartë të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në Ohër ka pritur Përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri dhe nënkryetar të Komisionit Evropian, Josep Borel dhe të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Beograd – Prishtinë dhe Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak.

Në takimin e Kovaçevskit me Borelin dhe Lajçakun është theksuar përkushtimi i ndërsjellë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura përmes dialogut për çka Maqedonia e Veriut është shembull i shkëlqyer.Të gjitha hapat e deritanishme dhe çështjet e zgjidhura përmes dialogut të hapur kanë siguruar para së gjithash siguri dhe zhvillim të vazhdueshëm dhe Maqedonia e Veriut nga një shtet i kapur dhe i izoluar sot është faktor stabiliteti në rajon me marrëdhënie të mira fqinjësore, vend me kushte për përparim, të ardhme më të mirë dhe standard më të mirë jetese për qytetarët.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Zhozep Borel dhe përfaqësuesi special Lajçak, u pajtuan që vendi i Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian veçanërisht në kushte të trazirave gjeopolitike, ndarjes së thellë në botë dhe agresionit ushtarak në kontinentin evropian.Në këtë kontekst ata shprehën kënaqësinë për zgjidhjen e çështjeve të hapura përmes dialogut midis Serbisë dhe Kosovës në emër të një të ardhme më të mirë për gjithë Ballkanin Perëndimor, ku konfliktet dhe mosmarrëveshjet duhet t’i takojnë të kaluarës.