Vendet e Ballkanit të Hapur promovuan bashkërisht panairin më të madh rajonal të verës “Vizionin e Verës të Ballkanit të Hapur”. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, në prani të përfaqësuesve të Qeverive të Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë, shtete anëtare të Ballkanit të Hapur, në Shkup, mbajti fjalim në promovimin e panairit më të madh rajonal të verës dhe tregimit të suksesshëm të verës "Vizionin e verës së Ballkanit të Hapur”.
Vitin e kaluar, në kuadër të Ballkanit të Hapur, vera u promovua si produkti më i rëndësishëm i rajonit, gjë që u konfirmua në panairin e parë të verës "Vizionin e verës së Ballkanit të Hapur”, i cili pati edicionin e tij të parë vitin e kaluar në Beograd dhe shkaktoi vëmendje të madhe mediatike. Për të përforcuar potencialin e këtij panairi të përbashkët të verës, në periudhën deri në edicionin e dytë të tij këtë vjeshtë, vendet anëtare organizojnë promovime të panairit në tërë rajonin.
Kryeministri Kovaçevski theksoi se vendet e Ballkanit të Hapur janë bashkë, ato kanë qenë gjithmonë bashkë dhe do të jenë bashkë në këto hapësira, megjithatë ndryshimi është se nuk kanë bashkëpunuar kurrë në të kaluarën dhe se bashkëpunimi shihet pikërisht përmes ngjarjeve dhe përmes aktiviteteve të tilla si panairi i verës, "Vizionin e verës së Ballkanit të Hapur”, i cili po rritet në një nga tre panairet më të mëdha të verës në botë.
“Rezultati i Ballkanit të Hapur, tashmë shihet në numra. Shkëmbimi dhe tregtia mes tre vendeve është rritur me 25 për qind. Shkëmbimi me Serbinë ka kaluar 1.1 miliardë euro, që është niveli më i larti në 17 vitet e fundit. Vetëm vitin e kaluar shkëmbimi me Shqipërinë është rritur për 40 për qind, me Serbinë është rritur për 50 për qind. Kemi vendosur korsi të gjelbra për transportuesit që të tre shtetet tona të mos presin në kufij. Ne po prezantojmë sisteme elektronike të identifikimit që do t'i lejojnë punëtorët të lëvizin lirshëm mes tre shteteve tona. Dhe ne praktikisht i zbatojmë tre liritë e BE-së, këtu në vendin tonë, në Ballkan ashtu siç i takon. Do të përsëris edhe një herë atë që thashë në Itali dhe atë që thashë më parë se vendet tona janë vende vëllazërore. Qytetarët tanë meritojnë të komunikojnë lirisht me njëri-tjetrin. Qytetarët tanë të tre vendeve nuk kanë nevojë për kufij siç nuk u duhen kufij vendeve të BE-së, prandaj unë gjithmonë do të jem i përkushtuar për rritjen e bashkëpunimit, rritjen e komunikimit, tregtinë, rritjen e investimeve në të tria vendet, sepse kjo është ajo që meritojnë qytetarët tanë”, tha Kovaçevski.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Ljupço Nikollovski, ju uroi mirëseardhje delegacioneve nga Serbia dhe Shqipëria.
“Vizioni që kemi pasur disa vite më parë, se si duhet të funksionojë Ballkani, është sot tregim i ynë i suksesit. Rajoni është i bashkuar, me kufij të hapur me bashkëpunim të shtuar ekonomik dhe shumë më tepër përfitime për qytetarët e të tre vendeve anëtare të Ballkanit të Hapur. Nëse nisemi nga thënia e famshme që “E vërteta është te vera”, kjo është e vërteta jonë, një Ballkan i bashkuar, i bukur, i hapur dhe mikpritës. Të gjithë janë të mirëseardhur. Le ta festojmë jetën së bashku nën këtë diell. Le të shijojmë verërat dhe ushqimet më të mira me një shije unike ballkanike, për të cilat jemi të njohur në botë. Të ruajmë traditën tonë dhe të gjitha pasuritë të cilat na i ka falur me bujari natyra. Ne jemi një gjeneratë e politikanëve që marrin vendime të guximshme. Pas kësaj do të kujtohemi si një gjeneratë që hapi kufijtë dhe krijoi të ardhme për tërë rajonin”, theksoi ministri Nikollovski.
Në ngjarje fjalime mbajtën edhe ministrja e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të Serbisë, Jelena Tanaskoviq, si dhe zëvendësministri i Bujqësisë së Shqipërisë, Arian Jauplari, të cilët dhanë mbështetje të fuqishme për promovimin e "Vizionin e verës së Ballkanit të Hapur”.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të korit diplomatik, odave ekonomike të tri vendeve, përfaqësues të institucioneve, komunitetit të biznesit dhe partnerëve socio-ekonomikë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të Republikës së Maqedonisë së Veriut.