“Unë personalisht, si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe si parti politike nga e cila vij, e përshëndes dhe e mbështes aksionin e kryer nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike. Bëhet fjalë për akuza që janë të shëmtuara dhe që nuk duhet të ndodhin dhe për të cilat kemi dëgjuar për 20 vitet e fundit. Është hera e parë që po zbatohet një aksion kaq i gjerë për identifikimin e autorëve të mundshëm të akteve të tilla. Çdo krim ka emër dhe mbiemër, ka përgjegjësi dhe detyra e MPB-së dhe Prokurorisë Publike është që të sigurojnë prova në bazë të të cilave do të identifikohen autorët dhe po e përsëris se nga ana e Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nga ana e Qeverisë nuk do të ketë ndërhyrje në mbrojtje të askujt, sepse këto janë vërtet akuza të tmerrshme që janë lëndë hetimi nga MPB-ja dhe Prokuroria Publike”, tha Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, lidhur me veprimin e institucioneve kompetente të Klinikës për Onkologji, pas informacioneve të publikuara në opinion për keqpërdorime të mundshme të Klinikës.
Kryeministri bëri thirrje që të mos bëhet sensacionalizëm dhe sulm ndaj të gjithë mjekëve dhe infermierëve në vend sepse shumica e personelit mjekësor në vendin tonë, siç vlerësoi Kryeministri Kovaçevski, janë njerëz të jashtëzakonshëm, personel që kujdeset për shëndetin e popullatës sonë.
“Shoh në media, veçanërisht në rrjetet sociale, që duan të krijojnë një imazh të përfshirjes vetëm të disa personave, në varësi të përkatësisë së tyre. Ajo që mund të them është se ky lloj krimi është shumëpartiak, multietnik dhe multikulturor, prandaj i bëj thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë që ta kryejnë punën pa pengesë, të identifikojnë autorët e mundshëm bazuar në dëshmi dhe prandaj ata kanë mbështetjen tonë të plotë”, theksoi Kryeministri Kovaçevski.