Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot në Talin, është takuar me kryeministren e Estonisë, Kaja Kalas, ku morën pjesë edhe ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Azir Aliu.
Ky takim, është pjesë e agjendës së kryeministrit Kovaçevski në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin Digjital të Talinit 2023, i cili ishte edhe ndër temat e bisedës në takimin dypalësh.
Në takim u bisedua për marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Estonisë, të cilat si vende aleate në Aleancë po thellohen përmes dialogut të vazhdueshëm politik. Kryeministri Kovaçevski u falënderua për mbështetjen e Estonisë për rrugën e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, si dhe për mbështetjen e drejtpërdrejtë në fushën e sigurisë kibernetike dhe digjitalizimit.
Kryeministri Kovaçevski e njoftoi kryeministren Kalas me statusin e integrimit tonë evropian dhe hapat e ardhshëm që duhet të ndërmarrë vendi në këtë rrugë. U konstatua reciprokisht rëndësia e përshpejtimit të procesit të sjelljes së Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera nga rajoni në BE, në dritën e realitetit të ri gjeopolitik të shkaktuar nga agresioni ushtarak i Federatës Ruse ndaj Ukrainës. Si një fqinj i afërt i Rusisë, sot më shumë se kurrë, Estonia thekson dhe kupton rëndësinë dhe forcën e marrëdhënieve transatlantike dhe solidaritetit evropian dhe uron që Maqedonia e Veriut të jetë në të njëjtën tryezë evropiane së bashku me Estoninë dhe vendet e tjera anëtare të BE-së sa më shpejt që të jetë e mundur. Në këtë drejtim, Kalas theksoi se Estonia do të vazhdojë me mbështetjen e madhe dhe të fuqishme për përshpejtimin e rrugës së Maqedonisë drejt BE-së dhe në mënyrë aktive do të punojë me vendet e tjera anëtare të BE-së që mbështesin zgjerimin.
Kryeministrja Kalas gjithashtu e përshëndeti edhe qëndrimin e përgjegjshëm të Maqedonisë së Veriut ndaj Ukrainës dhe u falënderua për mbështetjen që vendi e ka dhënë deri më tani.Bashkimi me vendimet e BE-së dhe koordinimi i plotë për sa i përket sanksioneve dhe masave kufizuese flasin për orientimin e vendit dhe drejtimin që Estonia e mbështet fuqishëm.
Në takim u diskutua edhe për kryesimin e Maqedonisë së Veriut me OSBE-në. Kryetari i Qeverisë, Kovaçevski u falënderua për mbështetjen estoneze të prioriteteve dhe përpjekjet e bëra për koordinimin në kuadër të kryesimit me OSBE-në