„Po, është e vërtetë që drejtori është emëruar nga qeveria e kaluar, nuk ngutemi në këto ndryshime të kuadrove që të mos kritikohemi nga oponioni se po partizojmë etj. Ecim me shumë kujdes, duam t’i respektojmë të gjitha ligjet që të mos kemi padi dhe mijëra, do të thosha miliona euro nga paratë e popullit të derdhen në xhepat privatë, prandaj po ecim me kujdes në këtë proces, por mendoj se së shpejti, sot, edhe ajo punë do të përfundojë, do të vijë një udhëheqje e re në Ispektoratin Shtetëror të Tregut. Pres që të respektohet ajo që është marrë vesh”, tha Kryetari i Qeverisë, Mickoski, në pyetjen e sotme gazetareske për shkarkimin e drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut.
Për sa i përket pritshmërive për masën për shportën e vjeshtës, ai shtoi se: “Ajo që ishte masë duhet të fillojë sot, pres një ulje prej të paktën dhjetë për qind. Kjo masë do të zgjasë deri në fund të tetorit. Shtatëdhjetë produkte janë praktikisht produkte të cilat janë si rezultat i këtij ligji me çmime të zbritura. Në periudhën në vijim do të vazhdojmë ta përditësojmë këtë listë në varësi të nevojave të qytetarëve. Ju kujtoj se produktet nuk janë rezultat i një mase spekulative, por janë rezultat i një analize dhe sondazhi në terren të kryer me qytetarët se cilat produkte janë më të përdorura në këtë periudhë të vitit. Kështu do jetë ndoshta para festave të Vitit të Ri, kështu do jetë në pranverë dhe kështu do funksionojmë gjatë gjithë kohës. Qëllimi ynë është të lehtësojmë jetën e qytetarëve dhe të ulim çmimin e produkteve”.
Lidhur me informacionet se disa nga marketet i kanë ngritur çmimet disa ditë para miratimit të kësaj shporte vjeshtore, deklaroi se kushdo që është sjellë në mënyrë jomorale dhe joetike do të sanksionohet.
“Absolutisht, kushdo që sillet në mënyrë spekulative, jomorale dhe joetike do të sanksionohet”, është i vendosur Mickoski.