SIGMA do të trajnojë funksionarët për përmirësimin e menaxhimit me institucionet

Iniciativa e përbashkët e Bashkimit Evropian (BE) dhe Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), e njohur si SIGMA, do të fillojë me realizimin e trajnimeve për drejtuesit e lartë të institucioneve shtetërore, me qëllim përmirësimin e menaxhimit dhe efikasitetit në sektorin publik. Kjo u ra dakord në takimin e djeshëm ndërmjet zëvendëskryeministrit të Qeverisë, përgjegjës për politikat e qeverisjes së mirë, Arben Fetai, Bagrat Tunjian, këshilltar i lartë pranë OECD dhe Gregor Virant, drejtor i programit SIGMA.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e SIGMA paraqitën gjetjet е Raportit të Misionit të Monitorimit për Parimet e Administratës Publike 2024, sipas të cilit Maqedonia e Veriut ka rezultate jo të mira në menaxhimin e shërbimit civil dhe burimeve njerëzore në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Raporti, i cili do të publikohet deri në fund të vitit, do të prezantohet para ministrave, sekretarëve shtetërorë dhe do të jetë në dispozicion për publikun.

Zëvendëskryeministri Fetai vlerësoi gjetjet e raportit si objektive dhe të dobishme, duke theksuar se ato do të shërbejnë si rekomandime të vlefshme për punën e kabinetit të tij. Ai i informoi përfaqësuesit e SIGMA për aktivitetet për realizimin e prioriteteve kryesore të Qeverisë, siç janë lufta kundër korrupsionit, rritja e transparencës së institucioneve dhe rivendosja e bashkëpunimit me shoqërinë civile.

Të dyja palët ranë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin dhe në reformën e administratës publike, me një fokus të veçantë në përmirësimin e legjislacionit. Qëllimi është që administrata publike të bëhet më e hapur, më efikase dhe më përgjegjëse, duke ofruar shërbime më të mira për qytetarët.