Ministri i Politikës Sociale, i Demografisë dhe i të Rinjve, Fatmir Limani, sot mori pjesë në një ngjarje të organizuar nga Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë, ku u diskutua për rëndësinë e zbatimit të Dialogut Rinor të BE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Duke iu drejtuar të rinjve të pranishëm, ministri Limani theksoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në të gjitha sferat e jetës shoqërore.
“Sa më shumë të jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në të gjitha sferat e jetës shoqërore, aq më të suksesshme do të jenë proceset tona në vend. Dhe, në vend të problemeve, do të flasim për suksese. Do të flasim për progresin në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, mbrojtje sociale dhe të fëmijëve, punësim dhe suksese në kulturë dhe sport etj. Prandaj, mbase dhe për shumë arsye të tjera, ne kemi nevojë për të rinj. Kemi nevojë për Ju!”, theksoi Limani.
Ai iu referua periudhës së kaluar, angazhimeve të tij personale, si dhe angazhimeve të ministrisë për të mbështetur të gjitha proceset ku kërkohet përfshirja e të rinjve.
Duke iu referuar temës së sotme për rëndësinë dhe nevojën e zbatimit të Dialogut Rinor të BE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ai vuri në dukje Ligjin për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore, i cili është zgjidhja e parë legjislative që rregullon format e organizimit të të rinjve dhe pjesëmarrjes në proceset e hartimit të politikave. Por, megjithëse ligji nuk e përmend në mënyrë eksplicite Dialogun Rinor të BE-së, ai ofron udhëzime për inkurajimin e dialogut të strukturuar në nivel kombëtar dhe lokal.
“Vlerësoj se zbatimi i dialogut rinor të BE-së në vendin tonë do të përfaqësonte një rikthim të besimit të të rinjve tek institucionet, të ndërgjegjësimit për rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në nivel nacional dhe lokal, duke u kthyer shpresën të rinjve se ata janë bartës të ndryshimit, se zëri i tyre dëgjohet dhe se u është dhënë shansi që në mënyrë aktive të marrin pjesë në ndërtimin e vendit të tyre”, nënvizoi Limani.
Ai bëri thirrje për veprim të përbashkët në krijimin e një partneriteti të fortë ndërmjet institucioneve, sektorit civil, Këshillit Nacional Rinor të Maqedonisë, si organi më i madh përfaqësues i rinisë, dhe të gjithë të rinjve.
“Ju jeni forca për ndryshime pozitive në shoqëri. Ju keni potencialin për të formësuar të ardhmen e shoqërisë dhe Ju jeni të paracaktuar të jeni liderë të së tashmes dhe në të ardhmen që do të punojnë për mirëqenien e të gjithëve në vend”, e përmbylli fjalimin e tij para të rinjve ministri Limani.