Kovaçevski në Forumin Delfi: Ballkani i zhvilluar ekonomikisht i integruar në BE është prioritet kryesor

Kryetari i Qeverisë së Republikë[s së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski mbajti fjalim në Forumin Ekonomik në Delfi, me theks në çështjet aktuale në mbarë botën, për krizën e shkaktuar nga agresioni ushtarak ndaj Ukrainës, për bashkëpunimin dypalësh mes vendit tonë dhe Greqisë, pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe anëtarësimit në NATO, për urgjencën e procesit të anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian, si dhe bashkëpunimin rajonal.

Redaktori i politikës së jashtme të gazetës greke “TA NEA”, Mihalis Mitsos, bisedën   me Kryeministrin Kovaçevski, e filloi me rëndësinë e zgjidhjes së çështjeve dypalëshe, të cilat zakonisht pas mbylljes së tyre i përkasin të shkuarës.

“Diskutimet për çështje të hapura përfundojnë vetëm kur ato do të zgjidhen. U deshën vendime të guximshme dhe në vitin 2018 u mor vendim i cili për Maqedoninë e Veriut solli anëtarësimin në NATO dhe rekomandimin e pakushtëzuar për negociata aderuese  në BE. Sot Greqia është partneri ynë i madh dhe bashkërisht kemi vendosur bazat për bashkëpunim të mirë në të ardhmen dhe zhvillim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, por edhe prosperitet në të gjithë rajonin”, tha Kovaçevski.

Nga Forumi Ekonomik Delfi në Athinë, Kryeministri Kovaçevski theksoi se Maqedonia e Veriut ruan marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe gjithmonë përpiqet që të gjitha çështjet e hapura t'i zgjidhë përmes dialogut dhe në një atmosferë e cila nuk do t'i thellojë dallimet, por përkundrazi, do t'i afrojë ato sa më shumë.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të fillojë negociatat për aderim në Bashkimin Evropian, sepse në të kundërtën shtyrja e procesit e inkurajon dhe e forcon interesin e palëve të treta në rajon.

“Ballkani Perëndimor ka qenë gjithmonë një zonë me interes për Rusinë dhe vendet e tjera dhe ne e shohim praninë e tyre në rajon, por ne kemi një qëllim të qartë, një mirëkuptim të qartë mes partive politike në koalicionin qeverisës në lidhje me përkatësinë tonë strategjike. Në të kaluarën, BE-ja nuk e përmbushi premtimin e saj, krijoi një boshllëk, kështu që tani kjo është një çështje që ka prioritet të zgjidhet sa më shpejt, fillimisht me marrëveshje të ndërsjellë me Bullgarinë dhe më pas me miratimin e kornizën negociuese nga BE-ja”, tha Kryeministri Kovaçevski në Forumin Delfi.

Lidhur me luftën në Ukrainë, Kovaçevski theksoi se ajo duhet të përfundojë menjëherë.

“Ne nuk jemi anëtare e BE-së, por i ndajmë të njëjtat vlera dhe harmonizojmë  politikën tonë me atë të BE-së.  Sanksionet nuk janë kundër popullit rus, por kundër regjimit rus, i cili duhet të kuptojë se lufta nuk mund t'i sjellë të mira askujt dhe se në fund të gjithë do të jenë në pozitë të humbjes, pasi që pasojat do të jenë njësoj të këqija për të gjithë“, tha Kovaçevski.

Në fund të fjalimit të tij në Forumin Delfi, Kryeministri Kovaçevski foli për bashkëpunimin rajonal dhe tha se Ballkani Perëndimor, si pjesë e pashmangshme e Evropës, të ardhmen e ka vetëm në bashkëpunimin për prosperitet, për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe për forcimin e besim.