Bytyqi: Secili njeri meriton një shtëpi të denjë, ndërtojmë dhe punojmë për një shoqëri solidare

Ndërtimi i banesave për familjet me të ardhura të ulëta është pjesë e misionit tonë për të mbrojtur të drejtën e çdo personi për të pasur një shtëpi të denjë, tha sot në Veles zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi, në eventin e Habitat Maqedoni ku u lëshua në përdorim objekti në lagjen Habitat në Veles, i ndërtuar në kuadër të programit tradicional për sigurimin e shtëpive për familjet me të ardhura të ulëta.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, Bytyqi tha se është krenar për faktin se me punën e tij modeste vullnetare ishte pjesë e ndërtimit të kësaj njësie banesore të ndërtuar me punën e palodhshme të 1.727 vullnetarëve ndërkombëtarë, nga vende të ndryshme me prejardhje të ndryshme etnike dhe fetare.

Kjo, nënvizoi zëvendëskryeministri, vetëm më forcon besimin dhe më bën më këmbëngulës në misionin tim për të ndërtuar një shoqëri të barabartë për të gjithë.

“Misioni i Habitat for Humanity, që është mbrojtja e të drejtës së secilit për të pasur një shtëpi të denjë, ndahet edhe nga Qeveria. Në 4 vitet e fundit janë ndërtuar dhe janë në fazën e ndërtimit gjithsej 864 njësi banimi, të cilat janë të destinuara për shtëpi për fëmijë pa prindër, personat që marrin asistencë minimale të garantuar, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet me aftësi të kufizuara, prindër të vetëm të fëmijëve të mitur, anëtarët e komunitetit rom me rrezik social dhe personat e prekur nga fatkeqësitë elementare. Për sivjet janë planifikuar 2,2 milionë euro për vazhdimin e ndërtimit të banesave sociale në Butel, Veles, Dibër, Pehçevë, Saraj dhe Koçan”, tha Bytyqi.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, deklaroi Bytyqi, po punon drejt krijimit të një shoqërie të drejtë dhe të barabartë, duke zvogëluar pabarazinë sociale.

“Detyra jonë si Qeveri është të ofrojmë kushte humane për njerëzit që përballen me vështirësi ekonomike, t'i përfshijmë ata në jetën shoqërore duke krijuar një sistem që do të garantojë mundësi të barabarta për të gjithë”, shtoi zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi.

Në fund, ai shprehu mirënjohjen e tij për Habitatin për punën në vendin tonë dhe për ftesën për të marrë pjesë në ndërtimin e këtyre godinave, si dhe falënderime të veçanta për të gjithë vullnetarët që me vizionin e një bote humane, solidare që garanton përmbushjen dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut përhapet përmes iniciativave dhe partneriteteve të tilla.