Bisedë telefonike Osmani- Al Saud

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot realizoi bisedë telefonike me Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Lartëmadhërinë e Tij Princin Faisal bin Farhan Al Saud.

Në fokus të bisedimeve ishin mundësitë për thellimin e marrëdhënieve bilaterale, duke iu referuar në mënyrë të veçantë bashkëpunimit ekonomik dhe lidhjeve tregtare. Njëherit, Osmani, falënderoi për evakuimin e fundit nga Sudani të katër shtetasve të Maqedonisë së Veriut, si shenjë solidariteti dhe konfirmimi të miqësisë ndërmjet dy vendeve.

Bashkëbiseduesit folën edhe për situatën në Lindjen e Afërt, me ç’rast Osmani përshëndeti përpjekjet e vazhdueshme të Arabisë Saudite në drejtim të gjetjes së zgjidhjes për situatën në Jemen.

Njëkohësisht, u shkëmbyen mendime edhe për bashkëpunimin mes dy vendeve në nivel multilateral, si dhe për çështje dhe situata aktuale të politikës së jashtme.

Në nëntor të vitit të kaluar, Osmani realizoi vizitën e tij të parë zyrtare në Arabinë Saudite, ku theksi u vendos në kushtet e volitshme që i ofron vendi për investitorët e huaj.