Kovaçevski: Kopshti më i vjetër për fëmijë në vend, “Orce Nikollov” po bëhet me një objekt të ri sipas standardeve më bashkëkohore për përkujdesjen dhe edukimin e fëmijëve

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, së bashku me ministren e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevskën, morën pjesë në hapjen e objektit të ri të kopshtit më të vjetër për fëmijë në vendin tonë, “Orce Nikollov”, në komunën e Karposhit në Shkup.

Objekti është ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore, me mbështetjen e Bankës Botërore dhe me të është rritur kapaciteti i kopshtit për t'u kujdesur për 100 fëmijë të tjerë.

Në vazhdim ua përcjellim fjalimin integral të Kryeministrit Kovaçevski.

“Sot jemi në kopshtin e parë të ndërtuar në vendin tonë dhe kjo me vendim të presidiumit të KAQKM-së, në mos gaboj, i hapur në vitin 1945, prej nga fillon kujdesi për fëmijët parashkollorë në vendin tonë.

Ky kopsht në muajin shkurt feston 78 vjetorin e ekzistencës së tij dhe sot po ndjekim hapjen e një objekti krejt të ri në të cilin do të kujdesen edhe 100 fëmijë të tjerë. Deri më tani në këtë kopsht janë përkujdesur 400 fëmijë, që do të thotë se kapaciteti i kujdestarisë rritet me ¼.

Ky kopsht dhe gjysmë milioni euro që janë investuar në këtë objekt të ri të bukur, të ndërtuar sipas standardeve më të fundit, është pjesë e projektit që po punohet nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Po investojmë 13 milionë në 16 objekte të reja në të gjithë vendin. Javën e kaluar keni pasur mundësinë të jeni pjesë e hapjes së një kopshti të ri në Probishtip, para kësaj kishim hapjen e një kopshti për fëmijë në Strumicë në Vollkovë, kopshte për fëmijë janë duke u hapur në të gjithë vendin.

Na presin ende projekte që do të hapen, megjithatë sot është pikërisht këtu, objekti i ri i kopshtit për fëmijë “Orce Nikollov”. Bëhet fjalë për një objekt të ndërtuar me të gjitha standardet për përkujdesjen e fëmijëve që nga mosha më e vogël në kopshte për fëmijë dhe grupe më të rritura me të gjitha kushtet e nevojshme dhe gjithçka që nënkupton edukimin e suksesshëm të fëmijëve parashkollorë dhe edukimin e tyre.

Kjo nënkupton edhe vende të reja pune në këtë kopsht të ri për fëmijë, që do të thotë punësim shtesë për bashkëqytetarët tanë që punojnë në këtë fushë.

Pagat në kujdestari dhe aktivitete edukative janë rritur për 15% sipas marrëveshjes me SASHK-un, tani sipas marrëveshjes kolektive të nënshkruar vijon rritje e re, si dhe përshtatje e pagave me pagën minimale.

Kjo do të thotë se ne nuk kujdesemi vetëm që fëmijët të jenë në ambiente të reja, por edhe të vlerësohet puna e atyre që kujdesen për të vegjlit tanë që janë edukatorët, edukatoret në këto kopshte për fëmijë.

Dëshiroj të falënderoj ministren, kolegët e saj në MPPS-së, dua të falënderoj deputetët Karposhit. Këtu është edhe deputetja Georgievska, e cila gjithmonë në Kuvend e thekson komunën e Karposhit si prioritet të tyre, duke qenë se vijnë nga këtu. Dhe sigurisht që dua të falënderoj kryetarin dhe administratën e Komunës së Karposhit që përgatitën të gjitha dokumentet sa më parë që ky projekt të fillojë dhe të përfundojë me sukses ndërtimi i tij.

Urime të gjithëve që do të jenë pjesë e stafit të punës këtu dhe të gjithë fëmijëve që do të akomodohen këtu”.