Formohet Këshilli për Koordinimin e Aktiviteteve të NATO-s: Një porosi për unitet të fuqishëm në sigurinë, edhe në Qeveri edhe me aleatët tanë

Në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot filloi seanca inauguruese e Këshillit për koordinimin e aktiviteteve lidhur me anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Aleancën e NATO-s. Ngjarja është në organizim të përbashkët me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Maqedoninë e Veriut, me mbështetjen e së cilës u realizua formimi i Këshillit në kuadër të projektit për mbështetjen e Drejtorisë për NATO-n në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Këshilli u miratua në mënyrë formale në një seancë qeveritare në janar të vitit 2024 si një mekanizëm zyrtar ndërqeveritar për koordinimin e çështjeve në drejtim të sigurisë nacionale dhe mbrojtjes në lidhje me NATO-n.

Seancën inauguruese e hapi dhe u drejtua i pari Kryeministri Talat Xhaferi. Në fjalën e tij ai theksoi: “Mbi të gjitha, ky Këshill sot e konfirmon përkushtimin tonë për sigurinë përmes unitetit dhe lidhjes tonë të fortë me aleatin dhe mbështetësin tonë – Mbretërinë e Bashkuar”.

Në kushte kur bota përballet me siguri të çrregulluar, me sfida ndaj vlerave dhe parimeve tona demokratike nga aktorë autoritarë, çdo përpjekje e përbashkët është një kontribut për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë, si dhe të përforcimit të pozicionit tonë si faktor stabiliteti në rajon. Pikërisht ky është efekti që pres të arrijë edhe ky Këshill. Megjithatë, ne nuk jemi vetëm një faktor stabiliteti në rajon. Ne kontribuojmë në mënyrë të barabartë dhe krah për krahu me aleatët tanë në NATO, aktualisht 31 a së shpejti 32, në ruajtjen e paqes së mbi një miliardë qytetarëve me të cilët i ndajmë përcaktimet e njëjta demokratike për paqe dhe stabilitet."

Fjalim mbajti edhe ambasadori britanik Metju Loson, i cili theksoi: “Këtë vit NATO feston 75 vjetorin e themelimit të organizatës. NATO është aleanca më e suksesshme e mbrojtjes në histori, në kuadër të së cilës më shumë se një miliardë njerëz jetojnë në një mjedis më të sigurt. Mbledhja e parë e Këshillit për koordinimin e aktiviteteve lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO sot është pjesë e mbështetjes britanike për vendin, si partneri ynë i fuqishëm në NATO.  Punojmë edhe me NATO partnerë të tjerë  për të trajnuar grupin e batalionit që të jetë gati për sistematizim deri në vitin 2026/27. Ne gjithashtu zbatojmë edhe trajnime të shkëlqyeshme për zbulime dhe stërvitje tjera në Krivollak. Ju mbështesim në ngritjen e kapaciteteve për bashkëpunim civil-ushtarak në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe jemi në pritje të zgjerimit të këtij bashkëpunimi edhe me ministritë tjera”.

Në ngjarje fjalim mbajti  edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, duke u përqendruar në këtë: “Gjatë viteve të fundit kemi arritur rezultate të rëndësishme dhe kemi dëshmuar veten si aleat të besueshëm dhe kredibil, të përkushtuar në promovimin e paqes dhe stabilitetit rajonal dhe ruajtjen e sigurisë kolektive. Megjithatë, ishte e nevojshme që Maqedonia e Veriut të themelonte një Këshill për koordinimin e aktiviteteve që dalin nga anëtarësimi në Aleancë. Për këtë arsye, Ministria e Punëve të Jashtme e inicoi  themelimin e këtij organi, i cili mundëson bashkëpunim dhe konsultim të sinkronizuar, efikas, por mbi të gjitha të integruar ndërinstitucional për të gjitha çështjet që dalin nga anëtarësimi në Aleancë. Është me rëndësi të përmendet se në procesin e zbatimit të kësaj iniciative, ne morëm mbështetje këshilluese nga Mbretëria e Bashkuar, si aleati ynë i rëndësishëm i NATO-s, në kuadër të projektit të mentorimit dhe ngritjes së kapaciteteve të Drejtorisë për çështjet e NATO-s dhe të sigurisë politike pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme.” 


Fjalimi i Kryeministrit Talat Xhaferi në seancën inauguruese për themelimin e Këshillit për Koordinimin e Aktiviteteve të Maqedonisë së Veriut në NATO
„ Mirdita të gjithve,

Të nderuar anëtarë të Këshillit për kordinimin  e aktiviteteve të NATO-s, 

I nderuar ambasador Lonson,
 
Të nderuar qytetarë që na ndiqni në këtë ngjarje solemne,

Mirë se erdhët në seancën e parë inaguruese të Këshillit,

Më lejoni që paraprakisht para se t”Ju jap fjalë të pranishmëve t”u drejtohem

I nderuar ambasador Lonson,

Të nderuar anëtar të këshillit,

Të nderuar të ftuar,

Të nderuar media dhe qytetarë që e ndiqni këtë seancë,

Që në fillim dua të shpreh kënaqësinë e madhe me rastin për të cilin jemi mbledhur sot këtu. Sot, e themelojmë Këshillin për Koordinimin e Aktiviteteve të Maqedonisë së Veriut në NATO, që është nevojë e drejtpërdrejtë nga anëtarësimi i yni në NATO.

Duke i pasur parasysh sfidat e sigurisë dhe stabilitetit me të cilat përballemi si pjesë e komunitetit Euro-Atlantik, formojmë një Këshill që e forcon rezistencën tonë dhe që do të ndihmojë në paraqitjen tonë të koordinuar si institucione, kur është në pyetje çështja e sigurisë në kuptimin më të gjerë dhe puna e NATO-s. 

Mbi të gjitha, ky Këshill sot e konfirmon përkushtimin tonë për sigurinë përmes unitetit dhe lidhjen tonë të fuqishme me Mbretërinë e Bashkuar, për çka sot pranë meje qëndron edhe ambasadori Loson, në emër të aleatit tonë të afërt dhe mbështetësit të vazhdueshëm të integrimit tonë Euroatlantik - Mbretëria e Bashkuar.

I nderuar ambasador, më lejoni me këtë rast të shpreh mirënjohje në emër të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, ndaj jush dhe ndaj bashkëpunëtorëve që punuan në mënyrë të palodhshme bashkë me ekipin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ekipin tim, për të bërë të mundur këtë moment. 

Formimi i Këshillit është një fragment i mbështetjes së përgjithshme që Maqedonia e Veriut e pranon nga Mbretëria e Bashkuar dhe me të cilën mundësohet integrimi jonë i përshpejtuar euroatlantik.Në fakt, këtë e bëjnë miqtë dhe aleatët e sinqertëpër njëri-tjetrin dhe më vjen mirë që dy shtetet tona kanë një fije kaq të vjetër, të gjatë dhe të ndërthurur të marrëdhënieve të ngushta dypalëshe.

Të nderuar të pranishëm,

Në kushtet kur bota po përballet me siguri të çrregulluar, me sfida ndaj vlerave dhe parimeve tona demokratike nga aktorë autoritarë, çdo përpjekje e përbashkët është një kontribut për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë, si edhe për forcimin e pozicionit tonë si faktor stabiliteti në rajon.  Pikërisht ky është  efekti që pres të arrijë edhe ky Këshill. Megjithatë, ne nuk jemi vetëm një faktor stabiliteti në rajon. Ne kontribuojmë në mënyrë të barabartë dhe krah për krah me aleatët tanë të tjerë të NATO-s, aktualisht 31 dhe së shpejti 32, në ruajtjen e paqes së mbi një miliardë qytetarëve me të cilët i ndajmë përcaktimet e njëjta demokratike për paqe dhe stabilitet. 31 gjegjësisht 32 shtete anëtare në pritje Suedia.

Si anëtare e Aleancës më të fuqishme ushtarako-politike të mbrojtjes në botë, punojmë për sigurinë e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe të qytetarëve të aleatëve të tjerë. Nëpërmjet implementimit të politikës së mbrojtjes dhe rezistimit, investojmë në planet gjithëpërfshirëse mbrojtëse të akorduara që nga fundi i Luftës së Ftohtë, të dizajnuara për t'iu përgjigjur dhe kundërshtuar në mënyrë adekuate dy kërcënimeve kryesore ndaj Aleancës: Rusisë dhe terrorizmit.

Aktorët autoritarë u përpoqën të përçajnë NATO-n, por në vend të kësaj fituan një Aleancë që u zgjerua dhe u përsos. NATO-ja kurrë nuk ka qenë më e bashkuar dhe më e fuqishme se sot. Anëtarët e NATO-s investojnë në mbrojtjen e vet si kurrë më parë.

Këtë vit e arritëm minimumin e parashikuar prej 2% të Prodhimin bruto vendor (PBV) për mbrojtjen tonë, për të cilën ramë dakord me aleatët tanë, prej të cilit rreth 30% janë dedikuar për pajisjen dhe modernizimin e ushtrisë sonë.

Vazhdojmë me mbështetjen tonë të fortë për Ukrainën, e cila aktualisht po lufton një betejë shumë më të madhe se ajo që e shohim në front. Ukraina tani më dy vite lufton për lirinë e saj, duke mbrojtur territorin e saj nga Rusia, e cila e çrregulloi paqen në Evropë. Kjo betejë na prek të gjithëve, dhe për këtë arsye, Maqedonia e Veriut do të qëndrojë pranë Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Në Samitin në Vilnus, e përcaktuamvizionine qartë për të ardhmen e Ukrainës, me një pako të fortë të mbështetjes politike dhe praktike, koordinimi nacional i së cilës do të jetë pikërisht detyra e këtij Këshilli.

Krahas investimeve dhe politikave që i drejtojmë, një nga karakteristikat kryesore që na bën unikë dhe na sjell në një pozicion veçanërisht të fortë është kapaciteti ynë për të ndërtuar partneritete dhe bashkëpunim. Kjo ndoshta buron nga natyra jonë si një vend multietnik dhe multikulturor, në të cilin bashkëjetesa e bazuar në respektin e ndërsjellë është një përditshmëri normale. Pikërisht kjo reflektohet edhe në marrëdhëniet që i ndërtojmë edhe në Ballkan, por edhe në suazat e Aleancës. Veprimi ynë është si një ind lidhës që ndërlidh demokratët dhe liderët progresivë në ndërtimin e një rajoni të ri i cili vazhdimisht ec përpara dhe drejt perëndimit.

Në fund, dua t'i kthehem një date të rëndësishme. Këtë vit ne shënojmë 75 vjetorin e themelimit të Aleancës së NATO-s dhe katër vjetorin e anëtarësimit tonë të plotfuqishëm. Më vjen mirë që këtë përvjetor, si Kryeministër, unë do i drejtoj aktivitetet me të cilat do të dërgojnë një mesazh të qartë për unitetin tonë të fuqishëm.

Edhe brenda Qeverisë, edhe brenda Aleancës.

Ju faleminderit për vëmendjen!“