Sot, në studion e hapur të televizionit të Maqedonisë, ku ishte i ftuar Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, ai u dërgoi një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejtë zinxhirëve të supermarketeve në vend. Duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske, ai theksoi se në takimin e zhvilluar në Qeveri me përfaqësuesit e zinxhirëve të supermarketeve u kishte bërë të ditur se e kanë tepruar me rritjen e çmimeve dhe se në periudhën e ardhshme do të ketë masa.
“Me përfaqësuesit e marketeve dhe tregtarët zhvilluam një bisedë të gjatë dhe do të thosha, të sinqertë, ndërsa në atë takim përcaktuam një qëllim. Pajtohem me ju se e kanë tepruar dhe pikërisht ky ishte edhe mesazhi im. Vlerësoj se dialogu ishte i sinqertë. Një takim të tillë duhet ta zhvillojmë edhe me prodhuesit dhe distributorët, e më pas duhet të organizojmë një takim të përbashkët, sepse edhe njëra edhe pala tjetër kanë argumentet e tyre.”
Kryetari i Qeverisë, Mickoski, theksoi se edhe pronarët e marketeve kanë argumentet e tyre se përse duhet t’i rrisin çmimet, ndërsa distributorët dhe prodhuesit gjithashtu kanë argumentet e tyre për rritjen e çmimeve. Megjithatë, në fund të takimit u pajtuan për një qëllim të përbashkët.
Dhe tani ja çfarë përcaktuam. Nëse, për shembull, nga muaji i parë deri në muajin e pestë çmimet e ushqimeve janë rritur 5,4%, ndërsa në vitin 2022, gjatë krizës, ato u rritën 21,5%, ne përcaktuam si qëllim që në muajin korrik rritja e çmimeve të ushqimeve të jetë nën 3%. Për arritjen e këtij qëllimi nevojiten kushte të caktuara. Këto kushte përfshijnë ndryshime në një ose dy ligje, të cilat duhet t’i harmonizojmë së bashku me distributorët dhe me prodhuesit dhe mendoj se do të gjejmë një bazë të përbashkët. Por ky duhet të jetë qëllimi ynë i përbashkët, rritja vjetore e çmimeve të ushqimeve të mos jetë mbi 3%. Për këtë ekzistonte konsensus i përgjithshëm dhe një rezultat prej 2,9% do ta konsideronim sukses të madh. Mendoj se do ta arrijmë këtë”, konkludoi Kryetari i Qeverisë, Mickoski.