Kryeministri Hristijan Mickoski, në emisionin “Maqedonia në mëngjes” në TVM, deklaroi se gjatë periudhës së tranzicionit në vend, nga shumë njerëz të varfër pamë se si pak prej tyre u bënë jashtëzakonisht të pasur dhe për këtë arsye ka zhgënjim të madh dhe emigrim, por dërgoi mesazhin se betejën duhet ta bëjmë këtu, sepse s’ka si në shtëpinë tënde.
Kryeministri Mickoski shtoi se kur shteti bëhej i pavarur, kur ndahej nga ish-federata, brezat që ëndërronin për një shtet të pavarur maqedonas, një pjesë prej tyre dhe prindërit e tyre e paguan këtë me jetë, një pjesë përfunduan në burgjet e atëhershme jugosllave sepse kishin ide përparimtare, progresive dhe pro-maqedonase dhe e gjithë kjo ka lënë gjurmë në identitetin maqedonas dhe në kujtesën kolektive.
“Kur ndodhi pavarësia, erdhi tranzicioni, kur në mënyrë brutale kapitali shoqëror u shndërrua në kapital privat dhe kur nga shumë njerëz të barabartë, pak njerëz u bënë jashtëzakonisht të pasur. Kjo mbeti në atë kujtesë kolektive, një numër i madh i prindërve tanë humbnin punën brenda natës, ktheheshin në shtëpi me pritshmëri të zhgënjyera, plot me dëshpërim, me një vështrim drejt së ardhmes që në atë kohë ishte e pasigurt dhe nuk e përjashtoj mundësinë që një pjesë e madhe e tyre, të zhgënjyer, i kanë këshilluar fëmijët e tyre ta kërkojnë fatin diku jashtë,” tha kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski theksoi se më pas erdhi një brez i ri me sfida të ndryshme, por në atë kohë ata që e drejtonin shtetin udhëhiqeshin kryesisht nga interesat e tyre personale dhe në këtë mënyrë i zhgënjyen edhe më shumë ato breza.
“E gjithë kjo është, do të thosha, një mozaik ngjarjesh që kanë mbetur të gdhendura në vetëdijen kolektive dhe jo të gjithë mund ta pranojnë këtë ashtu siç duhet në mënyrë të vetëdijshme dhe të kthjellët dhe të përballen me këto sfida. Disa, për fat të keq, vendosën të largohen jashtë, një pjesë mbetën atje, ndërsa ka edhe shembuj të tillë që kthehen në shtëpi. Disa nga të rinjtë sot mendojnë se sapo të shkojnë atje do të bëhen menjëherë shumë të suksesshëm, se kjo do të ndodhë në mënyrë të menjëhershme, por kur përballen me realitetin e vërtetë, atëherë e kuptojnë se janë të margjinalizuar në ato shoqëri,” theksoi kryeministri Mickoski.
Në këtë kontekst, kryeministri Mickoski dërgoi mesazhin se, sado e vështirë të jetë dhe sado që këto kujtime dhe kjo kujtesë kolektive nga e kaluara të ushtrojnë presion, ne si popull jemi mësuar të luftojmë dhe duhet të luftojmë nga vendi ynë, para së gjithash për veten, për familjen tonë dhe, natyrisht, për atdheun tonë.
“Duhet ta rindërtojmë ndjenjën e përkatësisë ndaj atdheut dhe ndaj identitetit. E di që ka pasur shumë zhgënjime për shkak të njerëzve të papërgjegjshëm që e kanë udhëhequr shtetin, por këtë duhet ta tejkalojmë, sepse jemi një nga kombet më të vogla në Evropë dhe e vetmja mënyrë për të pasur sukses është nëse i respektojmë këto vlera. Nëse nuk i respektojmë këto vlera, kam frikë se një brez i ardhshëm i yni do të përballet me sfidën e mbijetesës dhe nëse do të ekzistojmë fare,” deklaroi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski theksoi se Qeveria punon një strategji të plotë për të rinjtë, e cila është një nga prioritetet kryesore, si dhe për krijimin e familjes dhe mbështetje për prindërit.