“Për më shumë se 20 vjet që kur e fituam statusin e vendit kandidat, ne kemi bërë aq shumë sa nuk ka bërë asnjë vend që është bërë anëtar i Bashkimit Evropian apo që synon të bëhet pjesë e BE-së, kur bëhet fjalë për çështjet e identitetit. Ndërsa për reformat thelbësore nuk dua të diskutoj, sepse mendoj se jemi shumë përpara edhe disa vendeve anëtare të vetë Bashkimit Evropian. Por, kur bëhet fjalë për reformat identitare, kemi bërë aq shumë sa që për ne – jo për mua personalisht apo për Qeverinë, por në përgjithësi për qytetarët e shtetit – çdo kërkesë shtesë do të përbënte një frustrim dhe poshtërimshtesë. Nëse nuk marrim një plan të qartë se kjo është kërkesa e fundit dhe se prej atij momenti e tutje do të vlejë parimi i përmbushjes “merit-based” pa kërkesa të tjera identitare dhe bilaterale dhe pa pengesa shtesë në këtë rrugë, pra duke u udhëhequr vetëm nga Kriteret e Kopenhagës, ne jemi të gatshëm të punojmë sa të jetë e nevojshme, në mënyrë që të mos kontribuojmë me frustrime shtesë te qytetarët maqedonas”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në intervistën e sotme për televizionin Telma, duke folur për integrimin evropian të vendit.
Mickoski theksoi se programi me të cilin garoi në zgjedhje ka marrë mbështetjen e shumicës dhe të njejtën do ta zbatojë atë për aq kohë sa gëzon mbështetjen e shumicës së qytetarëve.
“Për sa kohë që e ushtroj këtë detyrë si kryetar i Qeverisë së të gjithë qytetarëve, do të përpiqem pa kompromis t’i mbroj interesat kombëtare maqedonase, sepse vlerësoj se të gjithë qytetarët, nga të gjitha bashkësitë etnike, si dhe të gjithë ata të përcaktuar apo të papërcaktuar polikisht në vend, kanë bërë mjaftueshëm në emër të proceseve të integrimit evropian dhe në emër të lëshimeve identitare. Ata meritojnë shumë më tepër, madje edhe se disa shtete anëtare, të jenë pjesë e tryezës në Bruksel. Po ashtu, meritojnë trajtim më të mirë dhe më të drejtë se disa nga vendet anëtare që janë ulur në tryezën e Brukselit. Kjo është ajo që unë kam thënë si zotim qytetarëve, se do ta mbroj dhe do ta respektoj Kushtetutën. Unë e mbroj dhe e respektoj Kushtetutën dhe në asnjë mënyrë nuk do të kontribuoj që ajo Kushetutë të poshtërohet apo të nënvlerësohet sërish, pa siguruar një të ardhme të qartë, të sigurt dhe të parashikueshme për qytetarët”, theksoi Mickoski.
Ai shtoi se aktualisht Maqedonia po shënon rezultate më të mira se disa vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe se personalisht beson se vendi ka kapacitet, kuadro dhe burime për të arritur suksese akoma më të mëdhaja.
“Nëse i krahasojmë shifrat, do të shohim se në këtë moment performancat ekonomike të Maqedonisë gjatë dy viteve të fundit janë shumë më të mira se ato të disa vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”, theksoi Mickoski dhe shtoi:
“Unë nuk do të isha aq pesimist. Unë besoj në potencialin maqedonas dhe do të ndaj me ju një të dhënë për të cilën dje u informova nga Ministria e Punëve të Brendshme. Për herë të parë pas shumë vitesh, gjatë vitit 2026 deri më tani kemi më shumë kërkesa për rikthimin e shtetësisë maqedonase sesa kërkesa për heqje dorë nga shtetësia maqedonase. Rreth 672 kërkesa janë për rikthimin e shtetësisë maqedonase, ndërsa rreth 318 janë për heqje dorë prej saj. Ky është viti i parë pas nuk e di sa kohë që ndodh një gjë e tillë. Nëse kjo është rastësi, këtë unë nuk mund ta them, por unë besoj te populli maqedonas, besoj te qytetarët maqedonas, besoj te potenciali. Jam profesor universiteti, e di çfarë potenciali kam edukuar, e di me çfarë potenciali disponojmë dhe ajo që di gjithashtu është se mund të arrijmë shumë më tepër, pavarësisht se ka forca që nuk dëshirojnë që ky shtet të ketë sukses dhe përhapin defetizëm.”