Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Fetai: Kjo ditë shënon një moment të rëndësishëm në zhvillimin arsimor dhe kulturor të vendit tonë

Fetai: Kjo ditë shënon një moment të rëndësishëm në zhvillimin arsimor dhe kulturor të vendit tonë

I nderuari Kryeministër Mickoski, 

Të nderuar ministra, zëvendësministra dhe të pranishëm, 

Gëzuar 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. 

Kjo ditë shënon një moment të rëndësishëm në zhvillimin arsimor dhe kulturor të vendit tonë. Ajo na kujton se një gjuhë e standardizuar nuk është vetëm mjet komunikimi, por një hap i domosdoshëm drejt modernizimit të shoqërisë dhe ndërtimit të institucioneve funksionale. 

Në qytetin e Manastirit, ku sot qëndron Muzeu i Alfabetit, u vendos themeli i shkrimit modern të gjuhës shqipe. Për ne, Kongresi i Manastirit mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme të fillim shekullit XX, që i dha gjuhës shqipe strukturë dhe standard dhe që ndikoi drejtpërdrejt në proceset e arsimore dhe kulturore. 

Ky vendim ishte një akt racional, që synonte të krijonte stabilitet dhe funksionalitet në përdorimin e gjuhës, e cila më pas u bë instrument thelbësor i arsimit dhe komunikimit publik.  

Ne e kujtojmë këtë ditë për të theksuar një parim thelbësor – në një shtet multietnik si Republika e Maqedonisë së Veriut, barazia gjuhësore është pjesë e një demokracie funksionale dhe e standardeve evropiane të të drejtave të njeriut. 

Shtetet moderne matin cilësinë e demokracisë së tyre jo vetëm me funksionalitetin e institucioneve, por edhe me mënyrën se si trajtojnë gjuhët e komuniteteve që bashkëjetojnë brenda tyre. Në këtë kuptim, barazia gjuhësore nuk është një çështje simbolike, ajo është një parim demokratik dhe një praktikë që e afron vendin tonë me të ardhmen që synojmë.  

Gjuha është mjet përfshirjeje, jo përjashtimi,  gjuha është urë komunikimi, jo kufi mes komuniteteve. Qeveria jonë synon të sigurojë kushte të barabarta për zhvillimin dhe kultivimin e të gjitha gjuhëve që përdoren në vend, si pjesë e një vizioni modern të bashkëjetesës dhe institucionalizimit demokratik. 

22 Nëntori është një kujtesë e qartë se zhvillimi i një gjuhe, standardizimi i saj dhe respekti institucional janë pjesë e proceseve që ndërtojnë një shtet të qëndrueshëm. Po ashtu, kjo ditë na rikujton se përgjegjësia jonë sot është të krijojmë një ambient ku secili qytetar mund të kontribuojë, të arsimohet dhe të jetojë pa u ndjerë i margjinalizuar për shkak të gjuhës apo identitetit të tij. 

Po ashtu, kjo ditë është një mundësi për të shprehur respekt ndaj të gjithë shqiptarëve që e shënojnë sot këtë datë dhe që kontribuojnë për zhvillimin e përbashkët të vendit. Ndërtimi i një shoqërie të qëndrueshme dhe moderne kërkon dialog, respekt të ndërsjellë dhe gatishmëri për të punuar së bashku. 

Me rastin e kësaj dite të shenjtë për popullin shqiptar, shfrytëzoj rastin të bëj thirrje që të jetojmë së bashku, të ndërtojmë së bashku dhe të ecim drejt së ardhmes sonë të përbashkët evropiane. 

Në emër tim si Zëvendëskryeminister i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me nderim dhe respekt të thellë, u uroj të gjithë shqiptarëve:  

Gëzuar 22 Nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. 

Accessibility Menu