Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Mickoski: Koçani është vend i një tragjedie të madhe dhe humbjeje të pazëvendësueshme, por edhe mësim për të ardhmen

Mickoski: Koçani është vend i një tragjedie të madhe dhe humbjeje të pazëvendësueshme, por edhe mësim për të ardhmen

EKZISTOJNË NGJARJE NË HISTORINË E NJË SHTETI QË NUK MATEN ME KOHË, POR ME DHIMBJEN QË E LËNË PAS TYRE.

 

TRAGJEDIA NË KOÇAN ËSHTË NJË NGA ATO NGJARJE.

 

AJO ISHTE TRAGJEDI E NJË QYTETI. POR EDHE NJË TRAGJEDI QË TRONDITI GJITHË SHTETIN TONË DHE QË DO TË MBETET PËRGJITHMONË E GDHENDUR NË KUJTESËN KOLEKTIVE TË SHOQËRISË SONË.

 

Të nderuara familje të viktimave,

 

Të nderuar mjekë dhe punonjës shëndetësorë,

 

Të nderuar përfaqësues të institucioneve,

 

Të nderuar mysafirë nga jashtë,

 

Zonja dhe zotërinj,

 

Të dashur miq,

 

Sot jemi mbledhur këtu me ndjenjë respekti të thellë, por edhe me ndjenjë të fortë empatie.

 

Respekt ndaj atyre që humbën jetën.

 

Respekt për familjet që mbajnë dhimbjen e humbjes.

 

Respekt ndaj të lënduarit që tashmë një vit zhvillojnë betejë të heshtur dhe të guximshme për shërim.

 

Por në të njëjtën kohë, sot jemi mbledhur edhe me ndjenjën e përgjegjësisë.

 

Përgjegjësi që të kujtojmë.

 

Përgjegjësi që të mësojmë.

 

Dhe përgjegjësi që të krijojmë sisteme të cilat do të jenë më të forta se lëshimet që çojnë në tragjedi.

 

Kjo konferencë është një përpjekje për ta shndërruar tragjedinë në dituri, përvojën në mësim, dhe mësimin në zgjidhje konkrete.

 

Një vit pas tragjedisë në Koçani, detyrimi ynë është të kujtojmë. Të tregojmë se shoqëria dhe institucionet janë të afta të mësojnë nga tragjeditë dhe të ndërtojnë një sistem më të fortë, më të sigurt dhe më human.

 

Të nderuar të pranishëm,

 

Tragjedia në Koçan la një plagë të thellë në shoqërinë tonë.

 

Brenda një nate u shuan jetë, u ndryshuan fate dhe u hap një dhimbje që do të mbetet gjatë në kujtesën e shtetit tonë. Në ato orë, e gjithë Maqedonia ndaloi.

 

Lajmi u përhap me shpejtësi që solli mosbesim, frikë dhe trishtim. Çdo qytetar e ndjeu peshën e ngjarjes. Në ato momente nuk ekzistonte as politikë, as ndarje. Ekzistonte vetëm heshtje dhe ndjenjë të thellë shqetësimi për njerëzit që luftonin për jetën. Tragjedia goditi më së rëndi familjet që humbën më të dashurit e tyre. Për ta, koha matet me kujtimet, me zbrazëtinë që mbetet dhe me luftën e përditshme për të vazhduar përpara.

 

Të dashur miq,

 

Kjo fatkeqësi e madhe ndodhi vetëm 8 muaj pasi unë u bëra kryeministër. Vetëm tetë muaj nga qeverisja ime me shtetin, u desh që të paguhet çmimi i një sistemi të shkatërruar që ishte rrënuar me dekada. Dita e fatkeqësisë nuk ishte vetëm dita ime më e vështirë si kryeministër, por ishte dita më e vështirë e jetës sime si njeri. Kush është fajtor për gjithë këtë? Edhe unë e bëj këtë pyetje dhe për këtë duhet të japin përgjigje jo ndonjë gykim i menjëhershëm, jo opinioni, por prokuroria dhe gjykatat. Por njëkohësisht duhet të flasim edhe për fajin në krijimin e atij sistemi që dështoi, ku me dekada dhe vite u krijua ai "mish i egër" që preku më të dashurit tanë.

 

Njerëzit, jetët e të cilëve u shuan, nuk janë numra, por fate. Personalitete.

 

Aleksova Stefanija, Xhamov Jordanço, Trajçev Ivan, Gjorgiev Xhoko, Kollarov Aleksandar, Veliçkov Ivan, Stojanov Andrej, Antova Ivona, Hristovski Pavell, Dimitrijev Dime, Nasevski Nikolla, Bogdanov Toshe, Todorovski Toshe, Koceva Ana, Zhivkov Adrijan, Petrushov Gordan, Gorgiev Igorçe, Stevanovski Filip, Stojanov Tomçe, Stoimenova Monika, Stojanov Stojanço, Projkovska Nikollovska Sara, Shopova Marija, Ivanovski Petar, Gjorgjiev Aleksandar, Markovski Matej, Zakova Bojana, Vasillkov Gjorgji, Petrov Aleksandar, Minova Dragana, Aleksova Sara, Gjorgjieski Andreja, Ivanovski Filip, Jordanova Sara, Strezoska Marija, Efremov Aleksandar, Vellkov Igor, Taseva Stojkovska Lepa, Atanasovski Martin, Aleksov Aleksandar, Minov Bozhidar, Millkovska Keti, Zllatkov Tomas, Sokollova Stefanija, Vellkov Leonid, Naunova Nadica, Jordanov Viktor, Panov Andrej, Ivanov Dimitar, Stoimenov Spiro, Vlladimirov Jove, Andonov Ice, Tasevski Stefan, Veliçkov Gjorgji, Stojanov Aleksandar, Hristova Sanja, Taneski Damjan, Spasova Monika, Llazarov Andrej, Karadakoski Aleksandar, Gavrillovski Aleksandar, Stefanov Stojançe, Blazhev Vlladimir Panço.

 

Lavdi.

 

MENDIMI YNË EDHE SOT ËSHTË ME TA.

 

EDHE ME PRINDËRIT QË HUMBËN FËMIJËT E TYRE.

 

ME FAMILJET QË HUMBËN VËLLANË, MOTRËN APO MIKUN.

 

ME TË GJITHË ATA, JETËT E TË CILËVE NDRYSHUAN PËRGJITHMONË.

 

Njëkohësisht, tragjedia la edhe një gjurmë tjetër – gjurmën e solidaritetit. Heroizmi sot nuk është vetëm në pushkë e kamë, nuk është në muskujt dhe forcën, por në aktivizëm dhe në dorën e zgjatur. Koçani tregoi se ka njerëz që janë heronjtë e heshtur të vendit tonë. Ata janë infermierët dhe doktorët që punuan, ndihma e shpejtë, personeli teknik. Në momentet më të vështira, qytetarët treguan se shoqëria ka forcë të bashkohet. Qendrat e dhurimit të gjakut u mbushën me njerëz që erdhën për të ndihmuar. Vullnetarë paraqiteshin që të mbështesin familjet. Organizatat humanitare u mobilizuan. Mjekët dhe ekipet mjekësore punuan pa ndërprerje, me përkushtim dhe profesionalizëm të madh. Dua t'ju përgëzoj nga zemra. Ju dhe çdo person që ishte i përfshirë në këtë operacion. Brenda dhe jashtë vendit. Kurrë nuk do të harroheni.

 

Në ato ditë pamë edhe diçka që mbetet si një mësim i rëndësishëm.

 

TRAGJEDIA E HAPI ANËN MË TË MIRË TË SHOQËRISË SONË: HUMANIZMIN, SOLIDARITETIN DHE NDJENJËN SE ASNJËRI NUK GUXON TË MBETET VETËM NË MOMENTET MË TË VËSHTIRA. Morrëm edhe mbështetje të fortë ndërkombëtare. Shtetet partnere dhe sistemet e tyre shëndetësore ofruan menjëherë ndihmën e tyre. Spitale, mjekë dhe ekipe mjekësore nga disa vende evropiane hapën dyert e tyre për pacientët tanë. Ky ishte një përkujtim i fortë se në momentet më të vështira, solidariteti njerëzor i tejkalon kufijtë. Një vit më vonë, ky kujtim mbetet një detyrim i gjallë. Detyrim që të respektohet kujtimi i viktimave. Detyrim për të mbështetur familjet. Detyrim për të vazhduar luftën për shërimin e të lënduarve. Dhe detyrim për ta shndërruar tragjedinë në një mësim nga i cili do të dalin institucione më të forta dhe një shoqëri më e sigurt.

 

Të dashur miq,

 

Në orët pas tragjedisë, shteti u përball me një situatë ku çdo minutë ishte e çmuar. Në momente të tilla nuk ka vend për improvizim. Çdo sistem, çdo institucion dhe çdo njeri që ka përgjegjësi publike duhet të reagojë shpejt, në mënyrë të koordinuar dhe vendimtare. Orët e para pas tragjedisë ishin orë të mobilizimit intensiv.

 

U aktivizuan institucionet shëndetësore, shërbimet e urgjencës mjekësore, policia, njësitë zjarrfikëse, shërbimet e mbrojtjes civile dhe institucionet lokale. Në ato momente, qëllimi më i rëndësishëm ishte vetëm një – shpëtimi i jetëve të të lënduarve dhe sigurimi i ndihmës mjekësore sa më të shpejtë. Pacientët nga Koçani dhe nga Shtipi u transportuan në institucionet shëndetësore në Shkup, ku menjëherë u aktivizuan kapacitetet klinike më të rëndësishme të shtetit.

 

Në ato orë, ata nuk punuan vetëm si punonjës shëndetësorë. Ata punuan si njerëz që e dinë se pas çdo pacienti qëndron një familje, qëndron një histori jete dhe qëndron shpresa. Por shumë shpejt u bë e qartë se një pjesë e pacientëve kishin djegie të rënda dhe lëndime komplekse që kërkonin trajtim në qendra të specializuara për djegie. Në ato ditë, mjekët, infermierët dhe ekipet shëndetësore treguan diçka që nuk matet me protokolle dhe procedura – treguan humanizëm, sakrificë dhe guxim profesional. Në situata të tilla, asnjë shtet nuk mund t'i përballojë vetëm të gjitha sfidat mjekësore. Nevojitet solidaritet ndërkombëtar. Prandaj menjëherë u aktivizuan mekanizmat për bashkëpunim mjekësor ndërkombëtar. Përmes mekanizmave evropianë për mbrojtje civile dhe përmes koordinimit direkt me shtetet partnere, u organizua transporti i një pjese të pacientëve në spitale të specializuara jashtë vendit.

 

Spitale në disa shtete evropiane hapën dyert e tyre për pacientët tanë. Mjekët në ato qendra, bashkë me ekipet tona mjekësore, bënë një luftë të ndërlikuar dhe afatgjatë për jetën dhe shëndetin e të lënduarve. Në ato ditë pamë se si funksionon solidariteti evropian në praktikë. Pamë se në momente tragjedie, shtetet dhe sistemet shëndetësore dinë të bashkëpunojnë, të ndajnë burimet e tyre dhe t'i vendosin jetët njerëzore në vend të parë. Njëkohësisht, shteti u kujdes edhe për mbështetjen logjistike të gjithë procesit. U organizuan transporte mjekësore të specializuara, u siguruan kushte për komunikim dhe koordinim mes spitaleve ndërsa institucionet punuan pa ndërprerje për të siguruar rrjedhën e papenguar të procedurave mjekësore.

 

Paralelisht me reagimin mjekësor, u aktivizuan edhe ekipet për mbështetje psikologjike. Psikologët dhe psikiatrët filluan të punojnë me familjet dhe me pacientët, sepse tragjeditë me përmasa të këtilla nuk lënë vetëm pasoja fizike. Ato lënë edhe gjurmë të thella psikologjike që kërkojnë kujdes afatgjatë. Të gjitha këto aktivitete kishin një qëllim: të sigurohet niveli më i lartë i mundshëm i kujdesit për të lënduarit dhe familjet e tyre në momentet më të vështira. Prandaj, kur sot flasim për reagimin fillestar të shtetit, flasim për reagim institucional. Por, flasim edhe për përpjekje të përbashkët të punonjësve shëndetësorë, shpëtimtarëve, institucioneve, partnerëve ndërkombëtarë dhe qytetarëve. Ishte një moment në të cilin sistemet duhej të funksiononin shpejt. Por ishte edhe një moment në të cilin humanizmi dhe solidariteti u bënë forca më e madhe e shoqërisë. Jam veçanërisht krenar për jetët që arritëm t'i shpëtojmë. Ata njerëz që mbetën të fortë dhe kaluan përmes ferrit, por sot janë këtu me ne.

 

Të nderuar,

 

Të gjitha këto aktivitete kanë një qëllim të përbashkët: të sigurohet kujdes afatgjatë dhe mbështetje dinjitoze për njerëzit që u prekën më rëndë nga tragjedia. Por ky detyrim nuk përfundon me një vit. Kujdesi për pacientët dhe mbështetja për familjet mbeten një detyrë afatgjatë e institucioneve. Tragjedia në Koçan krijoi një dhimbje që nuk mund të fshihet. Por përgjegjësia e shtetit është ta shndërrojë atë dhimbje në kujdes të përhershëm, në përkushtim dhe në një sistem që do të jetë i gatshëm t'u ndihmojë qytetarëve të vet kur kanë më së shumti nevojë. Prandaj, konferenca e sotme është një hap i rëndësishëm në vazhdimin e këtij detyrimi. Ajo krijon hapësirë që përvoja mjekësore, mësimet institucionale dhe njohuritë shkencore të ndahen dhe të shndërrohen në politika më të mira dhe sisteme më të mira për të ardhmen.

 

Të dashur miq,

 

Përveç kujdesit për të lënduarit dhe mbështetjes për familjet, tragjedia në Koçan hapi edhe një pyetje tjetër, po aq të rëndësishme – PYETJEN E PËRGJEGJËSISË. Në një shoqëri demokratike, tragjeditë nuk guxojnë të mbeten pa përgjigje. Shoqëria ka të drejtë të dijë të vërtetën.

 

Familjet kanë të drejtë të dinë se si ka ndodhur tragjedia. Ndërsa institucionet kanë detyrë të sigurojnë drejtësi. Prandaj, menjëherë pas tragjedisë filloi procesi i përcaktimit institucional të fakteve dhe të përgjegjësisë. Ky proces duhet të jetë i thelluar, profesional dhe i çliruar nga çfarëdo lloj presioni. Bëhet fjalë për jetë njerëzish dhe në situata të tilla institucionet duhet të punojnë me nivelin më të lartë të seriozitetit dhe integritetit. Drejtësia nuk është çështje politike. Ajo është çështje e besimit në institucione. Kur ndodh një tragjedi me përmasa të këtilla, shteti ka detyrim të tregojë se sistemi funksionon, se lëshimet vërtetohen dhe se përgjegjësia ndërmerret.

 

Por përgjegjësia ka edhe një dimension më të gjerë. Tragjeditë shpesh zbulojnë dobësi në sisteme. Ato tregojnë se ku institucionet duhet të përmirësohen, ku procedurat duhet të forcohen dhe ku standardet e sigurisë duhet të ngrihen në një nivel më të lartë. Prandaj, përveç procedurave juridike, tragjedia në Koçan hapi edhe një proces të rishqyrtimit institucional.

 

Të nderuar,

 

Shteti ka detyrim ta kërkojë të vërtetën dhe ta sigurojë drejtësinë. Këtë ua kemi borxh viktimave. Këtë ua kemi borxh familjeve të tyre. Por këtë ua kemi borxh edhe gjeneratave të ardhshme. Prandaj institucionet do të vazhdojnë të punojnë në vërtetimin e plotë të të gjitha rrethanave lidhur me tragjedinë, me qëllim që drejtësia të arrihet ndërsa besimi në institucione të forcohet. Vetëm përmes së vërtetës, përgjegjësisë dhe mësimit institucional, një shoqëri mund të bëhet më e fortë pas një tragjedie.

 

NJË TRAGJEDI KURRË NUK PËRFUNDON ME DITËN KUR KA NDODHUR.

 

PËR FAMILJET, AJO VAZHDON ÇDO DITË. AJO VAZHDON NË KARRIGET E ZBRAZËTA NË TRYEZË.

 

NË HESHTJEN E SHTËPISË.

 

NË ÇDO MËNGJES KUR NJERIU ZGJOHET ME KUJTIMIN E HUMBJES MË TË RËNDË.

 

PRANDAJ, QË NGA DITA E PARË, QEVERIA MORI NJË VENDIM TË QARTË: SHTETI NUK DO TË JETË I PRANISHËM VETËM NË MOMENTIN E TRAGJEDISË.

 

SHTETI DO TË JETË I PRANISHËM EDHE NË VITET QË VIJNË.

 

Gjatë vitit të kaluar u ndërmorën disa masa konkrete për mbështetjen e familjeve të të ndjerëve dhe të të lënduarve. Gjatë vitit të kaluar, përfaqësues të Qeverisë, ministra dhe institucione vazhdimisht ishin në kontakt me familjet.

 

DËGJUAM.

 

BISEDUAM.

 

MËSUAM NGA DHIMBJA E TYRE.

 

Dhe prandaj dua sot të them qartë: shteti do të vazhdojë të qëndrojë pranë këtyre familjeve. Sepse pas çdo vendimi institucional qëndron një bindje e thjeshtë: dinjiteti njerëzor duhet të jetë qendra e çdo politike publike.

 

Tragjedia në Koçan nuk mund të fshihet nga kujtesa jonë kolektive.

 

Por mënyra se si shteti i përgjigjet tragjedive të tilla tregon se çfarë shoqërie duam të jemi.

 

Shoqëri që nuk i harron njerëzit e vet.

 

Shoqëri që e di se solidariteti nuk është fjalë, por detyrim.

 

Dhe shtet i cili qëndron pranë qytetarëve të vet edhenë momentet më të vështira.

 

Dhe ne do të vazhdojmë ta përmbushim këtë detyrim.

 

Të nderuar të pranishëm,

 

Sot, një vit pas tragjedisë, detyrimi ynë është të flasim edhe për të ardhmen! Koçani është qytet me rrënjë të thella, me njerëz punëtorë, me shpirt të fortë dhe me traditë që tejkalon çdo krizë.

 

QËLLIMI YNË ËSHTË I QARTË: TRAGJEDIA TË JETË FILLIMI I NJË FAZE TË RE TË ZHVILLIMIT. Në vitin e kaluar filloi përgatitja dhe realizimi i disa projekteve infrastrukturore dhe zhvillimore që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me Koçanin dhe me rajonin.

 

INVESTIMI NË INFRASTRUKTURË ËSHTË HAPI I PARË DREJT ZHVILLIMIT EKONOMIK.

 

Prandaj po punohet në përmirësimin e infrastrukturës rrugore lokale, në rikonstruimin, në modernizimin me qëllim që qyteti të ketë kushte të denja për një qendër urbane bashkëkohore.

 

PARALELISHT ME KËTË, QEVERIA PUNON NË KRIJIMIN E KUSHTEVE PËR INVESTIME TË REJA DHE HAPJEN E VENDEVE TË PUNËS NË RAJONIN LINDOR.

KOÇANI KA POTENCIAL TË JETË NJË NGA "BULLDOZERËT" EKONOMIKË TË RAJONIT.

Koçani duhet të jetë qytet ku të rinjtë shohin perspektivë.

Qytet ku familjet duan të qëndrojnë.

Qytet ku gjeneratat e reja do ta ndërtojnë të ardhmen.

PJESË E VEÇANTË E KËTIJ VIZIONI ËSHTË EDHE RUJTJA E KUJTESËS KOLEKTIVE TË TRAGJEDISË.

Në bashkëpunim me vetëqeverisjen lokale dhe me familjet, po shqyrtohen iniciativa për shënimin e denjë të ngjarjes dhe për krijimin e një vendi kujtese që do të përkujtojë vlerën e jetës njerëzore dhe rëndësinë e solidaritetit.

Vende të tilla janë pjesë e vetëdijes kolektive të një shoqërie. Ato na kujtojnë se pas çdo politike, pas çdo institucioni dhe pas çdo vendimi qëndrojnë jetë njerëzish. Dhe pikërisht për këtë arsye, e ardhmja e Koçanit është dhe duhet të jetë rezultat i punës së përbashkët: të shtetit, të vetëqeverisjes lokale, të ekonomisë dhe të vetë qytetarëve.

Vizioni ynë është që Koçani të jetë qytet i ripërtëritjes, i energjisë së re dhe i zhvillimit.

Qytet që do të tregojë se edhe pas momenteve më të vështira, shoqëria mund të bëhet më e fortë.

Qytet që do të tregojë se edhe pas momenteve më të vështira ne dimë të jemi edhe më të bashkuar.

Dhe prandaj, sot flasim për tragjedinë që na goditi deri në palcë. Por, flasim edhe për të ardhmen që do ta ndërtojmë së bashku.

Të nderuar,

Ekzistojnë momente kur fjalët janë të pamjaftueshme.

Kur asnjë fjali nuk mund ta përshkruajë plotësisht dhimbjen që sjell një tragjedi.

Tragjedia në Koçan është pikërisht një moment i tillë.

Por historia e çdo shoqërie ndërtohet edhe përmes mënyrës se si ajo shoqëri ballafaqohet me momentet më të vështira.

NË HISTORINË TONË EKZISTON NJË MËSIM TË THELLË DHE TË HESHTUR.

KY POPULL SHUMË HERË ËSHTË BALLAFAQUAR ME MOMENTE TË VËSHTIRA, ME HUMBJE DHE ME TRAGJEDI. POR GJITHMONË KA DITUR TË NGRIHET PËRSËRI, TA RUAJË NJERZILLËKUN DHE TË VAZHDOJË PËRPARA.

MAQEDONIA JONË KA MBIJETUAR DHE ZHVILLOHET EDHE SOT SEPSE NJERËZIT DINË TË BASHKOHEN KUR ËSHTË MË VËSHTIRË.

PIKËRISHT AJO FORCË: FORCA E BASHKIMIT DHE DINJITETIT ËSHTË AJO QË NA OBLIGON EDHE SOT.

PËRMES MËNYRËS SE SI TREGON SOLIDARITET.

PËRMES MËNYRËS SE SI I RESPEKTON VIKTIMAT.

DHE PËRMES MËNYRËS SE SI MËSON NGA TRAGJEDITË.

NJË VIT MË PAS, KOÇANI MBETET NË MENDIMET E GJITHË SHTETIT.

SI VEND I NJË DHIMBJEJE TË MADHE, POR EDHE SI SIMBOL I DINJITETIT ME TË CILIN QYTETARËT U BALLAFAQUAN ME HUMBJEN MË TË RËNDË.

FAMILJET QË HUMBËN MË TË DASHURIT E TYRE TREGUAN NJË FORCË QË ËSHTË VËSHTIRË TË PËRSHKRUHET ME FJALË.

DINJITETI I TYRE, HESHTJA E TYRE DHE MADHËSHTIA E TYRE NJERËZORE MBETEN TË GDHENDURA THELLË NË KUJTESËN KOLEKTIVE TË SHOQËRISË SONË.

SHTETI KA DETYRIM QË KURRË TË MOS E HARROJË KËTË.

DETYRIM PËR TA RUAJTUR KUJTIMIN.

DETYRIM PËR TË NXJERRË MËSIME.

DHE DETYRIM PËR TË NDËRTUAR NJË SISTEM MË TË MIRË DHE MË TË SIGURT PËR TË GJITHË QYTETARËT.

POR KEMI EDHE NJË DETYRIM TJETËR.

DETYRIMIN PËR TË VAZHDUAR PËRPARA.

TË VAZHDOJMË PËR KOÇANIN.

TË VAZHDOJMË TË INVESTOJMË NË TË ARDHMEN E TIJ.

TË VAZHDOJMË TË NDËRTOJMË NJË SHOQËRI NË TË CILËN JETA NJERËZORE, SIGURIA DHE DINJITETI JANË VLERAT MË TË LARTA.

MË LEJONI NË FUND TË PËRSËRIS NJË POROSI TË THJESHTË, POR TË RËNDËSISHME.

KOÇANI ËSHTË VEND I NJË TRAGJEDIE TË MADHE DHE TË PASHLYESHME.

POR, KOÇANI ËSHTË DHE DO TË VAZHDOJË TË JETË QYTET I NJERËZVE ME DINJITET, ME FORCË DHE ME TË ARDHME.

DHE SHTETI DO TË VAZHDOJË TË QËNDROJË PRANË KOÇANIT.

ME RESPEKT.

ME PËRGJEGJËSI.

DHE ME VENDOSMËRI TË FORTË SE KURRË NUK DO T'I HARROJMË ATA QË HUMBËM.

ZOTI U DHËNTË PAQE SHPIRTËRAVE TË ATYRE QË HUMBLN JETËN NË MËNYRË TRAGJIKE DHE FORCË FAMILJEVE TË TYRE PËR TË GJETUR NGUSHËLLIM.

QOFTË I PËRJETSHËM KUJTIMI PËR KOÇANIN!

MAQEDONIA DUHET TË MBETET E FORTË!

ZOTI JU BEKOFTË!

Accessibility Menu