“Është një nder i madh për mua që sot kam këtu pranë meje mikun dhe kolegun tim të dashur, kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama.
Në hapje të kësaj ngjarjeje të rëndësishme për të dyja vendet, dua t’ua uroj bashkëqytetarëve tanë shqiptarë, por edhe të gjithë shqiptarëve, Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe – një ditë e cila për një shtet multietnik, siç është i yni, ka shumë rëndësi dhe i shton vlerë kohezionit që kemi në shoqërinë tonë. Gëzuar festën e sotme dhe paçi shumë suksese e mbarësi.
Tani do të doja të them disa fjalë për ngjarjen e sotme. Për ne është kënaqësi që po e nisim këtë mënyrë bashkëpunimi mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Maqedonisë, sepse sistemi “One Stop Shop” do ta lehtësojë transportin e udhëtarëve. Siç e dëgjuat, në këtë pikë kufitare kalojnë çdo vit disa miliona udhëtarë dhe në këtë mënyrë, do t’i afrojë edhe më shumë dy vendet që tashmë janë të afërta, Maqedoninë dhe Shqipërinë.
Pres që kjo formë bashkëpunimi të vazhdojë edhe në vendkalimet e tjera kufitare që i kemi me fqinjin tonë perëndimor, Shqipërinë, duke forcuar edhe më shumë lidhjet ndërmjet qytetarëve nga të dyja anët e kufirit. Gjithashtu, siç u tha edhe në fillim, gjatë prezantimit se si do të funksionojë e gjithë kjo, sistemi “One Stop Shop” do të sjellë vlerë të shtuar edhe në aspektin e rritjes së turizmit dhe potencialit turistik që kanë të dyja vendet. Kur flas për të dyja vendet, këtu kam parasysh bregdetin e Ohrit, Ohrin dhe Strugën, si dhe komunat e tjera që gravitojnë drejt tyre dhe natyrisht detin në Shqipëri.
Në fund, dua ta falënderoj ministrin e Punëve të Brendshme, kolegët e mi nga Qeveria, punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Doganës dhe të gjithë ata që ishin të përfshirë në realizimin e këtij projekti. Gjithashtu, do të doja të shpreh mirënjohje të madhe për mikun tim të madh, kryetarin e Qeverisë së Shqipërisë, z. Edi Rama, për mbështetjen e tij personale që e dha që ky projekt të bëhet realitet sot.”