Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Mickoski: Propozimet për ministra që sot janë para jush synojnë sigurimin e stabilitetit, funksionalitetit dhe përgjegjësisë në punën e Qeverisë

Mickoski: Propozimet për ministra që sot janë para jush synojnë sigurimin e stabilitetit, funksionalitetit dhe përgjegjësisë në punën e Qeverisë

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

Zonja dhe zotërinj,

Sot para jush dorëzoj propozimin për zgjedhjen e dy ministrave, me qëllim ekipimin e plotë dhe funksional të Qeverisë dhe sigurimin e vazhdimësisë në punën e resoreve kyçe të pushtetit ekzekutiv.

Për ministër të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor propozoj Muamet Hoxhën.

Kandidati disponon përvojë shumëvjeçare në administratën shtetërore dhe në pushtetin ekzekutiv, me angazhime në disa institucione dhe në pozita udhëheqëse që nënkuptojnë përgjegjësi, koordinim dhe punë në mjedis kompleks administrativ dhe institucional. Përvoja e tij e deritanishme profesionale siguron njohjen e procedurave, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe nevojën për harmonizimin e politikave të ndryshme publike.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka një rol të rëndësishëm në krijimin dhe zbatimin e politikave që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm, shfrytëzimin racional të hapësirës dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor. Për këtë resor nevojitet një qasje e cila do bazohet në ligjshmëri, stabilitet institucional dhe vazhdimësi në punë, të cilat konsideroj se kandidati mund t'i sigurojë.

Për ministër për Çështje Evropiane propozoj Bekim Salin.

Bekim Sali ka përvojë paraprake si ministër, si dhe angazhim aktual në pushtetin legjislativ, gjë që i mundëson një njohje të qartë të raporteve ndërmjet pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, si dhe mënyrën e funksionimit të institucioneve shtetërore. Kjo përvojë është veçanërisht e rëndësishme për Ministrinë për Çështje Evropiane, e cila ka rol koordinues në proceset që lidhen me integrimin evropian dhe detyrimet reformuese të shtetit.

Resori i çështjeve evropiane kërkon punë sistematike, harmonizim të institucioneve dhe ndjekjen e detyrimeve që rrjedhin nga dokumentet kombëtare dhe evropiane. Pritshmëritë janë që kandidati të kontribuojë drejt një koordinimi më efikas dhe një qasjeje institucionale në këto procese.

Më lejoni këtu të falënderoj edhe ministrin e deritanishëm për Çështje Evropiane, z. Orhan Murtezani, i cili me punën dhe qasjen e tij i dha vlerë të shtuar punës së Qeverisë dhe procesit eurointegrues të shtetit. Pres që të vazhdojmë në atë frymë dhe në atë drejtim, ndërsa Orhani do të jetë pjesë e kabinetit tim në të ardhmen dhe do të koordinojë procesin e ndjekjes së përmbushjes së agjendës reformuese, diçka që është shumë e rëndësishme për proceset integruese evropiane të shtetit.

Të nderuar deputetë,

Qeveria që unë udhëheq mbetet e përkushtuar në kryerjen e punës së saj në mënyrë të përgjegjshme, transparente dhe të ligjshme. Prioriteti ynë është funksionimi i qëndrueshëm i institucioneve, zbatimi konsekuent i reformave dhe krijimi i kushteve për një cilësi më të mirë të jetës për qytetarët. Çdo anëtar i Qeverisë ka detyrimin e qartë të punojë në mënyrë profesionale, llogaridhënëse dhe në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve, me qëllim sigurimin e besimit në institucionet dhe vazhdimësinë në politikat shtetërore.

Propozimet që sot janë para jush synojnë sigurimin e stabilitetit, funksionalitetit dhe përgjegjësisë në punën e Qeverisë. Nga kandidatët e propozuar pritet që funksionet e tyre t'i ushtrojnë në mënyrë profesionale, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, dhe brenda kompetencave të përcaktuara me ligj.
Ju ftoj t'i mbështesni këto propozime.

Ju faleminderit.

Accessibility Menu