Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Mickoski: Qeveria me masa të reja të jashtëzakonshme, ulen akcizat për karburantet, parandalohet rritje e re

Mickoski: Qeveria me masa të reja të jashtëzakonshme, ulen akcizat për karburantet, parandalohet rritje e re

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Të nderuar qytetarë,

Sot nuk ju drejtohem vetëm si Kryetar i Qeverisë, por si njeri që e kupton thellësisht shqetësimin që secili prej jush e ndjen në këto kohë të paqëndrueshme.

Bota po përballet sërish me një krizë serioze. Ngjarjet dhe tensionet ushtarake në Lindjen e Mesme kanë shkaktuar tronditje serioze në tregjet globale, veçanërisht në sektorin energjetik. Çmimet e naftës po rriten, pasiguria po shtohet, ndërsa presioni mbi ekonomitë – si të mëdha ashtu edhe të vogla – po bëhet gjithnjë e më i fortë.

Ne si shtet nuk mund të jemi të izoluar nga këto procese. Ne jemi pjesë e botës, pjesë e sistemit ekonomik evropian, dhe çdo ndryshim global reflektohet drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve tanë.

Por ajo që na dallon është mënyra se si reagojmë.

Qeveria nuk pret që kriza të na shkelë. Qeveria vepron.

Në fillim sollëm vendim për uljen e TVSH-së nga 18 në 10 për qind, me çka parandaluam një goditje të madhe dhe të fortë të çmimeve. Maqedonia paguan benzinat më të lira në rajon. Por informacionet dhe analizat tona tregojnë se është e nevojshme të reagohet sërish.

Prandaj sot mbajtëm një mbledhje të jashtëzakonshme, një mbledhje urgjente të Qeverisë, ku morëm disa vendime konkrete dhe të përgjegjshme, dhe do të doja ta informoja opinionin maqedonas për këto vendime.

Së pari, duke qenë se kaluan ato dy javë që nga ulja e normës së TVSH-së nga 18 në 10 për qind, dua ta informoj opinionin se po e vazhdojmë këtë masë deri në fund të gjendjes së krizës, e cila përafërsisht duhet të përfundojë rreth datës 20 prill. Pra, vazhdojmë me normën e ulur të TVSH-së nga 18 në 10 për qind dhe në të njëjtën kohë, morëm vendim që mundëson uljen e akcizës për naftën për 4 denarë, ndërsa për benzinat pa plumb 95 dhe 98 oktanë me 2 denarë për litër, gjë që do të reflektohet ndjeshëm në çmimet e benzinës dhe naftës. Me këtë praktikisht tregojmë dhe dëshmojmë se po luftojmë për ta ruajtur standardin e qytetarëve.

Nëse kjo ulje e akcizës nuk do të ndodhte, atëherë një litër naftë do të kushtonte rreth 102 denarë, ndoshta edhe më shumë se 102 denarë, kështu tregojnë përllogaritjet tona, sepse bursa u mbyll të enjten për shkak të festave të Pashkëve dhe do të rifillojë të martën, ndërsa benzinat pa plumb 95 dhe 98 oktanë do të ishin më të shtrenjta për 1.5 deri në 2 denarë. Me këtë ulje, praktikisht kemi një çmim ku zbriten 4 denarë për litër për naftën, përkatësisht 2 denarë për benzinat pa plumb 95 dhe 98 oktanë.

Gjithashtu, më lejoni ta informoj opinionin publik maqedonas se gjatë orëve të paradites patëm një diskutim të gjatë dhe negociata me OKTA-n. Ata do ta vazhdojnë zbritjen e tyre deri në fund të muajit prill, që do të thotë se për naftën në këtë moment kemi një zbritje prej 3 denarësh për litër, ndërsa për benzinat pa plumb 95 dhe 98 oktanë do të kemi edhe 2 denarë shtesë për litër. Ose, kur e gjithë kjo të mblidhet dhe analizohet, arrijmë në një çmim që për naftën do të jetë i njëjtë si deri më tani, praktikisht nëse llogaritet zbritja prej 4 denarësh nga akciza dhe 3 denarët që i marrim nga OKTA, kështu që ato 7 denarë rritje potenciale për litër i amortizojmë. Ndërsa për benzinat pa plumb 95 dhe 98 oktanë, përveç 2 denarëve ulje nga akciza për litër, do të kemi edhe 2 denarë shtesë ulje për litër, përkatësisht do të jemi nën çmimin që ishte i rregulluar gjatë periudhës së kaluar, pra javën e kaluar. Me këtë edhe një herë tregojmë se kujdesemi për standardin e qytetarëve dhe se ai është prioriteti ynë më i rëndësishëm në këtë moment.

Gjithashtu, më lejoni t’ju informoj se javën e kaluar konsumi, arriti në një rekord prej 2.000.000 litrave në ditë.

Kemi presion të madh në kufirin verior, jugor dhe perëndimor, ku konsumi në disa pika karburanti është trefishuar, që do të thotë se qytetarët e shteteve fqinje po vijnë tek ne për t’i mbushur rezervuarët dhe për t’i përdorur shërbimet e pikave të karburantit.

Në këtë moment nuk kemi nevojë për asnjë lloj kufizimi, sepse në bisedë me tregtarët dhe furnizuesin mora garanci se nuk ekziston rrezik që konsumatorët vendas të dëmtohen, edhe përkundër faktit se konsumi nga 1.500.000 është rritur në 2.000.000 litra në ditë. Shpresoj që kështu edhe të mbetet, pra shpresoj që gjithçka që po ndodh në Gjirin Persik të marrë fund dhe se gjendja në botë do të normalizohet, shpresoj që regjimi në Iran të ndalojë pengimin e së drejtës natyrore për tregti të vendeve të Gjirit dhe furnizimin në kohë të konsumatorëve të tjerë me naftë dhe derivate të naftës nga vendet e Gjirit.

Prandaj, edhe një herë dua të them se si shtet deri në këtë moment po përballemi me situatën ashtu siç presin qytetarët nga ne. Nuk jemi reaktivë, por proaktivë, marrim masa, e ndjekim situatën, ka sfida në bazë ditore dhe ato zgjidhen, por nëse paraqiten sfida me përmasa më të mëdha, atëherë natyrisht që do të ndërmarrim masa të tjera.

Kemi një plan dhe dua t’i siguroj qytetarët se në këtë moment nuk ka nevojë për shqetësim. Ne kemi çmimin më të ulët të karburanteve në rajon, madje edhe në Evropë.

Ne jemi ata që reflektojmë stabilitet, sasitë janë të siguruara, qytetarët dhe bizneset nuk duhet të frikësohen për mungesë të naftës dhe derivateve të naftës, përkatësisht të dizelit dhe benzinave pa plumb, kështu që në këtë moment gjendja është stabile, plani është i qartë, kemi strategji dhe vazhdojmë me atë strategji.

Të nderuar,

Me këtë vendim dërgojmë një mesazh të qartë – nuk do të lejojmë që barra e krizës globale të bjerë mbi kurrizin e qytetarëve.

Jemi të vetëdijshëm se çmimi i karburanteve nuk është vetëm një shifër në pikën e karburantit. Ai është pjesë e çdo produkti, e çdo shërbimi, e çdo shpenzimi në një familje. Ai ndikon në transport, në ushqim dhe në ekonominë në tërësi.

Prandaj reagimi ynë është në kohë, i matur dhe i orientuar drejt mbrojtjes së standardit.

Të nderuar qytetarë,

Kjo nuk është hera e parë që përballemi me sfida. Dhe nuk do të jetë e fundit. Por sa herë që jemi vënë në provë, kemi treguar se dimë të marrim vendime në interes të qytetarëve.

Vazhdojmë ta ndjekim me kujdes situatën. Jemi në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet relevante, me sektorin energjetik dhe me sektorin afarist. Jemi të gatshëm të ndërmarrim edhe masa shtesë nëse kjo do të jetë e nevojshme.

Qëllimi ynë është i qartë – stabilitet, siguri dhe mbrojtje e standardit të qytetarëve.

Në një kohë kur disa flasin, ne punojmë. Në një kohë kur disa krijojnë frikë, ne përpiqemi të luftojmë me sfidat dhe t’i zgjidhim ato.

Sepse kjo është një Qeveri që nuk ikën nga përgjegjësia. Kjo është një Qeveri që qëndron krah për krah me popullin e saj.

Dhe do të vazhdojmë të funksionojmë në këtë mënyrë.

Accessibility Menu