Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Mickoski: Fillon ndërtimi i kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza” me vlerë prej 42 milionë euro

Mickoski: Fillon ndërtimi i kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza” me vlerë prej 42 milionë euro

Të nderuar të pranishëm,

të nderuar profesorë,

të dashur studentë,

të nderuar ministra,

 

Sot vendosim themelet e diçkaje që është shumë më tepër se një projekt ndërtimor. Sot vendosim themelet e së ardhmes.

 

Me fillimin e ndërtimit të kampusit të ri dhe modern të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, e konfirmojmë vendosmërinë tonë të fortë – për të investuar në dije, tek të rinjtë dhe në zhvillimin e arsimit të lartë.

 

Ky projekt paraqet një investim strategjik në të ardhmen e shtetit. Një investim që do të krijojë kushte bashkëkohore për arsim, punë shkencore dhe zhvillim akademik.

 

Qeveria solli vendim me të cilin janë siguruar gjithsej 42 milionë euro për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm.

 

Prej tyre, 40 milionë euro janë të dedikuara për ndërtimin e objekteve, ndërsa rreth 2 milionë euro për mbikëqyrjen e ndërtimit, me qëllim që i gjithë procesi të realizohet në mënyrë profesionale, cilësore dhe transparente.

 

Kampusi i ri do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 31 mijë metrash katrorë dhe do të përfaqësojë një kompleks akademik modern, me objekte bashkëkohore, amfiteatro, hapësira për studentët, salla sportive, pishinë dhe infrastrukturë që do t’i përgjigjet nevojave të arsimit të lartë modern.

 

Por ky investim është pjesë e një fotografie më të gjerë – fotografia e arsimit që po e ndërtojmë.

 

Vizioni ynë është i qartë: arsimi duhet të jetë themeli i zhvillimit të shtetit. Nuk ka ekonomi të fortë pa universitete të forta. Nuk ka shtet modern pa të rinj të arsimuar dhe të motivuar.

 

Prandaj paralelisht investojmë në modernizimin e shkollave, në përmirësimin e kushteve të punës për mësuesit dhe profesorët, në programe të reja arsimore, në digjitalizimin e mësimit dhe në lidhjen e arsimit me nevojat e ekonomisë moderne.

 

Qëllimi ynë është i qartë – të rinjtë të kenë mundësinë të studiojnë, të zhvillohen dhe të ndërtojnë karrierën e tyre këtu, në vendin e tyre.

 

Universitetet duhet të jenë qendra të dijes, kërkimit dhe inovacionit. Vende ku krijohen ide, ku zhvillohen teknologji të reja dhe ku përgatiten gjenerata që do ta çojnë shtetin përpara.

 

Universiteti “Nënë Tereza” është një pjesë e rëndësishme e këtij rrjeti akademik. Me këtë kampus të ri i japim mundësi të zhvillohet edhe më fuqishëm dhe të bëhet një qendër bashkëkohore arsimore që do t’u shërbejë studentëve, komunitetit akademik dhe gjithë shoqërisë.

 

Ky nuk do të jetë vetëm një vend për ligjërata dhe provime.

 

Kjo do të jetë një hapësirë ku do të krijohet dije, ku do të lindin ide, ku të rinjtë do ta ndërtojnë të ardhmen e tyre.

 

Sepse forca e vërtetë e një shteti nuk matet vetëm me numra dhe infrastrukturë.

 

Ajo matet me dijen, me arsimin dhe me potencialin e të rinjve të tij.

 

Sot nuk fillojmë vetëm ndërtimin e objekteve.

 

Sot fillojmë ndërtimin e së ardhmes.

 

Dhe për këtë jam i bindur se ky kampus do të bëhet vendi ku do të krijohen shkencëtarë të rinj, inxhinierë, profesorë, liderë dhe vizionarë.

 

Qoftë i mbarë fillimi i këtij projekti të madh.

 

Qoftë me fat kampusi i ri i Universitetit “Nënë Tereza”.

 

Ju faleminderit.

Accessibility Menu