Të nderuar të pranishëm,
Sot po flasim për diçka që për dekada me radhë është lënë pas dore, por që është e një rëndësie thelbësore për ekonominë, eksportin dhe të ardhmen evropiane të shtetit tone, që është hekurudha.
Me kënaqësi të veçantë shpallim investimet në transportin hekurudhor në vlerë prej 21 milionë eurosh, të dedikuara për furnizimin deri në pesë lokomotivave të reja elektrike, së bashku me pjesët e nevojshme rezervë.
Ky investim do të realizohet përmes Marrëveshjes së huasë ndërmjet "HM Transport” dhe BERZH-it. Këtij hapi i paraprin një analizë e thjellë mbi nevojat reale, funksionalitetin dhe operativitetin e "HM Transport” – analizë e cila tregoi qartë se pa lokomotiva moderne dhe funksionale, hekurudha nuk mund ta përmbushë rolin e saj ekonomik.
Dhe duhet ta themi sinqerisht: gjendja që trashëguam ishte katastrofale.
Deri para pak kohësh, "HM Transport” nuk kishte asnjë lokomotivë plotësisht funksionale. Mbi njëzet kompozicione mallrash ndërkombëtare ishin ndaluar në Gjevgjeli, pa mundësi që ngarkesa të transportohej drejt tregjeve evropiane. Kjo nënkuptonte kontrata të humbura, të ardhura të humbura dhe besim të humbur.
Por, gjërat kanë filluar të ndryshojnë. Me një punë të palodhur, të përkushtuar dhe me përgjegjësi, nga korriku deri në shtator të vitit 2024 u vunë në funksion pesë lokomotiva, ndërsa deri në shkurt të vitit 2025 – gjithsej dhjetë nga 46 lokomotivat ekzistuese. Ky ishte hapi i parë drejt stabilizimit, por edhe një sinjal i qartë se problemet nuk zgjidhen me deklarata, por me punë.
Megjithatë, duhet të jemi të vetëdijshëm për realitetin: mosha mesatare e lokomotivave me naftë është mbi 60 vjet, ndërsa e atyre elektrike mbi 40 vjet. Kjo nuk është e qëndrueshme, as ekonomikisht, as nga pikëpamja e sigurisë e as asaj ekologjike.
Prandaj, qëllimi i këtij furnizimi është i qartë dhe i padiskutueshëm: të rritet numri i lokomotivave në dispozicion, të rritet kapaciteti për transportin e mallrave dhe me këtë të rriten të hyrat dhe stabiliteti financiar i "HM Transport” .Hekurudha duhet të bëhet sërish motor i eksportit dhe logjistikës, e jo fyt i ngushtë i ekonomisë.
Veçanërisht i rëndësishëm është aspekti ekologjik. Me fokusin te lokomotivat elektrike, ne po lëvizim drejt emetimit zero të lëndëve ndotëse. Ky është një kontribut direkt në luftën kundër ndotjes së ajrit, në mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe në zhvillimin e një transporti të pastër, modern dhe të qëndrueshëm.
Në kushtet e tranzicionit energjetik, transporti hekurudhor po bëhet faktor kyç për një sistem efikas, konkurrues dhe ekologjikisht të qëndrueshëm. Investimet në lokomotiva elektrike dhe korridorët modernë janë plotësisht të harmonizuara me politikat qeveritare për integrim në rrjetet evropiane të transportit.
Paralelisht me këtë, dëshiroj t’ju informoj se kanë filluar punimet ndërtimore për Linjën 1, me vlerë të kontratës prej 360 milionë denarësh. Ky është i ashtuquajturi treni i qytetit. Projekti parashikon rikonstruktimin e plotë dhe përmirësimin e trasesë ekzistuese, që do të thotë një trafik hekurudhor më i sigurt, më i shpejtë dhe më efikas.
Gjithashtu, ndërtimi i hekurudhës së shpejtë në Korridorin 10 është një nga prioritetet tona strategjike. Përmes Marrëveshjes së partneritetit strategjik me Mbretërinë e Bashkuar, janë siguruar mjete për projekte kapitale, me të cilat po e vendosim hekurudhën aty ku e ka vendin – si një lidhje kyçe mes Ballkanit dhe Evropës.
Të nderuar,
Këto nuk janë projekte të izoluara.
Kjo është një rimbëkëmbje sistemore e sektorit hekurudhor, investim në ekonomi, në ekologji dhe në të ardhmen evropiane të shtetit.
Hekurudhën po e kthejmë sërish në shinat e zhvillimit – me plan, me përgjegjësi dhe me vizion të qartë për një Maqedoni moderne, të lidhur dhe të fuqishme.
Ju faleminderit.