Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Miteva me një krahasim konkret: Zero denarë nga Buxheti për manifestimin e 35-vjetorit të pavarësisë, kundrejt 8,2 milionë eurove „në ajër“ te Grubi dhe Bajrami

Miteva me një krahasim konkret: Zero denarë nga Buxheti për manifestimin e 35-vjetorit të pavarësisë, kundrejt 8,2 milionë eurove „në ajër“ te Grubi dhe Bajrami

Vlerësojmë se pas përfundimit të manifestimit me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë, sot mund të bëjmë një përmbledhje lidhur si me organizimin, ashtu edhe me atë që premtuam si Qeveri, e që është se prioritetet tona janë llogaridhënia dhe transparenca.

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Që në fillim thamë se duam të organizojmë manifestim dinjitoz, i cili do t’i përgjigjet rëndësisë së 8 Shtatorit, Ditës së Pavarësisë, por edhe manifestim i cili nuk do të përqendrohet vetëm në Shkup, por do të arrijë te qytetarët në më shumë qytete në mbarë vendin.

Sot, pasi programi ka përfunduar, mund të bëjmë një vlerësim real të asaj që është arritur.

Kishim vërtet një verë të mrekullueshme, një verë në të cilën një numër i madh i yjeve botërore performuan në qytetet në mbarë Maqedoninë, ndërsa njëkohësisht pjesa më e rëndësishme e programit iu kushtua skenës muzikore, skenike dhe teatrore vendase.

Gjithçka filloi më 2 Gusht në Manastir me performancën e Steve Aoki, vazhdoi me karvanin „Dita ndriti fortë“, i cili kaloi nëpër më shumë qytete në vend, me ngjarjet në Strumicë ku performuan Paul Oakenfold dhe Paul van Dyk, me spektaklin rok ku performuan rok-grupe maqedonase, me ngjarje të madhe në sheshin në Shkup me interpretuesit maqedonas dhe Jose Carreras, ndërsa kulminacioni ishte koncerti në Stadiumin e Qytetit me David Guetta, i cili mblodhi rreth 50 mijë qytetarë.

Kur që në fillim u bë e ditur se David Guetta do të performonte më 8 Shtator, shtrohej pyetja pse pikërisht ai dhe pse pikërisht në Ditën e Pavarësisë. Sot, pas përfundimit të manifestimit, mendoj se përgjigjja më e mirë është pikërisht ajo që të gjithë e pamë në terren.

Ky nuk ishte një manifestim në të cilin Maqedonia ishte vetëm publik. Përkundrazi. David Guetta ishte një segment i gjithë manifestimit dhe kulminacion i programit dhe jo zëvendësim për kulturën maqedonase dhe artistët maqedonas.

Rreth 95 për qind e të gjithë programit përbëhej nga interpretues maqedonas dhe përmbajtje skenike maqedonase, me çka praktikisht treguam se skena muzikore, skenike dhe teatrore vendase ka kapacitet të organizojë dhe realizojë përmbajtje në nivel që mund të krahasohet me produksionet më të mëdha ndërkombëtare.

Konsideroj se ky është një nga mesazhet më të rëndësishme, sepse qëllimi nuk ishte vetëm të sjellim emra botërorë në Maqedoni, por të tregojmë edhe se artistët maqedonas meritojnë skenë të madhe, publik të madh dhe mbështetje serioze produksioni.

Dua dhe më lejoni t’i falënderoj qytetarët që ishin pjesë e të gjitha këtyre ngjarjeve, ata që morën pjesë edhe në qytetet e tjera në mbarë Maqedoninë ku u organizuan këto programe, si dhe të gjithë ata që morën pjesë në realizimin e tyre.

Falënderoj artistët, organizatorët, ekipet e produksionit dhe ato teknike, institucionet, por edhe të gjithë njerëzit që gjatë muajve të fundit punuan që këto ngjarje të realizohen.

Mendoj se më e rëndësishmja nga të gjitha është se treguam se Maqedonia jonë mund të organizojë ngjarje të përmasave botërore, ndërsa qytetarët të kenë mundësi t’i ndjekin dhe të jenë pjesë e tyre këtu, në vendin e tyre.

Përveç asaj që premtuam një manifest dinjitoz, që në fillim premtuam edhe transparencë dhe llogaridhënie. Sot nuk jemi këtu vetëm për të folur për rezultatin, por dua të shpjegojmë edhe të gjithë procedurën që çoi në realizimin e këtyre ngjarjeve.

Në opinion, gjatë periudhës së kaluar, kishte një numër të konsiderueshëm spekulimesh dhe përpjekjesh që i gjithë manifesti të paraqitej si diçka jotransparente dhe e kontestueshme, madje edhe para se të realizohej.

Opozita u përpoq t’i japë një njollë politike festimit, për fat të keq, ata janë të gatshëm që edhe në këto data të shenjta të përhapin të pavërteta – ky është fakt për ta.

Vijuan publikime dhe konstruktime të ndryshme, me të cilat krijohej mosbesim te qytetarët.

Si Qeveri, në atë periudhë vendosëm se nuk duam të hyjmë në përplasje të politikës ditore, sepse konsideruam se duhet t’u lëmë hapësirë qytetarëve të kënaqen, t’i shohin ngjarjet dhe të festojnë.

Poashtu, e kuptoj edhe pse opinioni parashtron pyetje, veçanërisht duke pasur parasysh se në të kaluarën kemi pasur mungesë serioze transparence në procedura të tilla.

Kjo është edhe arsyeja pse sot konsideroj se përgjigjja më e mirë nuk është vetëm të kemi shpjegime politike, por t’i prezantojmë plotësisht faktet dhe dokumentacionin.

Dhe këtu arrijmë te të dhënat më të rëndësishme lidhur me financimin.

Për të gjithë ata që gjatë periudhës së kaluar spekuluan, shprehën pakënaqësi, shpifën dhe plasuan informacione se qytetarët do ta paguajnë këtë manifestim nga Buxheti, sot mund të themi qartë se kjo nuk është e vërtetë.

Për realizimin e këtyre ngjarjeve nuk janë shpenzuar mjete buxhetore nga Buxheti. Shpenzimi nga Buxheti për këto ngjarje nuk i kushton asgjë qytetarëve.

Kjo nuk është një informacion që duhet ta pranoni vetëm sepse vjen nga ne, nga Qeveria, por është lehtësisht i verifikueshëm.

Pikërisht për këtë arsye, sot me ne është edhe drejtori i Lotarisë Shtetërore, zoti Aleksandar Klimovski, i cili do ta shpjegojë si kornizën juridike, por edhe financiare, në mënyrë që opinioni të ketë pasqyrë të plotë se si është siguruar financimi dhe si është zhvilluar procedura.

Më lejoni të sqaroj se bëhet fjalë për mjete nga fitimi i pashpërndarë i paraparë për vitin 2024 dhe jo për mjete të marra nga Buxheti shtetëror për financimin e manifestimit.

Më 28 prill 2026, në seancën e 167-të, Qeveria miratoi konkluzion me të cilin u përcaktuan aktivitetet konkrete që duhet të realizohen në kuadër të manifestimit me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë.

Në përputhje me këto konkluzione, ishte paraparë angazhimi i një artisti botëror të klasës A me produksion të klasës A për një ngjarje në ambient të hapur, i cili me emrin dhe cilësinë e tij garanton pjesëmarrjen e së paku 30.000 vizitorëve, më pas organizimi i një ngjarjeje me një yll botëror ndërkombëtar të klasës A, i shoqëruar nga artistë maqedonas, si dhe organizimi i së paku 12 eventeve në territorin e Maqedonisë në formën e performancave teatrore dhe vizuale me konceptin „35 vjet Maqedoni e pavarur“.

Me të njëjtin konkluzion, Lotarisë Shtetërore iu dha udhëzim të sigurojë mjete nga fitimi i pashpërndarë i paraparë për vitin 2024, në vlerë prej 300 milionë denarësh, për sponsorizimin e ngjarjeve, si dhe të shpallë thirrje publike për mbledhjen e ofertave për realizimin e ngjarjeve të sponsorizuara.

Gjithashtu, ishte paraparë formimi i një komisioni nga ekspertë të jashtëm, i cili do ta zhvillojë procedurën për përzgjedhjen e realizuesit.

Më lejoni këtu të bëj një krahasim të rëndësishëm, Perparim Bajrami, Artan Grubi 8,2 milionë në ajër, këto janë mjete që nuk përfunduan te qytetarët, ndërsa këto janë mjete me të cilat manifestimin e sollëm para qytetarëve.

Në bazë të konkluzioneve të miratuara në këtë mënyrë, Lotaria Shtetërore merr vendim për formimin e komisionit për zhvillimin e procedurës përmes thirrjes publike.

Më 4 maj 2026, e shpall thirrjen publike me numër, e theksoj, 01-35C/2026.

Në thirrjen publike përcaktohen kushtet që duhet t’i përmbushë ofertuesi, duke përfshirë kushtin që të ketë realizuar të paktën një ngjarje me kapacitet të konsiderueshëm pjesëmarrjeje, të disponojë ose të ketë siguruar qasje në kapacitete profesionale të produksionit, teknike, skenike dhe logjistike, si dhe të ketë përvojë në organizimin e ngjarjeve publike, koncerteve, festivaleve dhe ngjarjeve të tjera të ngjashme.

Në thirrjen publike është dorëzuar një ofertë, nga “Stardast” SHPKNJ Shkup, përkatësisht subjekti përmes të cilit në procedurën konkrete paraqitet “Avalon International Booking”. Këtë po e bëj publike si të dhënë, sepse edhe rreth kësaj u parashtruan pyetje dhe pati përpjekje për të krijuar konfuzion në opinion. “Avalon International Booking” është markë tregtare nën të cilën njihet veprimtaria, ndërsa “Stardast” SHPKNJ Shkup është subjekti juridik që është bartës i asaj veprimtarie dhe tek i cili është transferuar marka tregtare. Pra, nuk bëhet fjalë për dy kompani të pavarura që paraqiten si ofertues të ndryshëm, por për subjektin juridik që e bart ofertën dhe për markën nën të cilën publiku e njeh punën e kësaj veprimtarie.

Më tej, në pjesën e dokumentacionit, vijojnë procesverbali i hapjes së ofertës, raporti për procedurën e zbatuar dhe vlerësimi në përputhje me kriteret e përcaktuara. Përzgjedhja nuk bëhet vetëm në bazë të faktit se cili ofertues është i pranishëm në treg, por në bazë të cilësisë, qëndrueshmërisë dhe karakterit inovativ të konceptit dhe programit të propozuar, si dhe të përmbushjes së kushteve të përcaktuara me thirrjen publike. Pas përfundimit të procedurës merret vendim për përzgjedhjen e ofertuesit më të favorshëm, pas së cilës pason lidhja e kontratës ndërmjet Lotarisë Shtetërore dhe realizuesit.

Për më tepër, dua të sqaroj se në konstruksionin e përgjithshëm financiar të kremtimit morën pjesë edhe mjete shtesë në vlerë prej 40 milionë denarësh, të siguruara nga kompani me përgjegjësi shoqërore që iu bashkuan realizimit të ngjarjeve. Këto nuk janë mjete nga Buxheti i shtetit, por mjete nga kompani që gjatë periudhës së kaluar ishin publikisht të pranishme në kuadër të shënimit të kremtimit dhe e publikonin pjesëmarrjen dhe mbështetjen e tyre. Edhe kjo pjesë e konstruksionit financiar nuk është diçka që po e zbulojmë sot apo diçka që ka qenë e fshehur nga publiku, por bëhet fjalë për mbështetje të cilën qytetarët patën mundësi ta shihnin dhe ta ndiqnin gjatë gjithë periudhës.

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Këto janë fazat e procedurës dhe konsideroj se është e rëndësishme që publiku t’i dijë sipas radhës, sepse vetëm kështu mund të bëjmë dallimin ndërmjet një konstruksioni politik dhe fakteve reale e së vërtetës.

Drejtori i Lotarisë Shtetërore do t’i prezantojë të gjitha bazat juridike, vendimet dhe gjithçka që është pjesë e procedurës, në mënyrë që çdo segment të sqarohet më tej; më pas do t’ia japim fjalën zotit Boban nga “Avalon Produkcija”, që të mund t’i shpjegojë të gjitha aspektet shtesë që lidhen me organizimin, produksionin dhe realizimin e vetë kremtimit.

Ajo që dua të mbetet si konkludim nga kjo konferencë për shtyp është se ky kremtim u organizua me një qëllim të përcaktuar qartë, me një program konkret dhe me një procedurë që ka kuadrin e vet juridik dhe financiar. Vendimet janë marrë në kohë, është shpallur thirrja publike, oferta është hapur dhe shqyrtuar, komisioni ka zbatuar procedurën, është marrë vendimi për përzgjedhje dhe është lidhur kontrata për realizim.

Prandaj sot, pas përfundimit të kremtimit, të gjithë mund të pajtohemi se, në vend të spekulimeve, kemi një rezultat që është i dukshëm dhe se publiku mund t’i verifikojë këto fakte.

Premtuam një kremtim dinjitoz dhe qytetarët e morën atë. Premtuam një kremtim që do ta përfshinte të gjithë shtetin dhe ai u realizua në disa qytete. Premtuam se artistët maqedonas do të kishin vendin qendror në program dhe ata ishin të përfaqësuar në mënyrë dominuese.

Treguam se Maqedonia mund të sjellë emra botërorë të listës A, të cilët mbushin stadiume, por edhe se skena maqedonase ka çfarë të ofrojë dhe ka kapacitet të qëndrojë në një skenë të madhe ndërkombëtare.

Dhe së fundi, premtuam transparencë dhe llogaridhënie, dhe këtë po e konfirmojmë sot.
Edhe një herë dua ta përsëris faktin më të rëndësishëm financiar: për qytetarët, përmes Buxhetit të shtetit, për këto ngjarje nuk janë shpenzuar mjete buxhetore. Ky informacion mund të verifikohet dhe nuk është e nevojshme të jetë një informacion të cilit i besoni vetëm sepse e thotë Qeveria.

Mendoj se ky është edhe thelbi i transparencës, të mos tregojmë vetëm se çfarë ka bërë Qeveria, por publiku të ketë mundësi së pari t’i shohë rezultatet, si dhe dokumentet, procedurën dhe të dhënat financiare, dhe mbi bazën e tyre ta nxjerrë vetë konkluzion.

Ju falënderoj të gjithëve për vëmendjen, besoj se kjo ishte një konferencë për shtyp pak më e gjatë se ato që kemi zhvilluar deri më tani si Qeveri, por vlerësojmë se një transparencë dhe llogaridhënie e tillë nga Qeveria është thelbësore që të mund të tregojmë se cili është synimi dhe qëllimi i këtij kremtimi me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë.

Accessibility Menu