Të nderuar përfaqësues të mediave,
Sot publikojmë një lajm të rëndësishëm për ekonominë vendore.
Kompania „Kromberg dhe Shubert” fillon një projekt të ri investues, në kuadër të të cilit, gjatë katër viteve të ardhshme, parashikohet hapja e 2,000 vendeve të reja të punës.
Aty do të prodhohen komponentë automobilistikë për gjigantin gjerman Audi. Nuk ka nevojë t’ju kujtoj se çfarë është Audi dhe se çfarë rëndësie ka në industrinë automobilistike.
Ky është një investim i rëndësishëm për Manastirin, Rajonin e Pellagonisë dhe ekonominë në tërësi, por edhe një konfirmim se si shtet disponojmë me fuqi punëtore të kualifikuar dhe kapacitete industriale që mund t’u përgjigjen standardeve më të larta evropiane.
Në fabrikën në zonën industriale Zhаbeni do të prodhohen sisteme për një model të ri të Audisë, me një vëllim të planifikuar prej mbi 3.000 tufa kabllosh në ditë. Gjithashtu, projekti parasheh edhe futjen e teknologjive bashkëkohore dhe digjitalizimin e prodhimit.
„Kromberg dhe Shubert” deri më tani ka realizuar tri projekte investuese në Zhаbeni. Do të më korrigjoni nëse gaboj, në Manastir deri më tani janë të punësuar rreth 5,300 ose 5,280 persona, në Shkup pak më shumë se 1,700, ndërsa me këtë projekt do të arrijmë në 10,000 të punësuar.
Prandaj, besimi që „Kromberg dhe Shubert” ka te vendi ynë është i jashtëzakonshëm.
Për Manastirin dhe gjithë Pellagoninë, kjo nënkupton një impuls të ri zhvillimor, për ekonominë lokale mundësi shtesë, ndërsa për qytetarët perspektivë për punësim të qëndrueshëm dhe siguri ekonomike.
Qëllimi ynë është të njihemi si një destinacion i sigurt dhe konkurrues për investime, me industri të fuqishme dhe eksporte në rritje. Për këtë diskutuam edhe para fillimit të kësaj konference për shtyp. Vitin e ardhshëm, „Kromberg dhe Shubert” pret që eksportet nga kapacitetet e veta prodhuese në vendin tonë të tejkalojnë 400 milionë euro. Gjithashtu, synojmë vende pune me paga më të larta. Në të vërtetë, pagat mesatare, veçanërisht për kuadrin me kualifikim të lartë, janë mbi 80% më të larta se mesatarja në Maqedoni.
Shpreh mirënjohjen time për drejtuesit e „Kromberg dhe Shubert” për besimin e treguar, si dhe për të gjithë të punësuarit, të cilët me profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre kontribuojnë në realizimin e projekteve të tilla.
Në fund, dua të përcjell një mesazh të qartë.
Këto janë qëllimet tona, këto janë prioritetet tona dhe kështu duhet të punojmë edhe në të ardhmen për atdheun tonë. Me investime konkrete, me hapjen e vendeve të reja të punës dhe me rezultate.
Fatkeqësisht, ende kemi forca politike të preokupuara me përballjet e përditshme politike, të bazuara në konstrukte, gënjeshtra dhe shpikje. Ndërsa ne do të mbetemi të përkushtuar ndaj asaj që është e rëndësishme për qytetarët, e këto janë investimet kapitale, projektet dhe iniciativat private të këtij lloji, të cilat mundësojnë mijëra vende pune, mijëra vende pune me paga të mira.
Dallimin e bëjmë pikërisht përmes veprave, e jo fjalëve. Qytetarët presin punë, përgjegjësi dhe rezultate, dhe ne do të vazhdojmë në këtë rrugë.
Ju faleminderit.