Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Miteva: Sinjale pozitive ekonomike nga Banka Botërore - Maqedonia shënon rritjen më të lartë ekonomike në rajon, raportet ndërkombëtare po i konfirmojnë lëvizjet pozitive ekonomike

Miteva: Sinjale pozitive ekonomike nga Banka Botërore - Maqedonia shënon rritjen më të lartë ekonomike në rajon, raportet ndërkombëtare po i konfirmojnë lëvizjet pozitive ekonomike

Të nderuar përfaqësues të mediave,
Raportet më të reja të Bankës Botërore dhe Komisionit Evropian sjellin informacione të rëndësishme për lëvizjet ekonomike në Maqedoni, për rezultatet e arritura, por edhe për perspektivat e ekonomisë maqedonase për periudhën që pason.
Do të filloj me raportin më të ri të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor të Bankës Botërore, të publikuar dje, më 27 tetor, në të cilin është bërë një rishikim në rritje i parashikimit për rritjen ekonomike të Maqedonisë në vitin 2026.
Sipas këtij raporti, Banka Botërore parashikon që ekonomia maqedonase këtë vit të realizojë një rritje prej 3,2 për qind, që paraqet një rritje prej 0,3 pikë përqindjeje në krahasim me ato projeksione të mëparshme.
Është veçanërisht e rëndësishme që ky vlerësim vjen në një periudhë me sfida serioze ekonomike globale, pasiguri gjeopolitike, presione të çmimeve, por edhe energjetike, si dhe aktivitet ekonomik të ngadalësuar te një pjesë e partnerëve tanë më të rëndësishëm tregtarë.
Për Maqedoninë, kjo paraqet një vlerësim të rëndësishëm për lëvizjet ekonomike të deritanishme, por edhe një drejtim të qartë për politikat që duhet të vazhdojnë në periudhën e ardhshme.
Vlerësimet e Bankës Botërore plotësohen me të dhënat nga raporti më i ri ekonomik i Komisionit Evropian, i publikuar më 20 tetor, i cili tregon se Maqedonia në tremujorin e dytë të vitit 2026 ka realizuar rritje ekonomike prej 4,3 për qind, që paraqet normën më të lartë të rritjes ndër gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.
Për krahasim, rritja mesatare ekonomike në rajon arrin në 3,6 për qind. Gjithashtu, ekonomia maqedonase shënon përshpejtim të kësaj rritjeje, nga 3,1 për qind në tremujorin e parë në 4,3 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti.
Këto të dhëna fitojnë rëndësi shtesë kur të shihet struktura e rritjes.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, ndërtimtaria në tremujorin e dytë shënon rritje reale prej 21,9 për qind, industria përpunuese prej 4,1 për qind, ndërsa sektori i informacioneve dhe komunikimeve prej 4,3 për qind.
Njëkohësisht, bruto-investimet shënojnë rritje nominale, ndërsa konsumi final është rritur nominalisht për 7 për qind.
Këta janë tregues konkretë ekonomikë që flasin për aktivitet të shtuar në disa sektorë të rëndësishëm. Veçanërisht e rëndësishme është rritja e ndërtimtarisë, si sektor që drejtpërdrejt dhe tërthorazi ndikon në një numër të madh veprimtarish të tjera ekonomike, kompanitë vendore, transportin, prodhimin, por edhe zhvillimin infrastrukturor.


Në periudhën e kaluar, kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në disa raste ka theksuar rëndësinë e investimeve kapitale, projekteve infrastrukturore dhe krijimit të kushteve për aktivitet ekonomik më të madh. Me këto procese lidhen edhe të dhënat për rritjen e ndërtimtarisë dhe investimeve.
Megjithatë, do të doja të theksoja diçka që për Qeverinë është veçanërisht e rëndësishme.
Jemi të vetëdijshëm se treguesit pozitivë ekonomikë vetvetiu nuk nënkuptojnë se janë tejkaluar të gjitha sfidat ekonomike. Nuk presim që qytetarët ta masin standardin e tyre jetësor vetëm sipas të dhënave statistikore. Ata e vlerësojnë përparimin përmes të ardhurave të tyre personale, mundësive për punë, çmimeve të produkteve dhe shërbimeve. Dhe kjo është krejtësisht e kuptueshme.
Pikërisht për këtë arsye këto rezultate i paraqesim si bazë të rëndësishme për zhvillim të mëtejshëm ekonomik. Ato tregojnë se ekonomia maqedonase shënon rritje, se ekziston aktivitet ekonomik dhe se, pavarësisht kushteve të ndërlikuara të jashtme, krijohet një bazë për përmirësim të mëtejshëm të standardit jetësor.
Në këtë drejtim, Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj politikave që do të sigurojnë stabilitet afatgjatë ekonomik, ekonomi konkurruese dhe kushte më të mira për jetë.
Kur Banka Botërore e rishikon parashikimin për rritjen ekonomike të Maqedonisë, ndërsa Komisioni Evropian konfirmon se në tremujorin e dytë ne kemi normën më të lartë të rritjes në Ballkanin Perëndimor, këto janë vlerësime të rëndësishme ndërkombëtare për lëvizjet ekonomike në Maqedoni. Ato paraqesin bazë për vlerësimin e rezultateve të aktivitetit ekonomik dhe për avancimin e mëtejmë të politikave ekonomike.
Përgjegjësia e Qeverisë është ta ruajë trendin pozitiv zhvillimor, të sigurojë stabilitet të financave publike dhe të vazhdojë me reforma të cilat do të mundësojnë që rezultatet e rritjes ekonomike të kenë ndikim gjithnjë e më të madh në jetën e qytetarëve.

Accessibility Menu