Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Qeveria solli vendim që Kuvendit t’ia dorëzojë propozimin për Nenad Savevskin si Prokuror të ri Publik të Shtetit

Qeveria solli vendim që Kuvendit t’ia dorëzojë propozimin për Nenad Savevskin si Prokuror të ri Publik të Shtetit

Në mbledhjen e sotme të rregullt, Qeveria shqyrtoi mendimin e Këshillit të Prokurorisë Publike lidhur me procedurën për zgjedhjen e Prokurorit të ri Publik të Shtetit. Pas një diskutimi gjithëpërfshirës, të argumentuar dhe konstruktiv, Qeveria miratoi vendim që Kuvendit t’i dorëzojë propozimin për zgjedhjen e Nenad Savevskit si Prokuror të ri Publik të Shtetit.

Qeveria u udhëhoq nga parimet e profesionalizmit, integritetit, ekspertizës dhe përkushtimit të qëndrueshëm ndaj sundimit të ligjit. Nenad Savevski është gjyqtar në Gjykatën Penale dhe gjatë karrierës së tij profesionale ka ndërtuar reputacion si jurist me përvojë shumëvjeçare, i njohur për ekspertizën e tij, integritetin profesional dhe përkushtimin ndaj parimeve të ligjshmërisë dhe drejtësisë.

Në kuadër të karrierës së tij shumëvjeçare dhe portofolit arsimor, Nenad Savevski është magjistër i shkencave juridike në fushën e së drejtës penale në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe ka kaluar Provimin e Jurisprudencës. Përvoja e tij profesionale është e gjerë, aktualisht është gjyqtar në Gjykatën Themelore Penale Shkup, në departamentin për krim të organizuar dhe korrupsion. Më parë ka qenë edhe prokuror publik në Prokurorinë Themelore Publike.

Ai posedon  edhe angazhime eksperte dhe ndërkombëtare si ekspert në OSBE në Maqedoni, ekspert në Konventën Kombëtare për BE – Kapitulli 23, ka qenë anëtar i grupeve të punës për reforma gjyqësore dhe ligjore, ekspert në projekte të Këshillit të Evropës, OSBE-së dhe USAID-it, si dhe ka punuar në projekte për masa të posaçme hetimore, paraburgim dhe procedurë penale.

Në fushën akademike dhe edukative ai është ligjërues në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, tutor kombëtar dhe trajnues në programin HELP të Këshillit të Evropës, trajner për të drejtat e njeriut dhe të drejtën penale, si dhe ka publikime përkatëse dhe është autor dhe bashkautor i disa punimeve shkencore.

Nga e gjithë kjo mund të konkludohet se ai ka marrë pjesë në procese dhe aktivitete të ndryshme që lidhen me përmirësimin e funksionimit të sistemit të drejtësisë, si dhe në iniciativa të orientuara drejt forcimit të kapaciteteve institucionale, transparencës dhe efikasitetit të institucioneve të drejtësisë.

Përveç përvojës profesionale në vend, Nenad Savevski gjatë karrierës së tij ka bashkëpunuar me institucione dhe organizata relevante kombëtare dhe ndërkombëtare, duke kontribuar në shkëmbimin e praktikave të mira dhe në harmonizimin e standardeve të sistemit të drejtësisë me parimet bashkëkohore evropiane të sundimit të ligjit.

Gjatë diskutimit u theksua se zgjedhja e Prokurorit Publik të Shtetit është çështje me rëndësi të jashtëzakonshme për kredibilitetin e gjithë sistemit të drejtësisë. Pikërisht për këtë arsye procesi trajtohet me kujdes dhe përgjegjësi të veçantë, duke pasur parasysh nevojën për profesionalizimin dhe forcimin e pavarësisë së Prokurorisë Publike, si dhe për përmirësimin e mëtejshëm të efikasitetit në zbatimin e ligjeve.

Propozimin të cilin Qeveria i'a drejton Kuvendit bazohet në vlerësimet dhe mendimet profesionale të dorëzuara nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, si dhe bazuar në analizë të kujdesshme të integritetit profesional, përvojës dhe rezultateve të deritanishme të kandidatit. Në këtë drejtim u vlerësua se kandidati i propozuar posedon cilësitë e nevojshme profesionale dhe personale.

Qeveria konsideron se kandidati i propozuar do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e standardeve profesionale dhe rritjen e besimit të opinionit.

Me këtë vendim, Qeveria edhe një herë e konfirmon përkushtimin e saj të fortë për respektimin e procedurave institucionale, mbrojtjen e pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe mbështetjen e vazhdueshme të proceseve reformuese.

Accessibility Menu