Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Qeveria miratoi vendimin për uljen e akcizave për benzinën dhe naftën

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut

Qeveria, në mbledhjen e sotme, solli vendim me të cilin përcaktohet lloji i energjentëve, periudha kohore, si dhe mënyra e përllogaritjes së akcizës.

Ulja e akcizave për benzinën dhe naftën, si masë e ndërmarrë në kohë, synon zbutjen e pasojave të rritjes së çmimeve në bursat botërore dhe mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve.

Gjatë periudhës së fundit është evidentuar një mesatare e lartë e kuotimeve të naftës së papërpunuar dhe derivateve të saj në tregjet botërore. Qeveria e ndjek vazhdimisht situatën, kryen analiza ditore të lëvizjeve të çmimeve dhe mbetet plotësisht e përkushtuar në ndërmarrjen e masave të shpejta dhe aktive për të zbutur presionin ndaj qytetarëve dhe ekonomisë.

Me vendimin e miratuar për uljen e akcizave mundësohet amortizimi i një pjese të rritjes së çmimeve. Sipas përllogaritjeve të Qeverisë, pa këtë ndërhyrje, çmimi me pakicë i benzinës do të ishte rritur për rreth 4 denarë për litër, ndërsa me këtë masë pritet një rritje prej rreth 3 denarësh për litër.

Sa i përket naftës, pa vendimin e Qeverisë çmimi do të ishte rritur për rreth 8 denarë për litër, ndërsa me uljen e akcizës pritet një rritje prej rreth 6 denarësh për litër.

Qeveria pret që Komisioni Rregullator për Energjetikë, në përputhje me kompetencat e tij ligjore, të miratojë vendimin për çmimet e reja me pakicë të derivateve, ku efektet e kësaj mase qeveritare do të bëjnë që qytetarët të vazhdojnë të paguajnë çmime më të ulëta sesa do të ishin pa këtë ndërhyrje.

Prioritet i Qeverisë mbetet mbrojtja e standardit të qytetarëve, ruajtja e stabilitetit ekonomik dhe reagimi në kohë në kushte të paqëndrueshmërisë në tregjet ndërkombëtare. Edhe në periudhën e ardhshme do të ndiqen me kujdes të gjitha lëvizjet e çmimeve dhe nëse rrethanat e kërkojnë, do të shqyrtohen edhe masa shtesë në interes të qytetarëve dhe ekonomisë.

Accessibility Menu