Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Durmishi në takimin ministror për Procesin e Berlinit: Bashkëpunimi rajonal dhe reformat janë çelësi për treg më të fortë pune

Durmishi në takimin ministror për Procesin e Berlinit: Bashkëpunimi rajonal dhe reformat janë çelësi për treg më të fortë pune

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, sot në Berlin mori pjesë në takimin ministror për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, në panelin “Promovimi i punësimit: Strategjitë efektive për tregje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të punës”.
Në fjalimin e tij, ministri Durmishi theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar në zbatimin e reformave që do të kontribuonin për treg më të fortë, më fleksibël dhe më konkurrues të punës, të harmonizuar me standardet dhe politikat evropiane.
Ai vuri në dukje se ndër sfidat më të mëdha me të cilat përballet vendi janë mospërputhja midis ofertës dhe kërkesës së punës, mungesa e stafit të kualifikuar, shpërngulja e të rinjve dhe prania e ekonomisë informale.
"Megjithëse ka numër të konsiderueshëm të punëkërkuesve aktivë, kompanitë përballen me mungesë të stafit me shkathtësi përkatëse. Prandaj, është i nevojshëm harmonizimi më i mirë i arsimit me nevojat e sektorit real, krijimi i vendeve më cilësore të punës dhe transformimi në ekonomi me vlerë më të lartë të shtuar”, theksoi Durmishi.
Ministri informoi se Qeveria po zbaton në mënyrë aktive masat e punësimit përmes planeve operative, me fokus të veçantë në trajnime në kushte reale të punës, mbështetjen për vetëpunësim dhe zhvillimin e sipërmarrësisë.
"Vetëm gjatë vitit të kaluar, janë dhënë më shumë se 2.500 grante për të hapur biznes vetanak, ndërsa këtë vit me masat e punësimit do të përfshihen më shumë se 10.000 të papunë, për të cilët janë siguruar rreth 40 milionë euro", theksoi ministri.
Durmishi potencoi se Maqedonia e Veriut punon në mënyrë aktive në implementimin e agjendës reformuese në kuadër të Planit të rritjes së Bashkimit Evropian, si dhe Tregut të përbashkët rajonal, me qëllim që të arrihet konkurrueshmëri më e madhe ekonomike, klimë më e mirë afariste dhe lëvizshmëri më e madhe e fuqisë punëtore në rajon.
Ai shtoi se shteti do të vazhdojë reformat që synojnë njohjen e kualifikimeve dhe diplomave, lehtësimin e qasjes në lejet e punës dhe krijimin e tregut më fleksibël dhe të integruar rajonal të punës.
"Procesi i Berlinit është mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtimin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet partner aktiv dhe i përkushtuar në këtë proces", porositi ministri Durmishi.

Accessibility Menu