Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, iu drejtua sot Forumit të Biznesit Maqedoni e Veriut-Turqi, ku theksoi përkushtimin e Qeverisë për krijimin e një mjedisi biznesi të parashikueshëm, konkurrues dhe të orientuar drejt investimeve që synon nxitjen e investimeve të reja, rritjen ekonomike dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.
Në fjalën e tij, Ministri Durmishi theksoi se Republika e Turqisë është një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Maqedonisë së Veriut, me ç'rast shkëmbimi tregtar shënon rritje të vazhdueshme, ndërsa kompanitë turke për dekada të tëra luajnë një rol të rëndësishëm si investitorë, punëdhënës dhe partnerë në zhvillimin e ekonomisë maqedonase.
"Maqedonia e Veriut është e hapur për investime të reja dhe partneritete të reja. Ofrojmë politikë të qëndrueshme makroekonomike, pozicion strategjik gjeografik, qasje në tregjet rajonale, fuqi të kualifikuar punëtore dhe mbështetje institucionale për investitorët. Ajo që është edhe më e rëndësishme, ofrojmë partneritet të bazuar në besim dhe bashkëpunim afatgjatë”, theksoi ministri Durmishi.
Ai bëri të ditur se Ministria e Ekonomisë dhe Punës punon në mënyrë aktive për të mbështetur investitorët vendor dhe të huaj përmes disa politikave dhe instrumenteve strategjike, me fokus të veçantë në zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, të cilat paraqesin shtyllën e ekonomisë së Maqedonisë.
Përmes programeve për mbështetje të ndërmarrjeve sigurohet ndihmë financiare dhe teknike për modernizimin e prodhimit, vendosjen e teknologjive të reja, digjitalizimin, rritjen e konkurrueshmërisë dhe ndërkombëtarizimin e kompanive. Vëmendje e veçantë u kushtohet edhe kompanive novatore, startapeve dhe bizneseve familjare si shtytës të vendeve të reja të punës dhe rritjes ekonomike.
Ministri theksoi se përmes Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve, Qeveria ofron mbështetje për kompanitë që investojnë në kapacitete të reja prodhuese, hapin vende të reja pune, vendosin teknologji bashkëkohore, rrisin eksportin dhe investojnë në kapitalin njerëzor.
Njëherësh, Durmishi informoi se Qeveria punon për një gjeneratë të re të politikave industriale që synojnë tranzicionin e gjelbër të ekonomisë, me ç'rast Ligji për Zonat e Gjelbra Industriale do të krijojë një kornizë bashkëkohore për tërheqjen e investimeve me vlerë të lartë të shtuar, teknologji të pastra, efikasitet energjetik dhe prodhim të qëndrueshëm.
Si potencial i rëndësishëm për investime të reja është theksuar Zona Industriale Tetovë, e cila është në kompetencë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës dhe ofron kushte të shkëlqyera për kompanitë në sektorët e prodhimit, logjistikës dhe teknologjisë, falë pozicionit të saj strategjik, afërsisë me tregjet rajonale dhe korridoret transportuese, si dhe disponueshmërisë së fuqisë së kualifikuar punëtore.
“Vizioni ynë është që zonat industriale të rriten në qendra të prodhimit bashkëkohor, inovacioneve dhe bashkëpunimit rajonal ekonomik. Jam i bindur se forumi i sotëm do të hapë mundësi të reja për lidhjen e kompanive, zbatimin e projekteve të përbashkëta dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë", porositi ministri Durmishi.
Në forumin morën pjesë përfaqësues të lartë qeveritarë nga Maqedonia e Veriut dhe Turqia, përfaqësues të odave ekonomike, komunitetit afarist, investitorë dhe sipërmarrës nga të dy vendet.