Në bashkëpunim të përbashkët ndërmjet Hekurudhave Infrastrukturë, Fakultetit të Arkitekturës dhe Fakultetit të Ndërtimtarisë, do të fillohet projektimi për rikonstruksion të plotë të Stacionit Ndërkombëtar Hekurudhor Shkup. Këtë e njoftuan sot drejtori i NP Hekurudhat e Maqedonisë Infrastrukturë, Sinisha Ivanovski, dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Prof. Dr. Josif Josifovski dhe dekania e Fakultetit të Arkitekturës, Prof. Dr. Aneta Hristova Popovska.
Siç theksoi drejtori Ivanovski, stacioni hekurudhor do të fitojë pamje të re bashkëkohore dhe moderne, ndërsa në bashkëpunim me fakultetet do të punohet edhe në disa projekte të tjera në Hekurudhën.
"Sot e zyrtarizojmë bashkëpunimin ndërmjet Hekurudhave Infrastrukturë, Fakultetit të Arkitekturës dhe Fakultetit të Ndërtimtarisë për disa projekte të rëndësishme, edhe atë: Projektim për sanimin e urës mbi Lumin e Zi (Cërna Reka), urë që është në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, u shemb një herë në vitin 2020, që do të thotë ndërprerje e qarkullimit hekurudhor. Pastaj, projekt për sanimin e disa rrëshqitjeve të dheut mbarë vendit që janë problem për qarkullimin hekurudhor, projektim për remontin e linjës hekurudhore Zelenikovë-Veles për të cilën ka shumë kritika për vozitje të ngadaltë ndërmjet 10, 20 dhe 30 km në orë dhe fillimi i projektimit për rikonstruksion të plotë të Stacionit Hekurudhor Shkup. Së bashku me Fakultetin e Arkitekturës dhe të Ndërtimtarisë do të bëhet Projekt Bazë për rikonstruksion të plotë me theks të veçantë në ruajtjen e pamjes origjinale të bërë sipas projektit të Kenzo Tanges, por me elemente të reja bashkëkohore dhe moderne në arkitekturë,” deklaroi Sinisha Ivanovski, drejtor i NP Hekurudhat e Maqedonisë Infrastrukturë.
Siç thekson Ivanovski, stacioni i ri hekurudhor, së bashku me hekurudhën e shpejtë dhe degëzimin hekurudhor deri në Aeroportin Ndërkombëtar Shkup, duhet të ndërtohen së bashku dhe të lëshohen në përdorim në të njëjtën kohë.
“Ajo të cilën do ta bëjmë tani duhet të zgjasë për 50 deri në 100 vitetët e ardhshme dhe nuk do të nxitojmë me projektimin. Na duhet minimum një vit për të fituar projektin me faza. Stacioni hekurudhor i rikonstruktuar plotësisht, linja hekurudhore nga stacioni hekurudhor deri në Aeroportin Petrovec dhe në të njëjtën kohë hekurudha e shpejtë në Korridorin 10, këto tre gjëra është mirë të ndodhin në të njëjtën kohë. Financimi mund të jetë nga buxheti i shtetit, nga huatë e BERZH-it ose të EIB-së, por nuk e përjashtoj mundësinë që ky stacion hekurudhor të hyjë në partneritet strategjik me Britaninë e Madhe,” theksoi Ivanovski.
Dekanët e Fakultetit të Arkitekturës dhe të Ndërtimtarisë njoftuan zgjidhje arkitekturore dhe ndërtimore ambicioze për një stacion të ri bashkëkohor e modern dhe linjë hekurudhore në Korridorin 10.
“Qendra e transportit është ky gjigant i cili me vite atrofon dhe bëhet jofunksional dhe nuk e përmbush detyrën e tij. Me të gjitha ndërhyrjet dhe rikonstruksionet që do t'i propozojmë, e që do t'i referohen gjendjes origjinale të objektit, me gjithë respektin ndaj projektuesit të madh Kenzo Tange, do të kontribuojnë në azhurnimin e përmbajtjeve të caktuara të cilat do ta bëjnë këtë objekt një qendër sociale (social hub), do të paraqesin vlerë të shtuar për atë që janë stacionet hekurudhore. Kjo lidhje me hekurudhën e shpejtë është një gjë e jashtëzakonshme, këtë e presim me vite dhe ua kemi borxh brezave pas nesh,” deklaroi dekania e Fakultetit të Arkitekturës, Prof. Dr. Aneta Hristova Popovska.
“Detyra jonë është të bëjmë rikonstruksion dhe rehabilitim të plotë me elemente nga hekurudha ku shfaqen probleme, nga sanimi i konstruksioneve të urave, sanimi i rrëshqitjeve të dheut, mureve mbështetëse etj. Edhe vetë shinat do të përfshihen. Me këtë projekt do të sigurojmë të gjitha kushtet dhe standardet që vlejnë në të gjitha vendet e Evropës Perëndimore. Pjesëmarrja e Fakultetit të Ndërtimtarisë është zotim dhe garantues i cilësisë së punëve të kryera,” theksoi dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Prof. Dr. Josif Josifovski.