Maqedonia sot zyrtarisht iu bashkua Korridorit Vertikal të Gazit. Në prani të ministres së Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale, Sanja Bozhinovska, Memorandumin e Mirëkuptimit për anëtarësimin në iniciativën “Korridori Vertikal” këtë pasdite në Selanik, në kuadër të Forumit të 10-të për Energjetikë e Evropës Juglindore (SEEF), e nënshkroi drejtori ekzekutiv i NOMAGAS SHA Shkup, Nedim Rama.
Me kyçjen në Korridorin Vertikal, vendi bëhet pjesë e bashkëpunimit më të gjerë rajonal për ndërlidhjen e sistemeve të transmetimit të gazit natyror në Evropën Juglindore dhe Qendrore. NOMAGAS i bashkohet operatorëve të sistemeve të transmetimit të gazit natyror që po zhvillojnë Korridorin Vertikal – një iniciativë rajonale që lidh sistemet e gazit të Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë, Sllovakisë, Ukrainës, Moldavisë dhe Serbisë dhe krijon një bosht më të gjerë për transmetimin e gazit natyror në drejtimin jug–veri.
Siç theksoi ministrja Bozhinovska para nënshkrimit, Korridori Vertikal Energjetik nuk është vetëm infrastrukturë e gazsjellësit, por përfaqëson arkitekturën e re të sigurisë, ekonomike dhe gjeostrategjike të Evropës Juglindore.
– Sot jam jashtëzakonisht krenare të theksoj se, pas përpjekjeve të intensifikuara diplomatike, Maqedonia e Veriut zyrtarisht i bashkohet Korridorit Vertikal të Gazit. Ky është një moment historik, përmes të cilit, pas plot tri dekadash, i japim fund varësisë sonë të plotë nga një rrugë e vetme e furnizimit me gaz, tha ministrja.
Bozhinovska informoi gjithashtu se interkonektori me Greqinë pritet të jetë funksional në vitin 2027, ndërsa pas vënies së tij në përdorim, Maqedonia do të sigurojë një kapacitet fillestar prej 1.4 miliardë metrash kub gaz natyror në vit, me mundësi reale për dyfishimin e këtij kapaciteti në të ardhmen, në 2.8 miliardë metra kub.
– Vizioni i Maqedonisë nuk ndalet këtu. Menjëherë vazhdojmë me hapin e ardhshëm - interkonektorin e planifikuar prej 23 kilometrash me Serbinë. Përmes këtij projekti, Maqedonia e Veriut synon të bëhet një qendër kyçe e tranzitit energjetik që lidh jugun me Evropën Qendrore dhe Lindore, theksoi Bozhinovska. Sipas saj, Maqedonia e sheh Korridorin Vertikal edhe si katalizator të tranzicionit të gjelbër.
Ministrja Bozhinovska, para nënshkrimit të Memorandumit, mori pjesë në një panel në kuadër të SEEF-së, së bashku me kolegët e saj nga Greqia, Bullgaria dhe Qiproja. Ajo u fokusua në ndërlidhjen infrastrukturore.
– Pjesa më e madhe e punës administrative për interkonektorin me Greqinë ka përfunduar, tubat janë aty, gjithçka që ka të bëjë me tokën tashmë është në proces trajtimi, kështu që jemi në rrugën e duhur. Kemi 68 kilometra dhe po përparojmë siç duhet. Qershori i ardhshëm është data e pritshme kur kjo duhet të përfundojë. Me Serbinë javën e kaluar nënshkruam marrëveshjen - bëhet fjalë vetëm për 23 kilometra, por megjithatë kemi ende një rrugë të gjatë përpara, sepse tani po fillojmë. Kjo do të thotë fundi i vitit të ardhshëm, fillimi i vitit 2028, përkatësisht në vitin 2028 gjithçka do të jetë gati nga Greqia deri në Serbi, tha Bozhinovska.
Gjatë paradites, ministrja mori pjesë në një panel në Samitin e 6-të Metropolitan, në të cilin Korridori Vertikal i Gazit ishte një nga temat kryesore. Në të dyja ngjarjet, në samit dhe në forum, kushtuar sigurisë dhe stabilitetit energjetik, përveç ministrave, morën pjesë edhe përfaqësues të kompanive më të mëdha energjetike dhe të institucioneve ndërkombëtare, ekspertë, rregullatorë dhe investitorë.