Me këtë ribalanc të Buxhetit, investimet kapitale janë rritur nga 39 miliardë denarë, sa ishin paraparë fillimisht, në plot 47 miliardë denarë dhe kjo është rezultat i realizimit të projekteve kapitale në të gjitha institucionet, duke filluar nga segmentet e autostradave, programi për financimin e komunave, për të cilin janë siguruar rreth 2 miliardë denarë shtesë, si dhe mjete shtesë për stacionet filtrues në Shkup, Manastir dhe Tetovë, përmes Ministrisë së Mjedisit Jetësor. Këto janë projekte që po realizohen dhe pikërisht kjo është arsyeja pse deficiti buxhetor është rritur nga 3,5% në 4,1%, pasi kemi 7 miliardë denarë më shumë investime kapitale krahasuar meatë që ishte më përpara”, shpjegoi kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes në Kuvend lidhur me realizimin e investimeve kapitale dhe ribalancin e Buxhetit.
– Ne sot po e rrisim deficitin buxhetor jo për shkak të subvencioneve, jo për shkak të transfereve sociale, pagave apo pensioneve, por për shkak të investimeve kapitale – diçka që dikur ishte e pamundur, sepse nuk kishte kapacitetet dhe nuk kishte menaxhim të projekteve. Tani, kur më në fund kemi kapacitet dhe menaxhim të projekteve, akuzohemi se kemi rritur deficitin buxhetor. Sikur të kishim rritur transferet sociale me shtatë miliardë denarë, atëherë mund të thuhej se paratë po shpenzohen pa mëshirë dhe për këtë arsye është rritur deficiti. Por nuk është kështu, madje në kushte krize, kur për dy muaj kishim TVSH të ulur, për më shumë se tre muaj akciza të reduktuara dhe gjatë krizës më të madhe energjetike që njerëzimi mban mend.Dhe përsëri, edhe me këtë ribalanc të Buxhetit, nuk kemi asnjë problem të sigurojmë mjete, të organizojmë menaxhimin e projekteve dhe t’i realizojmë këto investime kapitale, tha Mickoski, duke iu përgjigjur akuzave të opozitës lidhur me ribalancin.
Sa i përket realizimit të investimeve kapitale, Mickoski paraqiti afatet për projektet më të mëdha infrastrukturore.
– Pres që më së voni në tetor, le të prolongohet maksimumi deri në nëntor, të vihet në përdorim segmenti Izvor – Vërbjan, ku do të lidhemi me pjesën tashmë të përfunduar, ndërsa në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm të gjithë të mund të qarkullojmë në të gjithë autostradën Kërçovë–Ohër, e cila do të jetë plotësisht funksionale. Në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm pres që të jenë të kalueshme 10 kilometrat e parë të autostradës Prilep–Manastir. Gjithashtu, të vazhdojë realizimi i autostradës Tetovë–Gostivar–Bukojçan dhe deri në fund të vitit të nisin punimet ndërtimore në autostradën Bukojçan, që do të lidhet me autostradën Kërçovë–Ohër, deklaroi Mickoski.
Duke I përmendur investimet kapitale, kryeministri Mickoski zbuloi se pas shumë dekadash, një kompani ndërtimore maqedonase ka fituar një projekt për ndërtimin e një autostrade, segmentin Bllacë–Shkup.
– Në muajin gusht fillojmë me segmentin Bllacë–Shkup. Kompania ndërtimore “Granit”, pas shumë dekadash, është kompania e parë maqedonase që fiton ndërtimin e një autostrade në Maqedoni, të financuar nga huadhënës evropianë, tha kryeministri Mickoski.