Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me krizën e çmimeve të karburanteve, nëse do të rikthehet TVSH-ja për dizelin dhe nëse vendimi i mëparshëm ishte i parakohshëm duke pasur parasysh se çmimet u rritën sërish, deklaroi:
“Nuk mendoj se është i parakohshëm, përkundrazi. Maqedonia si shtet, tashmë dy muaj është shembull për mënyrën se si po përballemi me këtë krizë energjetike. Kjo është një krizë e importuar, për shkak të zhvillimeve gjeopolitike. Ne jemi një nga shtetet e rralla që mori një masë kaq të fuqishme menjëherë. Dhe me këtë arritëm ta mbajmë nivelin brenda kufijve të pranueshëm.
Sipas përllogaritjeve tona, pres që sot dizeli të ulet përsëri, afërsisht për 2–2,5 denarë, sepse javën e kaluar mesatarja ishte e tillë në tregun FOB Italia, që për ne përfaqëson një bursë referente. Pres një rritje të lehtë të benzinave, por aty TVSH-ja tashmë është 10%. Dhe këtë javë mbetet në 10%. Në fund të javës do të bëjmë përllogaritjet, pastaj do të marrim vendime si më tej. Deri në fund të prillit mbetet në fuqi zbritja që kemi dakorduar me OKTA-n.
Kështu që, apsolutisht si Qeveri, në këto dy muaj po luftojmë me vendosmëri dhe arritëm të mos lejojmë që, si shumë herë në të kaluarën, të jemi në fund, por përkundrazi, të jemi në krye për sa i përket përqindjes së masave nga prodhimi ynë i brendshëm bruto. Nga ana tjetër, arritëm të mos kemi goditje çmimesh, as inflacion me shifra dyshifrore, siç ishte në fakt në vitin 2022.
Duke pasur parasysh se kjo krizë energjetike është më e madhe se të gjitha tri krizat e mëparshme energjetike – edhe ajo e vitit 2022, edhe ato të viteve të 70-ta, së bashku. Mendoj se si Qeveri që po lufton me këmbëngulje prej dy vitesh për të përmirësuar gabimet e bëra me dekada, arritëm që përmes një qasjeje konstruktive dhe ofensive të ruajmë stabilitetin e çmimeve.“