Mirëdita edhe nga unë.
Nuk kam çfarë të shtoj lidhur me investimet në Ohër, përveç asaj që dëgjuam nga kryetari i komunës.
Shohim se punohet, investohet, Ohri po zhvillohet dhe ngadalë, por me siguri, po e merr vendin e merituar që i takon si qytet.
Besoj se me lëshimin në përdorim të segmentit të autostradës që do të lidhë Kërçovën me Ohrin, nëse gjithçka shkon sipas planit, në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, ndërsa këtë vjeshtë pres që të lëshohet në edhe segmenti nga Izvori deri në Vërbjan, kështu që do të zgjatet pjesa të cilën qytetarët e përdorin si autostradëme kilometra shtesë.
Pres që në këtë mënyrë të shkurtohet distanca dhe koha e udhëtimit nga disa qytete të Maqedonisë drejt Ohrit dhe në këtë mënyrë akoma më shumë turistë ta vizitojnë Ohrin. Për këtë e përgëzoj kryetarin e komunës për atë që ka bërë gjatë viteve të kaluara, për atë që po bën tani dhe për atë që dëgjuam se do të bëjë në të ardhmen. Është vërtet mbresëlënëse dhe impozante.
Dëshiroj t’i falënderoj këshilltarët që e mbështesin punën e kryetarit të Komunës së Ohrit. Gjithashtu, dua ta falënderoj administratën, sepse pa një administratë cilësore nuk mund të përgatitni projekte dhe as ta kryeni me sukses punën që po bëni. Falënderim edhe për deputetët që vijnë nga Ohri, të cilët gjithmonë angazhohen për më shumë projekte, në mënyrë që Ohri të fitojë edhe më shumë. Falënderoj edhe kolegët nga Qeveria – këtu është zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, si edhe ministrja e Arsimit, të cilët një pjesë të madhe të fokusit të tyre ia kushtojnë Ohrit dhe këtij rajoni, që ai të zhvillohet ashtu siç e meriton.
Falënderim edhe për drejtoreshën dhe stafin e gjimnazit, sepse ky objekt po rinovohet dhe po investohet vazhdimisht në të. Kështu që kjo është pikërisht ajo që qytetarët presin nga njerëzit të cilëve ua kanë besuar drejtimin dhe ne si Qeveri, së bashku me vetëqeverisjen lokale, kryetarin e komunës dhe ekipin e tij, do të vazhdojmë ta mbajmë fokusin te Ohri dhe të realizojmë projekte që do të shtojnë vlerë në cilësinë e jetës së qytetarëve të Ohrit dhe të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.
Kështu që, edhe një herë, urime për të gjithë dhe le të vazhdojmë kështu edhe në vitet që vijnë.