Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Mickoski: Projektligji për duhanin është hartuar pas konsultimeve me të gjitha palët e interesuara, nuk do të ketë të privilegjuar dhe do të zbatohet në të gjithë territorin e shtetit

Mickoski: Projektligji për duhanin është hartuar pas konsultimeve me të gjitha palët e interesuara, nuk do të ketë të privilegjuar dhe do të zbatohet në të gjithë territorin e shtetit

Mirëdita. Në emrin tim personal dhe në emër të Qeverisë, dëshiroj t’u uroj mirëseardhje përfaqësuesve të shoqatave, organizatave dhe palëve të interesuara, të cilët janë pjesë e kësaj zgjidhjeje ligjore.

Dëshiroj gjithashtu të përshëndes kolegun tim në Qeveri, ministrin e Shëndetësisë, anëtarët e kabinetit, mysafirët që janë sot këtu, si dhe mediat, natyrisht.

Dua të flas shkurt dhe saktë kur bëhet fjalë për këtë zgjidhje ligjore, e cila, si shumë zgjidhje të tjera ligjore që mund të polarizojnë opinionin, nuk është miratuar “ad-hoc” dhe as sipas parimit të imponimit me forcë, por përmes një procesi gjithëpërfshirës, në konsultim me të gjitha palët e interesuara, me shoqatat, prodhuesit, distributorët, hotelierët, njerëzit që kanë restorante, klube nate etj.

Praktikisht, i gjithë ky proces prodhoi një zgjidhje, ku qëllimi i Qeverisë ishte që të gjithë të dilnim njësoj të pakënaqur. Sepse kur hartoni një ligj të tillë, nuk është e mundur që të gjithë të dilni njësoj të kënaqur. Sepse kjo është e pamundu, kjo do të ishte alkimi, ndërsa ne nuk jemi as alkimistë dhe as mrekullibërës. Kushdo që pretendon se është mrekullibërës, nuk thotë të vërtetën.

Prandaj, mendoj se në fund të këtij procesi të gjithë kemi nga pak një pakënaqësi të kufizuar, por njëkohësisht jemi të kënaqur sepse arritëm një kompromis të përbashkët. Takimi ynë i sotëm këtu në Qeveri është pikërisht rezultat i këtij kompromisi të përbashkët. Një kompromis që është shëndruar në ligj. Ministri i Shëndetësisë më informoi se ky ligj javën e ardhshme, të martën, do të vendoset në mbledhje të Qeverisë, ku edhe kolegët e tjerë do të kenë mundësi ta diskutojnë.

Nuk ekziston një zgjidhje ligjore ideale, nuk ekziston diçka që mund të jetë brilante dhe perfekte, por ne mendojmë dhe vlerësojmë se kjo zgjidhje ligjore në masë të madhe i rregullon marrëdhëniet që duhet të ndodhin në një shoqëri kur bëhet fjalë për prodhimin dhe shpërndarjen e produkteve, por njëkohësisht edhe përdorimin e tyre brenda apo jashtë ambienteve që interesojnë shoqatën HORECA, si dhe ne si Qeveri. Sepse qëllimi i Qeverisë është të ndjekë zhvillimet, por edhe të luftojë që të kemi sa më pak njerëz që konsumojnë duhan. Kjo është një nga politikat tona kyçe dhe vlerësojmë se përmes këtij ligji do të arrijmë së bashku drejt kësaj zgjidhjeje.

Unë ju përgëzoj të gjithëve për konstruktivitetin dhe për gjithçka që investuam së bashku gjatë kësaj periudhe.

Falënderoj edhe ministrin e Shëndetësisë, si dhe njerëzit nga kabineti im që ishin të përfshirë drejtpërdrejt në këtë proces. Falënderim për të gjithë ata që, në thelb, kontribuuan në hartimin e këtij ligji dhe pres zbatimin e tij të plotë dhe konsekuent.

Duhet ta pranoj se edhe deri më tani ka pasur disa zgjidhje ligjore, të cilat për fat të keq nuk janë zbatuar ashtu siç prisnim të gjithë ne.

Më besoni, inspektimet do të jenë rigoroze në të gjithë territorin e shtetit. Këtë e përsëris: nuk do të ketë rajone, qytete apo vendbanime të privilegjuara ku ligji nuk do të respektohet. Për këtë ju garantoj dhe këtu nuk do të ketë pardon.

Kjo Qeveri gjatë periudhës së kaluar vendosi të hartojë disa zgjidhje ligjore, për të cilat shumë njerëz na thoshin se mund të dëmtonin reputacionin tonë politik. Megjithatë, ne vendosëm të hyjmë në ato procese, sepse vlerësojmë se në këtë mënyrë do të shpëtojmë më shumë jetë njerëzish.

Kështu ishte rasti edhe kur filluam me projektin “Qytet i Sigurt”. Shumë na thoshin: “Lëreni këtë punë”, “nuk keni nevojë për këtë”, “pse ju duhen të gjitha këto”. Por ja që në katër muajt e parë të vitit, në vendet ku funksionon sistemi “Qytet i Sigurt”, numri i viktimave është përgjysmuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Presim që edhe me zbatimin konsekuent të këtij ligji të kemi rezultate pozitive sa i përket shëndetit të qytetarëve.

Dhe ka edhe disa ligje të tjera që nuk janë temë e këtij takimi të sotëm, por që gjithashtu janë të dobishme për shoqërinë, mjedisin dhe qytetarët, sepse ato janë pjesë e prioriteteve dhe politikave të Qeverisë sonë.

Këtu do të ndalem. Në fund, më lejoni edhe një herë t’i falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në hartimin e këtij ligji dhe të apeloj që ai të miratohet sa më shpejt.

Dhe edhe një herë dua ta them publikisht se pas këtij takimi nuk do të ketë të privilegjuar. Nëse dikush mendon se është i privilegjuar, se është afër këtij apo atij, prandaj nuk do ta respektojë ligjin dhe nuk do të kapet apo nuk do të ndëshkohet, gabon.

Mund të ndodhë që një herë t’i shpëtoni ndëshkimit nëse nuk ju kapim. Ndoshta edhe herën e dytë. Por herën e tretë me siguri do të kapeni dhe do të sanksionoheni.

Kështu që, kjo është porosia ime përfundimtare.

Ju faleminderit.

Accessibility Menu