Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Para një viti, në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor në Shkup, deklarova se dëshiroj të vijë koha kur qytetari nuk do të ketë nevojë të marrë një ditë pushimi nga puna për të nxjerrë një dokument, të presë para sportelit apo të bartë dokumente nga një institucion në tjetrin.
Që nuk është e nevojshme të njihni dikë në administratë.
Që të mos ketë nevojë të paguani 300, 400 apo 500 denarë për ta përfunduar më shpejt një procedurë.
Sot, me aplikacionin m.Uslugi, po ndërmarrim një hap konkret pikërisht në këtë drejtim.
Pak më parë pamë se si një dokument personal mund të mbahet në telefonin celular dhe se si mund të qaset në shërbimet publike përmes një aplikacioni të vetëm. Kjo mund të duket e thjeshtë, por pas saj qëndron një ndryshim shumë më i komplikuar: Institucionet të shkëmbejnë të dhëna, procedurat të thjeshtohen dhe qytetari të mos jetë më hallka lidhëse ndërmjet pjesëve të ndryshme të administratës. Pikërisht kjo, për mua, përbën thelbin e transformimit digjital.
Kjo është e rëndësishme, sepse transformimi digjital ka vlerë vetëm kur planet, strategjitë dhe infrastruktura shndërrohen në diçka që qytetari mund ta përdorë në praktikë.
Si një njeri që në aspektin professional vjen nga inxhinieria, këto procese i shoh para së gjithash si çështje të një sistemi të projektuar mirë dhe funksional.
Nëse një proces përmban hapa të panevojshëm, kalimi i tij nga formati në letër në atë digjital nuk do ta bëjë automatikisht një proces të mirë.
Nëse dy institucione tashmë disponojnë të dhëna që, në përputhje me ligjin, mund t’i shkëmbejnë ndërmjet tyre, nuk ka kuptim që qytetari të jetë ai që i bart fizikisht këto të dhëna nga një institucion në tjetrin.
m.Uslugi është pjesa e dukshme e këtij sistemi.
Pas asaj që pamë sot qëndrojnë regjistrat, ndërveprueshmëria, shërbimet elektronike, dokumentet elektronike, mekanizmat e identifikimit dhe të autentikimit, korniza ligjore dhe, natyrisht, siguria kibernetike.
Këto janë ggjëra që përdoruesi nuk ka nevojë t’i shohë, por pa to aplikacioni nuk do të kishte vlerë të mirëfilltë.
Dhe kjo është një nga detyrat e shtetit: ta zgjidhë kompleksitetin në prapavijë, ndërsa qytetarit t’i ofrojë një rezultat të thjeshtë dhe të sigurt.
Ky projekt ka edhe një dimension ekonomik shumë praktik.
Kur flasim për administratën publike, shpesh harrojmë se koha e qytetarëve dhe e kompanive ka vlerë reale ekonomike.
Çdo paraqitje e panevojshme në institucion nënkupton kohë të humbur.
Çdo dokument që kërkohet sërish, edhe pse tashmë ekziston në një regjistër shtetëror, krijon shpenzim shtesë.
Çdo procedurë që zgjat më shumë sesa është e nevojshme përbën shpenzim si për qytetarin, ashtu edhe për shtetin.
Prandaj, digjitalizimi është njëkohësisht reformë administrative dhe ekonomike.
Nëse, përmes sistemeve më të mira, kursejmë mijëra orë nga koha e qytetarëve dhe e kompanive, kjo përbën vlerë konkrete.
Nëse nëpunësit, në vend që të merren me procedura rutinore administrative, mund t’u kushtojnë më shumë kohë rasteve ku vërtet nevojiten njohuritë dhe vendimmarrja njerëzore, edhe kjo përbën vlerë konkrete.
Pikërisht për këtë arsye, pres që m.Uslugi të mos shihet si projekt i një ministrie të vetme.
Ky duhet të jetë projekt i të gjithë Qeverisë dhe i administratës publike.
Çdo ministër, çdo drejtor dhe çdo institucion duhet të analizojë se cilat shërbime mund t’i vendos në dispozicion përmes këtij sistemi, cilat të dhëna nuk duhet t’ua kërkojë më qytetarëve dhe cilat procedura mund t’i thjeshtojë.
Ministria e Transformimit Digjital mund ta ndërtojë platformën dhe infrastrukturën.
Por përmbajtja duhet të vijë nga institucionet.
Prandaj, në fazën e ardhshme pres një zgjerim të konsiderueshëm të numrit të shërbimeve dhe dokumenteve që do të jenë të disponueshme përmes m.Uslugi.
Nuk ka nevojë të deklarojmë sot se sistemi është i përfunduar.
Ky është vetëm fillimi i një paradigme të re.
Një shtet i përgjegjshëm, që ofron rezultate për qytetarët.
Një shtet që krijon procese administrative më të qarta dhe të verifikueshme.
Sepse, kur një procedurë zhvillohet në mënyrë elektronike, është më e lehtë të gjurmohet se kur ka filluar, sa ka zgjatur dhe në cilën fazë ndodhet.
Kjo kontribuon gjithashtu në rritjen e llogaridhënies, përmirësimin e menaxhimit dhe kufizimin e hapësirës për ushtrimin e panevojshëm të diskrecionit administrativ.
Të nderuar të pranishëm,
Nuk duhet të presim që një aplikacion i vetëm t’i zgjidhë të gjitha problemet e administratës publike, kjo është e pamundur.
Por proceset digjitale të projektuara mirë mund të kontribuojnë ndjeshëm që institucionet të punojnë në mënyrë më të qartë, më të shpejtë dhe më transparente.
Kjo është një pjesë e rëndësishme edhe e reformave që po zbatojmë në procesin e integrimit evropian.
Në kuadër të Agjendës së Reformave dhe Planit për Rritje të Bashkimit Evropian, kemi marrë përsipër detyrime të qarta edhe në fushën e transformimit digjital. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre detyrimeve tashmë është përmbushur – përmes ligjeve, ndryshimeve ligjore, zhvillimit të infrastrukturës digjitale, avancimit të shërbimeve elektronike dhe ndërlidhjes së institucioneve. Të gjitha këto ndryshime ligjore janë miratuar në masë të madhe.
Kjo është e rëndësishme, sepse tregon se Agjenda e Reformave për ne nuk është vetëm një dokument me afate dhe tregues, por një proces që zbatohet dhe jep rezultate konkrete.
Integrimi evropian, për mua, nuk ka kuptim nëse mbetet vetëm në dokumente, kapituj dhe raporte.
Ai duhet të shihet edhe në jetën e përditshme.
Këto projekte duhet të shihen si pjesë të së njëjtës politikë; shteti të ketë infrastrukturë digjitale moderne, kapacitete njerëzore dhe institucione që mund ta përdorin teknologjinë në mënyrë efikase.
Njëkohësisht, duhet të jemi të kujdesshëm që digjitalizimi të mos krijojë një formë të re të mos përfshirjes.
Jo çdo qytetar ka të njëjtat aftësi digjitale.
Prandaj, do të vazhdojnë të jenë të nevojshme mbështetja, qendrat e shërbimeve dhe kanalet e tjera për ata që kanë nevojë për to.
Gjithçka që mund të përfundohet në mënyrë të arsyeshme, të sigurt dhe në përputhje me ligjin përmes kanaleve digjitale, duhet ta bëjmë të disponueshme edhe në formë digjitale.
Në fund, dëshiroj ta përgëzoj ministrin Andonovski dhe ekipin e Ministrisë.
Ministri pak më parë tha shumë hapur se ky është versioni i parë, se ka funksionalitete që duhet të shtohen në vijim dhe se zhvillimi do të vazhdojë edhe më tej. Ky është një qëndrim realist dhe i drejtë.
I falënderoj edhe të gjitha institucionet që deri më tani kanë marrë pjesë në ndërlidhjen e sistemeve dhe shërbimeve.
Falënderime për Bashkimin Evropian dhe partnerët për mbështetjen.
Dhe, mbi të gjitha, pres që nga sot qytetarët ta përdorin këtë aplikacion.
Në fund, ata do të jenë testi më i rëndësishëm për të vlerësuar nëse kemi krijuar një sistem të mirë.
Suksesin nuk do ta masim vetëm sipas numrit të personave që e kanë shkarkuar aplikacionin.
Më e rëndësishme është sa shërbime do të përfundojnë realisht përmes tij.
Sa kohë do të kursejnë.
Sa procedura do të thjeshtohen.
Dhe sa hapa të panevojshme administrative do të arrijmë t’i eliminojmë.
Këta janë treguesit sipas të cilëve duhet të vlerësohet ky projekt.
Detyra jonë në periudhën që vijon është ta përshpejtojmë këtë proces, të përfshijmë sa më shumë institucione dhe të sigurojmë gjithnjë e më shumë shërbime që qytetarët do të mund t’i përdorin lehtësisht, në mënyrë të sigurt dhe pa humbur kohë në mënyrë të panevojshme.
Ky është qëllimi praktik i transformimit digjital.
Një shtet i organizuar më mirë.
Institucione më efikase.
Dhe shërbim më i mirë për qytetarët.
Ministrisë dhe të gjithë atyre që kanë punuar në këtë projekt u dëshiroj sukses në fazën e ardhshme, ndërsa qytetarëve u dëshiroj që m.Uslugi të jetë i dobishëm për ta dhe t’u kursejë kohë.
Qoftë me fat dhe ju faleminderit.